Flet Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP për Shqipërinë
Rreth një vit më parë filluan punimet për krijimin e infrastrukturës ndihmëse dhe kushteve të përshtatshme për ndërtimin e gazsjellësit TAP në Shqipëri. Si ka qenë ecuria e këtyre punimeve?
Punimet për plotësimin e infrastrukturës ndihmëse për ndërtimin e gazsjellësit TAP po ecin sipas parashikimeve. Deri më tani janë përfunduar mbi 95% e rrugëve dhe urave ndihmëse të fazës së parë përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. Ka përfunduar ndërtimi i dy urave të reja dhe rindërtimi apo rehabilitimi dhe forcimi i 42 urave ekzistuese. Rrugët ndihmëse të kësaj faze të projektit janë gjithashtu në prag të përfundimit. Ndërtimi në veçanti i disa prej tyre ka qenë sfidë për shkak të vështirësive jo të vogla që paraqet territori i thyer malor ku do të kalojë tubacioni, veçanërisht nga Vithkuqi drejt Shtyllës e Malit të Ostrovicës dhe në zonën e Potomit në Skrapar.
Investime në infrastrukturën ndihmëse rrugore do të ketë edhe në vazhdim, të cilat do të mundësojnë përmirësimin e më shumë se 100 km rrugëve në vend.
Ecuria sipas planifikimit e përmirësimit të infrastrukturës rrugore ka mundësuar fillimin e transportit të tubave dhe makinerive nga fusha kryesore e magazinimit në Durrës drejt Fierit ku ka filluar edhe shtrimi i tubacionit. Këto ditë do të nisë transporti i tubave edhe drejt rajonit të Korçës. Deri më sot kanë mbërritur në Shqipëri afërsisht 64% e rreth 13,000 tubave të nevojshëm për pjesën tokësore të gazsjellësit në vend. Transporti i tubave që janë 18 metra të gjatë po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit për të minimizuar shqetësimet në trafik dhe për të mundësuar një operacion të sigurt. Autoritetet vendore dhe komunitetet përgjatë korridorit janë treguar shumë bashkëpunuese dhe mbështetëse. Ndërtimi me sukses i një projekti të përmasave të tilla është i mundur vetëm nëse krijohen marrëdhënie korrekte, mirëkuptim dhe bashkëpunim i shumanshëm.
Në fund të shtatorit u përurua fillimi i punimeve për ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri. Si do të zhvillohen këto ndërtime?
Ceremonia për fillimin e punimeve për ndërtimin e pjesës tokësore të gazsjellësit TAP në Shqipëri shënoi nisjen e fazës më intensive të projektit që ka të bëjë me ndërtimin e vetë gazsjellësit. Kjo fazë shkurtimisht përfshin përgatitjen e korridorit të punës, shtrirjen e tubave përgjatë korridorit, saldimin dhe testimin e saldimeve, hapjen e trasesë/kanalit, uljen dhe sistemimin e tubacionit në kanal, mbulimin e trasesë dhe kthimin e korridorit në gjendjen e tij të mëparshme.
Punimet janë organizuar në tre zona kryesore: Segmenti Lindor – Bilisht – Korçë; Segmenti Qendror – Vithkuq – Potom-Çorovodë-Berat; si dhe Segmenti Perëndimor – Berat – Fier – Seman.
Ndërtimi ka filluar në segmentin perëndimor, në zonën e Fierit, ku edhe u organizua ceremonia për nisjen e këtyre punimeve. Punimet po ecin me ritme të mira. Kontraktori ynë ‘Spiecapag’, që po realizon ndërtimin e pjesës tokësore të gazsjellësit, është një kompani me përvojë të madhe në ndërtimin e tubacioneve. Aktualisht është përgatitur korridori në rreth 29 kilometra të tij, me një gjerësi deri në 38 metra, i nevojshëm për vendosjen e tubave, hapjen e kanalit dhe lëvizjen e makinerive. Në këtë korridor janë vendosur tubat njëri pas tjetrit, në një gjatësi prej afërsisht 12 kilometrash. Nga këto, më shumë se 14 kilometra tuba janë salduar. Punimet kryesore për këtë segment deri në afërsi të Beratit pritet të kryhen deri në fund të vitit. Në vijim do të fillojë ndërtimi i segmentit lindor dhe më tej segmenti qendror Vithkuq – Potom – Berat, që është edhe pjesa më sfiduese.
A keni ju të dhëna për ndikimin e deritanishëm të këtij projekti në ekonominë shqiptare, kryesisht në ato zona që po preken drejtpërdrejt. Cilat janë shërbimet e nxitura nga ky investim?
TAP është projekt i rëndësisë kombëtare. Ai po e vendos Shqipërinë në hartën energjetike të Bashkimit Europian dhe krijon mundësi reale për zhvillime të rëndësishme në sektorin e energjisë dhe ekonominë në përgjithësi. Prania, zbatimi dhe funksionimi me sukses i një projekti si TAP në Shqipëri është siguri dhe nxitje për shumë investitorë të tjerë seriozë.
