Gazifikimi dhe pozita e re e Shqipërisë nën dritën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike ishte në qendër të vëmendjes këtë të hënë.
Një memorandum bashkëpunimi mes kompanisë publike të gazit Albgaz dhe asaj Bullgare Overgas si dhe kompaninë amerikane Linden Energy nënshkruar në Tiranë vuri theksin tek rëndësia që ka projekti që po zhvillohet në Vlorë me mbështetjen e SHBA-ve.
Gjatë fjalës së saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se çdo ditë më shumë po marrin rëndësi të veçantë pjesa e projektit të termocentralit të Vlorës si dhe të pjesës gazfikuese të portit lundrues që do të ndërtohet në Vlorë që synimi tani është të kthehen në projeke rajonalë.
“Ne kemi pasur një shprehje dëshire për bashkëpunim nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Dua të theksoj se projektit tonë i afrohen dhe partner të tjerë në SHBA siç është Linden Energy dhe sot ndjehemi të nderuar që kemi interesin bashkëpunim dhe për të firmosur një memorandum për bashkëpunimin për ta zhvilluar këtë projekt dhe më tej asaj çfarë kemi në biznes planin aktual. Kemi nisur një punë paraprake gjatë një takimi që kemi pasur në Huston.
Albagaz është angazhuar duke i dhënë një hap më tej këtij bashkëpunimi duke finalizuar këtë memorandum. Fakti që sekretari Pompeo është këtu sot për të dëshmuar se ky do të jetë një bashkëpunim serioz. Në të ardhmen mund të kthehet në një bashkëpunim real që do të shërbejë jo vetëm në shtetet që unë përmenda por sigurisht edhe më tej siç është rasti i Overgaz-it bullgar i cili sot për shkak të gjithë gjeopolitikës dhe zhvillime që po ndodhin po has vështirësi që në të ardhmen do të mitigohen dhe do të zgjidhen përmes këtyre projekteve rajonale ku Shqipëria luan një rol të rëndësishëm.
Kur kemi nisur këtë projekt kemi qenë disi skeptikë sesi një vend i vogël si Shqipëria do të tërhiqte investitorë si Exxon Mobil apo Exelerate e Linden por situata ka ndryshuar. Të gjitha zhvillimet gjeopolitike e kanë vënë Shqipërinë në një pozicion më të fortë për shkak të gjeografisë që ka por edhe prej aderimit në NATO dhe gjithë marrëdhënies strategjike që ne kemi prej vitesh me SHBA.
Kështu që ai hap që hodhëm me skepticizëm sot po kthehet në një hap të rëndësishëm për të gjithë Ballkanin. Ai tregu i vogël që ne shihnim me skepticizëm tashmë shihet si një treg me 17 milionë qytetarë që mund t’i drejtohen shërbimeve që janë të lidhura me gazin në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Balluku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.