Gazeta “Panorama”, Nertila Maho/ Kompania më e madhe e energjisë në Itali, “Enel”, ka shprehur interesin e saj për t’u bërë pjesë e projektit transadriatik të transportit të gazit TAP. Në një deklaratë të bërë në media, drejtuesi i “Enel”, Fulvio Konti, është shprehur se “’Enel’ është i interesuar për projekte që i sjellin gaz vendit”. Pyetjes nëse “Enel” ka parasysh edhe TAP për këtë aspekt, ai i është përgjigjur shkurt, “sigurisht”, duke lënë kështu të kuptohet që “Enel” shumë shpejt mund të bëjë edhe blerje të aksioneve. “Reuters” raporton se mbështetja që mund të marrë projekti TAP nga përfshira në gjirin e saj edhe të kompanive vendëse italiane mund të kalojë atë që analistët e kanë quajtur si pikë të dobët. Me shumë mundësi, kompania italiane “Enel” mund të blejë deri në 10-15 për qind të aksioneve të këtij projekti. Përmes gazsjellësit transadriatik synohet që të transportohet gaz nga zona Kaspike në Italinë Jugore, përmes kalimit në disa vende me një kapacitet fillestar vjetor, prej 10 miliardë metër kub. Kjo masë mund të dyfishohet si pjesë e tendencës së Bashkimit Europian për të ulur vartësinë që ka nga gazi i Rusisë. Një javë më parë ishte pikërisht ministri i Industrisë së Italisë, Corrado Passera, i cili u shpreh se është e rëndësishme që një kompani italiane të përfshihej në një nga projektet që synojnë transportin e gazit të Kaspikut, dhe duket se në këtë aspekt “Enel” ka qenë kompania e nënkuptuar, e cila kontrollohet nga shteti. TAP është i vetmi projekt kyç i transportit të gazit, që deri më tani nuk ka në përbërjen e aksionerëve kompani italiane. Sponsorët e këtij gazsjellësi janë zvicerania “EGL”, gjermania “E.ON AG” dhe norvegjezja “Statoil”. Në një njoftim të pak ditëve më parë, TAP njoftoi se i ka dorëzuar Ministrisë së Mjedisit të Italisë studimin për impaktin social dhe mjedisor që do të ketë gazsjellësi, duke e afruar kështu edhe më realizimin e projektit. Pas eliminimit të projektit grek “ITGI”, një variant atraktiv për konsorciumin Shah Deniz duket se mbetet projekti transadriatik TAP që përfshin Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë. Lidhur me vendin tonë, nga ana e institucioneve është deklaruar se kanë filluar negociatat ekskluzive dhe nga janë përcaktuar edhe aktet rregulluese për projektin e gazit nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Gazsjellësi transadriatik është planifikuar të jetë 800 kilometra i gjatë, nga të cilat, rreth 478 kilometra kalojnë në Greqi, 204 në Shqipëri, jashtë bregut nëpër Adriatik 150 kilometra dhe në Itali 4 kilometra. Transporti do të fillojë nga kufiri greko-turk (Komotini), do të kalojë në Shqipëri, më pas në det dhe do të lidhet me sistemin e shpërndarjes së gazit natyror “San Foca” në Itali.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.