Për verën shqiptare ka nisur të hapet një kapitull i ri në tregun vendas. Kantinat kryesore në vend flasin për një ecuri pozitive dhe të qëndrueshme të shitjeve. Prodhuesit vendas që kanë arritur të depërtojnë në tregun jashtë thonë se kanë arritur të zgjojnë interesin e të huajve për verërat shqiptare, sidomos ato me varietet autokton. Edhe turizmi po nxit industrinë agropërpunuese të prodhimit të verës në vend. Por është prag festash dhe rekomandimet e somelierëve brenda një buxheti normal gjithnjë vlejnë.
Industria vendase e verërave po njeh rritje të qëndrueshme. Operatorët kryesorë flasin për rritje të prodhimit dhe shitjeve në një treg ku vështirësitë nuk kanë munguar dhe shpesh kanë qenë në pozita të pabarabarta me verërat e importit. Shqiptarët, thonë ata, kanë nisur të konsumojnë verën jo vetëm për festa dhe kjo është një nga arsyet e rritjes. Por edhe restorantet shqiptare kanë filluar që të promovojnë verë vendase shqiptare.
Turizmi ka qenë një nxitës për këtë industri. Duke qenë se sektori ka qenë në zgjerim të vazhdueshëm, të huajt kanë kuriozitet të provojnë prodhimet lokale në vendin që vizitojnë. Altin Driza, administratori i Kantinës Faba në Fier, thotë se ka pasur një bum kërkesash nga turistët për verë vendi, por edhe konsumatorët në restorante e kanë zëvendësuar zgjedhjen e verës së importit me verë të vendit. Ai shton se, në përgjithësi, i gjithë sektori ka përmirësuar vit pas viti cilësinë në prodhim.
Rigers Kaçorri, drejtuesi i Kantinës Arbëri, një nga më të mëdhatë në vend, e cila ka depërtuar edhe në tregun e huaj, tregon se “ka filluar që të zgjohet interesi për varietetet autoktone shqiptare te të huajt dhe shumë kantina kanë rritur eksportet. Edhe Kantina Arbëri njohu rritje këtë vit brenda dhe jashtë vendit”.
Kantina Arbëri prodhon verë me varietete autoktone shqiptare, si Kallmeti, Sheshi i Zi dhe Sheshi i Bardhë. Levent Nurellari tregon se shitjet për verën janë rritur, sepse është rritur edhe numri i klientëve. Për të, 2018-a është një vit i suksesshëm. “Ka filluar që të ndryshojë mentaliteti i konsumatorit shqiptar për verën “Made in Albania”, edhe pse tregu në vend është disi mosbesues për prodhimet lokale”, thotë Nurellari
Ndër planet e një pjese të kantinave në vend është zgjerimi edhe në sektorin e agroturizmit. Kantina Arbëri planifikon që të vërë në funksionim strukturën e saj akomoduese në vitin e ardhshëm. Arbëri Agroturizëm do të ketë gjithçka nga zona e Mirditës dhe do të lidhet me kantinën e do të jetë në shërbim të saj.
Struktura e tyre akomoduese do të tërheqë kryesisht të huaj. Tashmë Kantina Arbëri është bërë pjesë e guidave turistike ku grupe turistësh të huaj vijnë dhe degustojnë verë të prodhuar me varietete autoktone shqiptare. Edhe Kantina Nurellari do të vërë shumë shpejt në funksion strukturën akomoduese.
“Mendojmë se kantina në vetvete dhe agroturizmi plotësojnë njëri-tjetrin dhe vitin tjetër, sapo të përfundojë investimi, do të mund të mirëpresim edhe vizitorët e parë”, – shprehet Levent Nurellari. Gjithçka do të jetë gati para pranverës. Investimi total është llogaritur të jetë 20 milionë lekë, nga të cilat 50% financohen përmes Skemës së Mbështetjes.