TAP do të ketë një sërë efektesh pozitive afatshkurtra dhe afatgjata të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta. Efektet afatshkurtra kanë filluar që tani të ndihen në ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në zonat ku po ndërtohet.
Përmirësimi i dokumentacionit kadastral i parcelave përgjatë korridorit, si dhe kompensimi i pronarëve të ligjshëm të tokës dhe përdoruesve të tyre, sipas vlerave të tregut, përbën një nga ndikimet e para pozitive të TAP. Është përditësuar dhe përmirësuar dokumentacioni i 13,000 parcelave, afërsisht 17,000 hektarë. Nga ky proces kanë përfituar afërsisht 25,000 persona që banojnë përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu ky është një proces që vazhdon duke i dhënë mundësinë edhe një pjese tjetër që ende nuk kanë mundur të plotësojnë dokumentacionin.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore për zonat e banuara pranë gjurmës së gazsjellësit është gjithashtu një ndihmë e madhe. Sidomos për zonat e thella të Korçës dhe Skraparit, ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve dhe urave ka lehtësuar lidhjen me zonat urbane, në disa raste është përgjysmuar koha e transportit. Infrastruktura e re bën të mundur transportin, rritjen e transportit të mallrave dhe rrit sigurinë e transportit, sidomos gjatë stinës së dimrit kur shpeshherë disa fshatra izoloheshin.
Kantieret e ndërtimit të gazsjellësit TAP kanë nevojë për një zinxhir të plotë shërbimesh ndihmëse, ku kryesoret janë strehimi dhe ushqimi i punëtorëve. Nga informacionet që kemi, rritja e kërkesës ka sjellë rritje të qirave të shtëpive dhe çmimeve të hoteleve kudo ku po ndërtohet. Përveç strehimit, restorantet dhe shërbimet e tjera të përngjashme kanë rritur edhe aktivitetin e tyre, duke rritur të ardhurat, numrin e punonjësve dhe cilësinë e shërbimit që ofrojnë. Jo vetëm rrisin aktivitetin e tyre ekonomik, por ofruesit e këtyre shërbimeve janë duke e përmirësuar cilësinë e shërbimit, duke ofruar tashmë një standard më të lartë.
Në këndvështrimin tim, TAP në Shqipëri nuk po ndërton vetëm një gazsjellës, por po ndikon në krijimin e standardeve të reja për ndërtimin, sigurisë teknike dhe përcjelljen e përvojës më të mirë ndërkombëtare. Ky është një përfitim që ndikon në rritjen e konkurrencës së kompanive shqiptare dhe punëtorëve (burimeve njerëzore) të përfshirë në projekt. Ne po synojmë gjithashtu që këtë përvojë t’ua ofrojmë edhe studentëve nëpërmjet një programi të praktikave profesionale, ku ata mund të bëhen pjesë e stafit të TAP për një kohë të caktuar, për të përfituar një përvojë që do t’i shërbejë shumë atyre dhe vendit.
Në terma afatgjatë, prania e TAP krijon bazën për të zhvilluar një rrjet të brendshëm të shpërndarjes dhe përdorimit të gazit në Shqipëri. TAP ka mbështetur përpjekjet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për përgatitjen e Masterplanit të Zhvillimit të Sektorit të Gazit, si dhe ato për rritjen e kapaciteteve të entiteteve që parashikohen të përfshihen në këtë sektor. Në nivel rajonal, TAP krijon kushtet për ndërtimin e projektit IAP, që do të mundësojë gazifikimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit dhe krijimin e Unazës së Gazit të Komunitetit të Energjisë.
Krahas përfitimeve nga aktiviteti ndërtues, do të doja të përmendja edhe pjesën e investimeve sociale që TAP ka parashikuar për komunitete. Për zonat e banuara përgjatë gjurmës së gazsjellësit do të investohet në projekte sociale, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve.
Si është raporti i kompanive të huaja me ato shqiptare të angazhuara në këtë projekt deri tani? Si pritet të ndryshoje në të ardhmen? A i “penalizon” mungesa e përvojës kompanitë shqiptare?
Angazhimi i kompanive shqiptare në projekt është një tjetër ndikim shumë pozitiv i projektit në vend. Natyrshëm ndërtimi i një projekti të dimensioneve të tilla kërkon ekspertizë të specializuar për proceset e veta komplekse dhe nënkontraktorët kryesorë të TAP janë përzgjedhur në bazë të tenderëve të hapur ndërkombëtarë.
Garën për ndërtimin e paketës së parë të rrugëve dhe urave ndihmëse e fitoi bashkëpunimi i dy kompanive shqiptaro-italiane, ‘Gener 2 – Sicilsaldo’, me partner udhëheqës ‘Gener 2’. Kjo kompani me shumë sukses, ka plotësuar kërkesat e larta të TAP, duke realizuar punime shumë cilësore dhe duke treguar një performancë shumë të lartë të sigurisë teknike në punë, që është edhe përparësia numër një për TAP.
