Gazsjellësi TAP nisi në fund të vitit të shkuar operacionet tregtare, duke ofruar për Shqipërinë një etapë të re në fushën e gazit. Qeveria, nga ana tjetër, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë amerikane Exxon Mobil dhe Excalerate Energy. Kjo garanton vënien në punë të Termocentralit të Vlorës, në konservim prej nëntë vitesh dhe kthimin e qytetit jugor në një qendër rajonale të shpërndarjes së gazit (GNL) që do të vijë nga SHBA. Gazi është mundësia në derën e Shqipërisë për të përfshirë Shqipërinë në hartën energjetike europiane, për të arritur diversifikimin, uljen e kostos e importeve, si dhe orientimin drejt energjisë së pastër. Në letra kemi vetëm kuadrin ligjor. Në infrastrukturë, asnjë zhvillim. Njohës të sektorit shprehen se është emergjente zhvillimi i saj dhe gjetja e mundësive për të afruar investitorë të cilët duan të angazhohen në këtë drejtim.
Nertila Maho
Thuajse gjithnjë kur është folur për energjinë, sytë janë hedhur në dy dekadat e fundit te hidrocentralet. Janë disa qindra kontrata koncesionare të HEC-eve, ku një pjesë e mirë edhe janë ndërtuar e kanë hyrë në punë. Pavarësisht kësaj, Shqipëria vazhdon të ndiejë peshën e importeve që i kushtojnë jo pak, sa herë kushtet hidrologjike nuk janë të favorshme. Nga ana tjetër, është presioni i konventave e kërkesave që u imponohen vendeve globalisht, për të ulur ndotjen e për të shkuar drejt energjisë së pastër.
E në këto kohë, kur debati vërtitet rreth uljes së kostove, rritjes së sigurisë energjetike e përmbushjes së kërkesave, duket se për Shqipërinë, jo për hir të përpjekjeve të saj, më shumë sesa çështje fati, ka ardhur në derë mundësia e shfrytëzimit të gazit.
Kjo është thënë e stërthënë prej kohësh, që nga momenti kur u vendos se Gazsjellësi Trans-Adriatik, do të ishte projekti i përzgjedhur për të transmetuar gazin nga Azerbajxhani drejt Europës dhe ai kalon përmes Shqipërisë. Projekti ka përfunduar dhe prej disa muajsh ka nisur operacionet tregtare, duke e bërë mundësinë e përfitimit edhe më reale. Mundësia tjetër në derën tonë është një “angazhim amerikan”.
Në një intervistë të pak kohëve më parë John Jovanovic, drejtori i zyrës së përhershme të Korporatës Ndërkombëtare të Zhvillimit Financiar (DFC) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qendër në Beograd, nënvizoi se “një projekt specifik që ne po mbështesim në Shqipëri është plani për të kthyer Vlorën në një impiant energjie të gazit natyror, të mundësuar nga furnizimi me gaz nga Shtetet e Bashkuara”.
Pak javë pas deklaratës, u bë publike edhe marrëveshja e qeverisë shqiptare me kompanitë ExxonMobil dhe Excelerate Energy për vënien në punë të Termocentralit të Vlorës. U fol edhe mbi mundësinë që Vlora të kthehet në një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit, i cili do të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë është radha e Shqipërisë të bëjë lëvizjet e duhura për të përfituar nga këto mundësi.
Përfitimet që sjell gazsjellësi TAP për Shqipërinë
Gazsjellësi TAP është investimi më i madh i huaj në vend, me vlerë 1.5 miliardë euro. Punimet e para të TAP nisën në Selanik në vitin 2016 dhe në vitin 2020 u shënua përfundimi i tyre për gjithë gjurmën prej 878 kilometrash. Ai kalon në tre shtete: në Greqi, në 550 kilometra; Shqipëri, 215 kilometra, nën detin Adriatik 105 kilometra dhe në brigjet e Italisë, 8 kilometra. Aksionerët e gazsjellësit përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Për Shqipërinë, një projekt i këtyre dimensioneve përbënte një mundësi për përfshirjen në hartën energjetike europiane dhe një përfitim direkt ekonomik. Malfor Nuri, Menaxher i TAP për Shqipërinë, shprehet se përfitimet e Shqipërisë nga TAP janë të shumëfishta.
“TAP pozicionon Shqipërinë në hartën energjetike të Europës dhe rrit rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit, duke kontribuar në integrimin tregtar dhe fizik të Shqipërisë në Europë.
Prania e TAP nxiti zhvillimin social-ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, kryesisht gjatë fazës së punimeve të ndërtimit të projektit, ndau know-how si i pari projekt në llojin e vet në Shqipëri. Ne gjithashtu rehabilituam 220 km rrugë dhe përforcuam ura, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rrugë.
Fillimi i operimit tregtar të TAP është një arritje historike për ofertën energjetike të Europës dhe të Shqipërisë. TAP kontribuon në zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend dhe tregut të brendshëm të energjetikës” – shprehet z. Nuri.
Projekti për terminalin e gazit në Vlorë dhe vënia në punë e TEC-it
Në muajin mars, qeveria shqiptare njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me kompaninë amerikanë Exxon Mobile, e cila ka marrë përsipër riparimin defektit të sistemit të ftohjes dhe vënien në punë të Termocentralit të Vlorës. Ky i fundit, prej nëntë vitesh, mbetet në konservim dhe nuk ka prodhuar asnjë ditë energji. Ka një kapacitet të instaluar 98 MW dhe i ka kushtuar Shqipërisë 100 milionë euro.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një dalje të saj pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë amerikane, tha se ky hap e shndërron Vlorën në një qendër rajonale.
