Gazsjellësi TAP shtrin tubat e parë në ujërat shqiptare

05/04/2019 11:45 AM 0 komente

 Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) realizoi me sukses tërheqjen në breg të tubacionit të parë nënujor që shtrihet në Shqipëri.

Saipem, kontraktori i TAP përgjegjës për inxhinierinë, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin e seksionit detar, po përdor për këtë proces anijen Castoro 10. Tubat u salduan në bordin e anijes, e cila ndodhej 1.4 km nga bregu i detit. Saldimet më pas u testuan dhe tubacioni u ul në shtratin e detit. 1.8 kilometrat e para të tubacionit të salduar u tërhoqën drejt bregut, në pikën e daljes në det në afërsi të Fierit.

Anija Castoro 10, me gjatësi 139 metra dhe gjerësi 31 metra, po vazhdon në Shqipëri punimet për shtrirjen e tubacionin në ujërat e cekët dhe instalimin e fibrës optike. Gjithashtu po punohet për mbulimin e tubacionit në det dhe në breg.

Punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri filluan në tetor të vitit të kaluar. Seksioni detar i TAP, që bashkon bregun shqiptar me atë italian, është i gjatë 105 km.

Tubat do të shtrihen në shtratin e detit Adriatik: 37 km në ujërat territoriale të Shqipërisë; 25 km në ujërat territoriale të Italisë; dhe 43 km në ujërat ndërkombëtar. Pika më e thellë e gazsjellësit do të jetë më shumë se 810 metra nën nivelin e detit. Për ndërtimin e seksionit detar do të përdoren rreth 9’000 tuba, me diametër 36 inç (0.91 m), të cilët në total peshojnë afërsisht 100,000 tonë.

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane.

TAP-i nxit zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai është një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Tashmë që sasia e parë e gazit po transportohet drejt Gjeorgjisë dhe Turqisë, sasia e parë e gazit në Evropë do të arrijë në vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of