Gati vendimi, krijohet Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, zëvendëson Drejtorinë e Emergjencave

28/11/2019 10:04 AM 0 komente
Foto: Associated Press

Është publikuar të mërkurën në mbrëmje në Fletoren Zyrtare vendimi “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”.

Ky mekanizëm do të zëvendësojë Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe është VKM e parë për plotësimin e kuadrit ligjor të ligjit të ri për mbrojtjen civile, të miratuar pak muaj më parë. https://www.monitor.al/ligji-i-ri-per-mbrojtjen-civile-krijohet-kaos-ne-administrimin-e-situates-me-termetet/

Vendimi rregullo Organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

Agjencia ka për mision zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe sigurimin e mbrojtjes civile në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo ka për detyre të organizojë punën për analizimin e vlerësimin e situatës së riskut nga fatkeqësitë natyrore, reduktimin e tij dhe mbrojtjen civile. Agjencia organizon punën për ngritjen e kapaciteteve tëstrukturave të mbrojtjes civile në nivel qendror e vendor, si dhe trajnimin e subjekteve private e vullnetare, nëpërmjet përgatitjes e zhvillimit të programeve të posaçme të trajnimit; Të zhvillojë procesin e inspektimit, duke garantuar respektimin e dispozitave të legjislacionit për mbrojtjen civile nga institucionet e strukturat shtetërore dhe subjektet private.

Veprimtaritë e saj janë:

  1. a) Vlerësimi i riskut nga fatkeqësitë;
  2. b) Mbrojtja civile në nivel kombëtar;
  3. c) Trajnimi i vazhdueshëm i strukturave shtetërore, i subjekteve private dhe i vullnetarëve;

ç) Inspektimi i zbatimit të dispozitave të legjislacionit për mbrojtjen civile në institucionet e strukturat shtetërore dhe subjektet private.

Vendimi parashikon dhe krijimin e Qendrave të mbrojtjes civile në qark (QMCQ) që janë struktura në varësi të Agjencisë, nën drejtimin e drejtorit të Përgjithshëm të saj, me seli në çdo qark, dhe përbëjnë rrjetin institucional të specializuar, që zbatojnë detyrat për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në qark.

Vendimi parashikon dhe dispozitat kalimtare të kalimit të Drejtorisë së Emergjencave Civile drejt kësaj agjencie të re. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, struktura aktuale vazhdon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar. Punonjësit, zyrat, ambientet e punës, mjetet, pajisjet, dokumentacioni dhe fondet buxhetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile i kalojnë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of