Gazsjellësi TAP ishte fillesa për planet e Shqipërisë për një mundësi gazifikimi. Për këtë, më pas u hartua edhe një masterplan i gjerë, i cili sugjeronte linjat fizibël, mundësitë e përdorimit të gazit për uzina plehrash kimike apo edhe për termocentrale të reja.
Por gazifikimi nuk lë jashtë përdoruesve edhe kategorinë e individëve apo bizneseve. E në këto kushte, Enti Rregullator i Energjisë ka qenë i angazhuar në hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor që do të rregullojë marrëdhënien në sektorin e gazit mes furnizuesve dhe klientëve fundorë qofshin biznese apo qytetarë.
Në këtë kontekst, së fundmi janë miratuar rregullat e përgjithshme të shërbimit të furnizimit me gaz, duke përcaktuar mënyrën sesi do të bëhet matja e gazit që klienti fundor ka përdorur, mënyra sesi do të bëhet faturimi apo masat që do të merren në rastet kur detyrimet nuk shlyhen në kohë.
Pak a shumë, skema është e njëjtë sikurse veprohet sot me furnizimin dhe faturimin për energjinë elektrike.
Furnizuesi do të ketë detyrimin që të kontaktojë aplikuesin që kërkon të lidhë një kontratë furnizimi me gaz brenda 15 ditëve nga data e bërjes së kërkesës. Në rastet kur konstatohet mungesë dokumentacioni brenda shtatë ditëve duhet që furnizuesi të lidhet me klientin. Kontrata lidhet për një afat të caktuar mbi të cilin bien dakord palët. Për çdo paqartësi, furnizuesi i gazit duhet të ketë pikat e tij të informacionit, ku duhet të jepen detaje për paqartësitë që mund të kenë konsumatorët.
Çmimi që paguhet për gazin nuk mund të ndryshojë pa njoftimin e konsumatorit. Në rastin kur kjo ndodh, kompania duhet ta bëjë njoftimin15 ditë para aplikimit të çmimit të ri.
Furnizuesi do të bëjë leximin periodik të matësit të gazit natyror të Klientit për një periudhë kohore, siç rënë dakord në kontratën e nënshkruar nga palët dhe do t’i dërgojë Klientit në adresën e dhënë në kontratë, faturën tip të gazit natyror, brenda 10 ditëve nga data e leximit. Po kështu ky i fundit duhet të ofrojë për konsumatorin mundësinë e aksesit të faturës online.
Në rastet kur konstatohet dëmtim i matësit të gazit, atëherë faturimi bëhet mbi të dhënat historike të konsumatorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.