“MIE angazhohet të bashkëpunojë me Exxon Mobil dhe Excalerate Energy duke parë aspektet tregtare ekonomike, rregullatore për të sjellë gazin e lëngshëm natyror në Shqipëri. Kjo përfshin të gjithë zinxhirin nga gazi i lëngshëm natyror, nga konvertimi në terminalin e rigazifikimit për shpërndarjen në një shkallë të vogël të gazit të lëngshëm natyror, duke e shndërruar Vlorën në një qendër rajonale. Qeveria shqiptare është entuziaste për ta eksploruar këtë mundësi me dy liderë të energjisë. Presim me padurim që të punojmë së bashku dhe ta shohim këtë projekt të realizuar” – do të shprehej Balluku.
Ndërtimi i një terminali për shpërndarjen e gazit natyror të lëngët GNL shihet pozitivist edhe nga ekspertë të fushës që njohin sektorin energjetik dhe atë të gazit. Shkëlqim Bozgo e sheh qasjen e Shqipërisë për të pasur një terminal, si një mundësi të mirë, e cila mbi të gjitha rrit edhe konkurrencën në rajon.
“Realizimi i projektit të parashikuar në marrëveshje, jo vetëm që do të mundësojë vënien në punë të TEC-it të Vlorës, por do të sigurojë një burim të ri të furnizimit me gaz të vendit, siç është ajo e teknologjisë së Gazit Natyror të Lëngët (GNL) duke rritur sigurinë e furnizimit me gaz dhe konkurrencën në këtë sektor. Nga ana tjetër, projekti do të nxisë zhvillimin rrjetit të gazit në Shqipëri dhe lidhjen e shkëmbimet me sistemet e rajonit.
Greqia ka rritur kapacitetet e importit të GNL nëpërmjet zgjerimit të terminalit në ishullin Ravithousa, ndërkohë që është në ndërtim një terminal i ri notues (FSRU) në Alexandopoulis. Kroacia ka ndërtuar një impiant të GNL në ishullin Krk. Krahas ndërtimit të tubacioneve të reja, ka edhe një rritje të rëndësishme të kapaciteteve të GNL-së në rajon. Ky është tregues i konkurrencës në rritje në rajon, por nuk e zbeh rëndësinë e projektit të terminalit të ri të GNL-së në Vlorë, pasi Vlora ndodhet shumë larg të tre terminaleve të sipërpërmendura” pohon Bozgo.
Gazifikimi, nevoja më emergjente e Shqipërisë lidhet me infrastrukturën
Në vitin 2017, Shqipëria përfundoi dhe publikoi Masterplanin e Gazit i cili, ndër të tjera, zbulonte edhe linjat e para të gazit që kanë logjikë ekonomike për t’u ndërtuar. Por që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë avancim konkret në krijimin e infrastrukturës për të shkruar drejt gazifikimit dhe rregullimet e vetme kanë qenë në kuadrin ligjor. Çfarë parashikonte në fakt Masterplani lidhur me projektet e para që mund të zbatoheshin. Investimi i parë prioritar, sipas këtij dokumenti të hartuar me ndihmën financiare të Bashkimit Europian, ishte ai i tubacionit nga TAP afër Fierit në Termocentralin e Vlorës. Linja vlerësohej 40 kilometra e gjatë dhe me kosto 15 milionë euro.
Tanimë që Termocentrali i Vlorës është marrë përsipër nga kompanitë amerikane dhe nga gazi që do të vijë nga SHBA, projekti duket se mbetet i paqartë nëse do të zhvillohet apo jo. Projekti i dytë, i identifikuar nga masterplani ishte tubacioni Fier-Ballsh, me gjatësi 39 kilometra dhe me kosto 11 milionë euro. Projekti rezultonte, sipas masterplanit, me logjikë ekonomike, pasi në këtë rajon ishte e vendosur industria e lidhur me naftën, kryesisht ajo nxjerrëse dhe përpunuese ku janë rafineritë. Rrjeti i shpërndarjes në zonat urbane të këtij rajoni vlerësohet se kushton 69 milionë euro.
Projekti i tretë është Tiranë-Durrës. Kostoja e kësaj linje transmetimi vlerësohej në 11 milionë euro dhe me gjatësi 35 kilometra.
Pavarësisht këtyre projekteve prioritare në letër, deri më tani, në sistemin e transmetimit të gazit nuk është bërë asnjë investim. Pikërisht infrastruktura vlerësohet se ka nevojë emergjente që të zhvillohet, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë nga mundësitë që i ofrohen nga gazsjellësi TAP dhe gazi që do të vijë nga SHBA. Krijimi i kësaj infrastrukture ka kosto të larta, gjë që kufizon zbatimin e projekteve konkrete, por alternativat nuk mungojnë.
“Sfida parësore në zhvillimin e sektorit të gazit është ndërtimi i infrastrukturës, e cila është e kushtueshme. Për pasojë, në situatën aktuale, nuk është aq kritik krijimi i kuadrit rregullator sesa krijimi i kushteve lehtësuese për thithjen e investimeve për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Parë në këtë këndvështrim, i takon Albgaz në rolin e vet si OST, të synojë realizimin e projektit për ndërtimin e tubacionit Seman, Fier – TEC Vlorë, i cili do të duhet të mbështetet me anë të një garancie sovrane. Zhvillimi do të mundësonte që Albgaz të konsolidonte veprimtarinë e tij, duke luajtur rolin e vet dhe duke rritur peshën në sektor” – shprehet z. Bozgo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.