Gazsjellësi TAP, përfundojnë 97% e punimeve, por lë pas një hendek në investime

14/08/2020 11:00 AM 0 komente

Gazsjellësi TAP, i cili do të transmetojë gaz nëpërmjet Shqipërisë nga fushat Shah Deniz në Azerbajxhan në tregjet e Europës ka përfunduar 97 për qind të punimeve, bëjnë te ditur burimet zyrtare nga kompania.

Investimi prej rreth 1,5 miliardë eurosh në pjesën shqiptare, përfaqëson vlerën më të madhe të investuar nga një projekt i huaj deri më tani. Shqipëria synon të rrisë përfitimet nga ky gazsjellës, në rast se arrin të shtrijë një rrjet të brendshëm transmetimi që të realizojnë furnizime të gazit me çmim të lirë.

Përfundimi i projektit TAP ka lënë një hendek në ekonominë shqiptare, për shkak se mungesa e kontratave të mëdha të investimeve nuk ka qenë e mundur vitet e fundit. Pandemia Covid-19 e ka përkeqësuar më tej klimën për investitorët e huaj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e private ranë me 17 për qind në tremujorin e parë të vitit.

Burimet zyrtare nga projekti sqarojnë se, realizimi 97 për qind i punimeve përfshin të gjithë fushën e inxhinierisë, prokurimeve si dhe ecurinë sipas 12 hapave të ndërtimit të tubacionit në pjesën tokësore, ndërtimin e impianteve mbi sipërfaqe (stacionet e valvulave të bllokimit, stacionet e kompresorëve dhe terminalin pritës të gazsjellësit) si dhe ndërtimin e instalimin e pjesës detare të gazsjellësit.

Pjesa tokësore e TAP-it ka një gjatësi të përgjithshme prej rreth 773 km (Greqi 550 km; Shqipëri 205 km; itali 8 km).

Ai shënon pikën më të lartë në 1.800 m në Shqipëri dhe pikën më të ulët 820 m në thellësi të Adriatikut.

Kapaciteti prodhues i TAP-it është parashikuar në 10 bcm/vit gaz, mjaftueshëm për të furnizuar rreth 7 milionë familje. Ndërkohë, tubacionet e këtij gazësjellësi shënojnë diametrin 1,2 m (48 inç) në pjesën tokësore dhe 0,91 m (36 inç) në pjesën detare.

Dy stacionet e kompresorëve, njëri në afërsi të Kipoit në Greqi dhe tjetri në bregdetin shqiptar në afërsi të Fierit, do të përdoren për të siguruar transportimin e gazit përmes gazsjellësit. Për zgjerimin e kapacitetit në 20 bcm në vit në të ardhme, do të jetë e nevojshme të ndërtohen dy stacione të reja kompresorësh, një Bilisht të Shqipërisë dhe në Serres të Greqisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of