Ka një ide të gabuar se skulptura është një nga gjinitë e artit vizual të vendit tonë, e cila ka nisur të aplikohet në fillimet e viteve ’30 të shekullit të kaluar.
Në të vërtetë, skulptura ka shoqëruar tërë historinë e zhvillimeve të shoqërisë sonë, që nga antikiteti, aplikimet mesjetare dhe atë të traditës në zejtari, duke krijuar një shtrat të shëndetshëm në zhvillimin e këtij mediumi.
Disa breza skulptorësh u formuan dhe kontribuuan shekullin e kaluar,deri sa arritëm në vitet ’90-të, kur u krijua dhe një perceptim i gabuar se pas mjeshtërve që krijuan veprat monumentaletë epokës së realizmit socialist, do të kishim një boshllëk krijimtarie të parikuperueshme, shoqëruar kjo dhe me një tendencë nihilizmi ndaj artistëve të rinj.
Por pas një dekade të amullisë kulturore, u pa se një brez i ri skulptorësh dolën në skenë, duke rivitalizuar këtë medium.
Gentian Tabaku është pikërisht një nga këta krijues të rinj,të cilët po evidentohen në dy dekadat e fundit, si një krijues i cili eksploron të dy zhanret skulpturore, atë në eksterier dhe interier.
Gentian Tabaku u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku dhe është pjesë e stafit pedagogjik të saj në degën e skulpturës.
Ai është realizues i një sërë monumenteve të hapësirës, siç është monumenti i Presidentit Uillson në sheshin “Uillson”në Tiranë, si dhe fitues i disa konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare të skulpturës së eksterierit.
Ai kamarrë pjesë në një numër të gjerë ekspozitash brenda dhe jashtë vendit, duke krijuar një fizionomi të tijën në mediumin e skulpturës.
Krijimtaria e Gentian Tabakut përshkruhet nga një fill i rrëfimtarisë alegorike, ku personazhet, ashtu si te rrëfenjat e artistit të madh Flander Heronimus Bosch, transformohen në simbioza strukturale të udhëtimit subkoshiencial të karaktereve.
Përmasat e raporteve të dimensioneve në veprat e tij kthehen në një armë,të cilën ai arrin ta përdorë me efikasitet, duke e endur elementin narracional me një frymë metafizike, ku natyra strukturaliste e ndërtimit të saj, organikisht kthehet në një element të pandashëm të vetë personazheve, madje duke mos jetuar dot pa të.
Përmasat e veprave të tij janë të adoptueshme, si për një hapësirë modeste, gjithashtu dhe për ambiente të përmasave monumentale.
Është koncepti i ndërtimit të formave, i cili e bën veprën e tij sa intriguese, por dhe aq të këndshme, duke krijuar një sërë labirintesh të formës ku delikatesa e thyerjes së lehtë të dritëhijeve bashkëjeton më së miri me thyerjet brutale, ku volumet kthehen në protagonistë të veprës, duke marrë përsipër të përfaqësojnë atë.
Është për t’u përmendur se vizatimet e tij fillestare në ndërtimet e volumeve arrijnë të na gjenerojnë një koncept të qartë të lojës tredimensionale, e cila udhëhiqet drejt një shtegu metafizik, që krijon një intrigë eklipsuese në lojën e saj me hapësirën.
Një hapësirë, e cila tashmë,nëpërmjet zbrazëtisë që shoqëria sot e ka lënë të braktisur, është në kërkim të bashkëbisedimit me volumet.
Gentjan Tabaku njeh plastikën, volumet, kompozimin, marrëdhënien e figurës me hapësirën në interier dhe eksterier, duke krijuar një volum punësh që tashmë e kanë konsoliduar emrin e tij, ndër artistët më të njohur.
Forca e volumeve ka një dinamikë eksplozive, me natyrë strukturaliste, por në të njëjtën kohë delikate, ku në momentetë caktuara ndërhyn edhe me elemente të miniaturës.
Në krijimtarinë e tij nuk duhet harruar dhe një vepër tejet elegante, krijuar për Lungomaren e Vlorës, përmes seleksionimit të njëkonkursi organizuar nga Këshilli i Europës, ku Gentian Tabaku me strukturën skulptorike menatyrë aplikative, ka arritur të ndërtojë një vepër sa elegante, po dhe aq monumentale, duke u kthyer dhe në një pikë referimi për banorët dhe pushuesit.
Skulptura e parkut sot ka nevojë për të tilla ndërhyrje dhe mendoj se Gentian Tabaku ka arritur të na transmetojë më të mirën e kësaj tendence. Shpresojmë se të tjera do ta ndjekin, pasi vepra e tij arriti t’i mbijetojë kohës, por edhe ka zënë vendin e duhur.
Me përvojën tashmë të gjatë në skulpturë, ai ka arritur të zotërojë mjeshtërinë e plastikës,të cilën di ta shfrytëzojë me efikasitet në momentet e kërkuara, ku koshienca e tij artistike prevalon si një shenjë maturimi, i një artisti të kompletuar.
Revista “Monitor” ofron për lexuesit e saj disa nga veprat e Gentian Tabakut.
Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.