Gerxhaliu: Politika dhe ligji, problemet më të mëdha për bizneset e Kosovës

06/02/2021 10:04 PM 0 komente

Intervistë me ekspertin e ekonomisë dhe ish-drejtorin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu

 

Është një situatë, vërtet shqetësuese, por dua të besoj që shumë politikëbërës në Kosovë do ta kuptojnë që interesat e shtetit nuk mund të jenë interesa të partive politike ose të grupeve të caktuara.

Prandaj për ekonominë është koha të bëhet më tepër sesa të flitet sepse në këto momente, nuk kemi hapësirë për kënaqësi me ato që i ofrohen biznesit. Monopolet, pabarazitë, mungesa e investimeve të huaja, paqëndrueshmëria politike, problemet me rendin dhe ligjin, janë disa nga vështirësitë me të cilat përballen bizneset e Kosovës.

Eksperti i ekonomisë dhe ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka folur për “Monitor” lidhur me problemet dhe sfidat që përballën çdo ditë bizneset në Kosovë. Gerxhaliu u shpreh se qeveritë, që kanë drejtuar shtetin, kanë bërë pak për të krijuar klimë të mirë për të bërë biznes. Ai thotë se kompanitë e mëdha, por edhe ato të vogla, përballen me barriera të shumta.

“Besoj se, krah mungesës së rendit dhe ligjit, duhet të kemi stabilitet politik, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për ekonominë”, thotë mes të tjerash Gerxhaliu.

 

A ofron, sipas jush, Kosova hapësirë dhe kushte të mjaftueshme për bizneset dhe kompanitë, dhe me çfarë problemesh përballen ato më së shumti?

Është e vërtetë se në qoftë i analizoni tendencat ekonomike në Kosovë do të gjeni hapësirë për të përmirësuar ose për të avancuar ambientin e biznesit. Le të kuptohet që në ekonomi të tranzicionit, ne mund të identifikojmë probleme dhe sfida të shumta, por kuptohet se një ndër brengat kryesore është mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit.

Kemi monopole, pabarazi dhe në këtë drejtim dëmtohen bizneset në dy forma: në aspektin e brendshëm dëmtohen bizneset vendase dhe në aspektin e jashtëm, imazhi i Kosovës është mjaft i dëmtuar. Në këtë drejtim është e pamundur të shihet se do të kemi investime dhe investitorë të huaj, në veçanti një situatë të tillë ku kemi mungesë të sundimit të ligjit e demotivon diasporën tonë.

Për këtë arsye besoj se është koha kur duhet të bëhet më shumë sesa veç të flitet për ekonominë dhe duhet të kuptojmë që nuk mund të flasim për procese ekonomike pozitive në këtë situatë, ku nuk ka unitet e as stabilitet politik. Besoj se krah mungesës së rendit dhe ligjit duhet të kemi stabilitet politik, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për ekonominë.

Është një situatë, vërtet shqetësuese, por dua të besoj që shumë politikëbërës në Kosovë do ta kuptojnë që interesat e shtetit nuk mund të jenë interesa të partive politike ose të grupeve të caktuara. Prandaj për ekonominë është koha të bëhet më tepër sesa të flitet sepse në këto momente, nuk kemi hapësirë për kënaqësi me ato që i ofrohen biznesit.

 

A e ka Kosova modelin ekonomik të mirë dhe çfarë duhet të ndryshohet?

Nëse i analizoni treguesit ekonomikë, investimet e huaja, këmbimin tregtar, renditjen e të bërit biznes në Bankën Botërore ose FMN, e shihni që Kosova është larg një strategjie të dëshiruar. E them këtë në bazë të faktit se shumë vende të rajonit bëjnë çmos dhe kanë diplomaci ekonomike në funksion të shtetit, jo vetëm duke e mbështetur shtetin dhe duke mbrojtur interesat e shtetit, por duke përmirësuar imazhin. Strategjia aktuale në Kosovë mund të quhet gjithçka tjetër, por jo ekonomike, sepse ajo që dominon në Kosovë është axhenda politike, një luftë e paskrupullt pozitë – opozitë, por edhe më i paskrupullt mes partnerëve të koalicionit.

Në këtë drejtim por edhe t’i kemi strategjitë më të avancuara për zhvillim ekonomik, ato do të dështonin në zbatim, pasi kjo axhendë politike dhe mungesë të unitetit politik e prish imazhin. Ju po e shihni që sot globalizmi i ka minimizuar distancat, lajmet e këqija janë lajm dhe lajmet e mira nuk janë lajm. Domethënë, faktikisht në Kosovë po prodhohen më shumë lajmet e këqija se sa të mira. Kjo e dëmton në masë të pakontrolluar imazhin e vendit dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik.

 

Sipas jush, cilët janë sektorët që mbështesin më së shumti rritjen e ekonomisë dhe punësimit në Kosovë?