Aktualisht, hapësira e vreshtit është 5 hektarë. Dhomat do të jenë nga 35 metra katrorë secila. Restoranti dhe salla e degustimeve do të kenë një hapësirë të konsiderueshme. Kantina përreth shkon në 2500 m². Për produktet që do të ofrohen për degustim apo në restorant, Leventi tregon se ato janë të fermës së tyre, kurse djathërat merren nga një biznes i zonës që prodhon posaçërisht.
Tregu ka vend edhe për të rinjtë
Kantina Alimani nisi të operojë për herë të parë në vitin 2016, vreshtat e së cilës janë në Durrës. Denisa Alimani, përfaqësuese e kantinës thotë se shitjet, edhe pse tregu në Shqipëri ka qenë i vështirë, janë rritur. Ndër vështirësitë kryesore që ajo përmend është “pushtimi” i tregut nga verërat e importit për shkak të mungesës së informacionit për verërat dhe mosnjohje e produktit dhe në përgjithësi klientët bëjnë zgjedhje bazuar vetëm në çmim.
“Gjatë kësaj kohe që jemi në treg, po i jepet vëmendje produktit ‘Made in Albania’, jo vetëm për produktet alkoolike”, – tha Alimani për “Monitor”. Për të qenë sa më konkurrues në tregun vendas, Kantina Alimani ka vendosur edhe shitjen me pakicë online direkt nga kantina. Duke krijuar këtë lehtësi, sipas Denisa Alimanit, kanë nxitur edhe shitjet.
Pjesa më e madhe e prodhuesve vendas pohojnë se mbizotërimi i verës së importit është një ndër vështirësitë kryesore të tregut. Edhe në 2017-n, importet njohën zgjerim në vend. Sipas të dhënave, vlera e verërave të importuara ishte 10.9 milionë dollarë me rritje 36% më shumë se një vit më parë. Një litër verë e importuar në Shqipëri hyn me një çmim mesatar prej 3 dollarësh. Në ndryshim nga vitet e tjera, kur vera e importuar vinte kryesisht nga Italia dhe Franca, këtë vit partnerët kryesorë tregtarë kanë qenë Italia dhe Serbia.
Në 2017-n, vera e importuar nga Italia kishte një vlerë prej 8.3 milionë dollarësh, ndërsa vera që ka hyrë nga Serbia rreth 1.2 milionë dollarë. Ajo çka vihet re nga të dhënat është çmimi mesatar tepër i ulët për një litër verë. Sipas përllogaritjeve të “Monitor” një litër verë nga Serbia ka hyrë me çmim mesatar 1 dollar. Aktorët kryesorë të tregut e kanë rritur vazhdimisht si shqetësim cilësinë e verës së importit dhe çmimet shumë të ulëta të saj . Sipas tyre, vetëm kostot e ambalazhimit dhe tapa nuk mund të mbulohen me një çmim kaq të ulët. Italia së bashku me Serbinë përbënin rreth 87.7% të totalit të vlerës së verërave të importuara.
Më pas renditen verërat e importuara nga Franca, me 773 mijë dollarë dhe verërat nga Maqedonia me 313 mijë dollarë, me një çmim mesatar 2.4 dollarë për litër. Importet e verërave nga Spanja ishin rreth 213 mijë dollarë në vlerë dhe sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi mesatar për një litër është 1.6 dollarë. Për verën e gazuar, importet janë përgjysmuar në 2017-n. Sipas të dhënave nga Dogana janë importuar rreth 500 mijë dollarë verë e gazuar nga 1 milion që u importuan një vit më parë.
Dhjetori, muaji kur kantinat gumëzhijnë
Festat janë periudha më e ngarkuar e vitit për të gjitha kantinat në vend. Përveç konsumit të madh të saj gjatë periudhës së fundvitit, verërat janë dhe një ide shumë e mirë dhurate. Zakonisht në fundvit kantinat marrin porosi për shporta të personalizuara. Tashmë, verëdashësit kanë filluar të mendojnë për verën që do të zgjedhin për Krishtlindje dhe mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Operatorët kryesorë nuk lënë pa përmendur edhe sezonin turistik, si një periudhë e zënë me punë. Muajt më të dobët janë janari dhe shkurti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.