Punimet për ndërtimin e tubacionit do të kryhen nga kompania franceze ‘Spiecapag’, ndërkohë që ndërtimi i stacionit të kompresorëve dhe atij të matjes nga bashkimi i kompanive ‘Renco-Terna’.
Me përjashtim të proceseve shumë të specializuara, janë kompanitë shqiptare ato që po kryejnë punimet e tjera për ndërtimin e TAP. Krahas Gener 2, të sipërpërmendur, kompani të tjera shqiptare të përfshira në punimet kryesore janë: Abkons, për proceset e sigurimit të të drejtave të përdorimit të tokës; Diamant, për transportin e tubave të çelikut; Albstar, për ndërtimin e paketës së dytë të rrugëve ndihmëse; Avis dhe Odisea për transportin e personelit; dhe shumë kompani të tjera për ndërtimin e kampeve të punëtorëve, fushave për magazinimin e tubave, ndërtimin e kontejnerëve, etj.
Shumë kompani të tjera vendase ofrojnë shërbime juridike, konsulenca, projektime, IT, strehim (akomodim), restorante dhe shërbime të tjera.
Siç u shpreha edhe më lart, vetë ndërtimi i një projekti energjetik në Shqipëri, bashkëpunimi i ngushtë me shoqëri nga më të mirat e sektorit, në nivel ndërkombëtar, u jep shoqërive shqiptare me përvojë. Përveçse kanë përfitim ekonomik, ato po përfitojnë një përvojë që do t’u shërbejë në përmirësimin e standardeve të tyre dhe në krijimin e mundësive për t’u përfshirë në projekte të ngjashme në të ardhmen. Të punuarit për një projekt energjetik të këtyre përmasave është një CV e mirë për shoqëritë shqiptare që aktualisht po bëjnë një punë të shkëlqyer, duke e nderuar besimin e dhënë.
A ka një vlerë totale se sa do të jetë investimi i TAP në Shqipëri?
Pjesa e investimit të TAP në Shqipëri vlerësohet të jetë afërsisht në nivelin e 1.5 miliardë eurove. Në këtë përllogaritje përfshihet kostoja e blerjes së tubave, kompresorëve dhe pajisjeve të tjera jashtë vendit si dhe kostot e të gjitha punimeve të tjera që do të kryhen në vend.
Sa është aktualisht numri i punonjësve dhe sa parashikohet të rritet në vazhdim?
Prej fillimit të punimeve të ndërtimit të rrugëve dhe urave ndihmëse, në qershor të vitit të kaluar e deri më sot, numri i të punësuarve drejtpërdrejtë në punimet e projektit ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Aktualisht, në TAP dhe në nënkontraktorët e tij kryesorë punojnë me kohë të plotë më shumë se 1700 persona. Rreth 90% e punonjësve janë shqiptarë dhe një pjesë e mirë prej rajoneve ku kryhen punimet. Numri i të punësuarve do të vijë në rritje, duke qenë se ritmet e ndërtimit janë po ashtu në rritje.
Është e rëndësishme të theksohet se të gjithë punonjësit instruktohen, së pari me rregullat e sigurimit teknik. Për TAP, siguria është prioriteti numër një.
Shumë trajnime të tjera të punonjësve kryhen nga nënkontraktorët për drejtimin e makinerive, të pajisjeve dhe familjarizimin me proceset komplekse të projektit. Krahas kryerjes me sukses të detyrave në projekt, këto trajnime do të ndihmojnë në karrierat e tyre profesionale në të ardhmen.
Shpesh, qeveria shqiptare ka theksuar nevojën për rishikimin e marrëveshjes për sa u përket përfitimeve të Shqipërisë nga kalimi i projektit TAP. Madje, tashmë, dihet që kanë nisur negociatat mes palëve për këtë rishikim. Si po shkojnë këto negociata?
Shqipëria ka qenë në pararojë në mbështetjen e projektit TAP që në fazat e tij fillestare. Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votë unanime i pari Marrëveshjen me Vendin Pritës më 15/04/2013. Pjesë e kësaj marrëveshje ka qenë edhe mundësia e përmirësimeve në rast të diferencave me marrëveshjet e ngjashme që TAP do të nënshkruante në vijim me vendet e tjera.
Pas ndërtimit, gazsjellësi TAP do të funksionojë në Shqipëri për shumë dekada në vijim dhe për pasojë, marrëdhëniet afatgjata dhe të qëndrueshme janë shumë të rëndësishme. TAP gjithmonë ka shprehur vlerësimin maksimal për mbështetjen e palëkundur të palës shqiptare dhe aktualisht së bashku me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, si përfaqësuese e shtetit shqiptar, është në një proces konstruktiv për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme. Mbështetur në ecurinë e deritanishme, besoj se së shpejti do të mundet ta finalizojmë këtë proces.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.