Në qoftë se analizoni indikatorët ekonomikë të vendeve të rajonit do të shihni se shumë prej tyre kanë bërë hapa përpara në përmirësim të bilancit në drejtim të pagesave, që domethënë rritje e madhe të eksportit. Ju po e shihni që Serbia ka 16 miliardë euro eksporte, Maqedonia e Veriut 5.3 miliardë, dhe kjo e dëshmon që prodhimi duhet të jetë prioritet. Ajo që e karakterizon Kosovën është tregtia, gastronomia dhe çalon prodhimi. E në këtë aspekt duhet bërë më shumë, të shtohet prodhimtaria, të shtohet cilësia dhe mbështetja.

Duhet të mbështetet edhe ndërtimtaria, sepse aty gërshetohen proceset ekonomike që janë të rëndësishme, sepse ndërtimtaria nuk është vetëm ajo që ndërton, por edhe prodhon, projekton dhe shfrytëzon edhe prodhime vendase, transaksione financiare, atraksion për diasporën. Kuptohet që edhe dixhitalizimi duhet të jetë përparësi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ketë vende të reja të punës, por mbi të gjitha duhet të kemi depolitizim të ekonomisë që ekspertiza dhe fizibiliteti të zhvillohen.

 

Prej disa muajsh jemi duke u përballur me pandeminë COVID, sipas jush, sa e ka dëmtuar ekonominë e Kosovës kjo situatë?

Është më se e vërtetë që në Kosovë është një numër i madh i kompanive brand, mirëpo nëse i analizoni, më shumë aktive janë ndërmarrjet tregtare dhe shërbimet tregtare. Nëse i referoheni indikatorit që në vitin 2019, Kosova ka pasur 380 milionë euro eksporte, dhe kjo e dëshmon më së miri se në çfarë gjendje ekonomike janë bizneset vendase.

Kur e them se kemi pasur 380 milionë euro eksporte, janë më tepër se 4 miliardë importe, dhe e shihni që edhe më tej, Kosova vazhdon avazin e vjetër të eksportimit të parasë së gatshme. Por, kur e analizon strukturën e eksporteve, pjesa dërrmuese janë metali dhe mbeturinat metalike. Është situatë shqetësuese dhe shpresoj që në të ardhmen do t’i jepet hapësirë e veçantë prodhimit, diplomacisë ekonomike dhe vetëm nëse kemi këtë binom të bashkëpunimit, do të rimëkëmbemi. Nëse i shihni bizneset e mëdha, do të shihni se kanë bërë hapa më të avancuar në krahasim me politikën.

 

Kthimi në normalitet

Pandemia ka goditur gjithë globin dhe duhet të theksohet se vendet e ndryshme kanë përparësi vetëm minimizimin e pasojave nga COVID-19. Por në Kosovë luftohet në disa fronte: në rend të parë është koronavirusi, së dyti është pandemia ekonomike dhe së treti pandemia sociale, së katërti pandemia psikologjike dhe së pesti, pandemia politike

 

Sa do t’i duhet Kosovës dhe ekonomisë së vendit që të kthehet në gjendje normale?

Pandemia ka goditur gjithë globin dhe duhet të theksohet se vendet e ndryshme kanë përparësi vetëm minimizimin e pasojave nga COVID-19. Por në Kosovë luftohet në disa fronte: në rend të parë është koronavirusi, së dyti është pandemia ekonomike dhe së treti pandemia sociale, së katërti pandemia psikologjike dhe së pesti, pandemia politike. Besoni se këto pandemitë paraprake ndoshta kanë zgjidhje, por pandemia politike është aq e acaruar dhe negative, saqë po e ngarkojnë qytetarin shumë më tepër.

Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se vendet e tjera bëjnë garë për mbështetje të bizneseve, Kosova as në muajin nëntor nuk e ka miratuar projektligjin për rimëkëmbje. Rimëkëmbja nuk bëhet me 207 milionë euro, por ekonomisë i duhet një infuzion financiar më i madh. Por nuk mund të ketë infuzion financiar dhe partneritet me donatorë në qoftë se kemi këtë axhendë politike, e cila dominon në luftë për pushtet se sa në luftë për shtet, që dominon më shumë në luftën për vende partiake, sesa për të mbështetur qytetarin dhe biznesin. Ajo që dhemb më së shumti është se të gjithë flasin në emër të popullit, por të gjithë janë sterilë përballë popullit.

Prandaj është një fazë e pavolitshme dhe brenga ime nuk është vetëm për sot por edhe nesër, sepse nëse vendeve të rajonit i duhet një ose dy vite për t’u rimëkëmbur, Kosovës i duhet dyfishi i kohës. Dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës është gjuha politike qoftë në Parlament, qoftë në qeveri, kjo urrejtje ndërpartiake në relacionin pozitë-opozitë, por edhe ndërmjet partnerëve qeveritarë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of