Fotografi Gent Shkullaku lindi në Tiranë në vitin 1975. Ai më 1995 mbaron studimet e mesme për kitarë nën drejtimin e pedagogut e kitaristit të njohur Genc DASHI. Më pas, krahas mbarimit të studimeve për gazetari, fillon karrierën si fotograf i gazetës “Koha Jonë” (1995-97), në Agjensinë Telegrafike Shqiptare (1997-98) e më tej bashkëpunon me revistën kulturore “KLAN” deri sa krijon agjencinë private të lajmeve LSA (Light Studio Agency). Më 2003 emërohet fotograf i AFP-së- agjencisë franceze të lajmeve-, në Tiranë. Gent Shkullaku gjatë krijimtarisë 10 vjeçare në fushën e fotografisë ka krijuar figurën e një fotografi i prirur të realizojë fotografinë dokumentare (News), Peizazhin dhe fotografinë me model në studio.Në fotografinë dokumentare të Shkullakut ndihet prirja e tij drejt pasqyrimit të foto – lajmit, ku mbizotëron prirja për vërtetësi e përqendrim të ngjarjes “së çastit”. Elementi personazh (njeri) në “lëvizje veprim”, tek Shkullaku herë del në plan të parë (Demokracia) dhe herë zhvendoset në plan të dytë (Përplasje Lushnjë). Në fotografitë me pamje nga natyra peizazhi shqiptar, Shkullaku shfaq prirje më poetike dhe ndihet mbizotërimi i hapësirës në imazhin e pasqyruar. Në këto foto (Bora) ndihet prioriteti që Shkullaku i “ofron” shikuesit me fokusin e aparatit të tij “emocionit goditës” të menjëhershëm. Në gjetjen e bukurisë së peizazhit (motivit), nuk mungon figura njerëzore, por ajo tashmë lëviz me shpinë nga spektatori drejt brendësisë së imazhit. Në këto vepra fotografike Shkullaku trasmeton me mjaft mjeshtëri emocionin e lojës së dritës së diellit me objektet, pastërtinë e detajit dhe “ruajtjes” së ajrit në imazhin fotografik (peizazh). Në veprat e tjera fotografike, që fotografi Shkullaku ka realizuar mbi objektet fluturues në lëvizje (parashuta në perëndim), vërejmë përveç mjeshtërisë së lartë profesionale dhe kujdesin e tij në paraqitjen sa më estetike të imazhit të ndërthurur: njeri – “peizazh”.Një cikël tjetër që Shkullaku ka lëvruar gjatë krijimtarisë së tij janë padyshim dhe realizimet e fotomodeleve, fushë kjo e fotografisë aktuale shqiptare, që po merr nga dita në ditë përparësi nga disa studio fotografike. Në ciklin “Ledina”, Gent Shkullaku përqendon objektivin e aparatit të tij në evidentimin e bukurisë së modelit, element ky mjaft i rëndësishëm në realizimet e fotove në studio, ku punohet me projektorë, ku prioritet merr veçanërisht kompozimi i lëvizjeve të figurës, detajeve të portretit e që gjithmonë realizohen nën kujdesin e fotografit. Cikli “Ledina” shpalos mjeshtrinë e Shkullakut për paraqitjen e natyrshmërisë së lëvizjeve, shikimit dhe veshjeve elegante. Shkullaku krijon tek cikli në fjalë komunikim me spektatorin dhe ngrohtësi në kalimet hije-dritë të figurës që paraqitet e fragmentuar dhe e përqendruar në detajet e nevojshme të përzgjedhura nga artisti fotograf. Edhe nga ana koloristike, Shkullaku mban një gamë të ngrohtë e pa kontraste. Ai priret të sjellë para publikut fotografi me mjaft “sharm” duke preferuar “gjuhën e butë” të dritë hijes, por me mjaft elegancë.Gent Shkullaku për lexuesin e “Monitor” ka ofruar 9 foto të tij të realizura në vitet 1997, 2003 dhe 2005.Çmimet e fotografive të Gent Shkullakut variojnë nga 200 – 400 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.