Kryeministrja e Italisë, pranon problemet me taksën e re, por thotë se do ta ‘bënte përsëri’.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, ka marrë “përgjegjësi të plotë” për vendimin e diskutueshëm të javës së kaluar, për të vendosur një taksë të papritur mbi bankat, të cilën ajo e përshkroi si nismë të sajën.
“Unë do ta bëja përsëri, sepse besoj se duhen bërë gjërat e duhura,” tha ajo. “Ky është një vendim, që e kam marrë vetë”.
Njoftimi i papritur javën e kaluar, goditi besueshmërinë e qeverisë së djathtë te investitorët dhe shkaktoi valë tronditëse në tregjet financiare. Aksionet e bankave italiane, humbën deri në 10 % në ditën e shpalljes së taksës prej 40 % mbi të ardhurat neto nga interesat e huadhënësve.
Më pak se 24 orë më vonë, qeveria u detyrua të tërhiqej pjesërisht. Ministria e financave njoftoi një kufi mbi taksën, që zvogëloi ndjeshëm efektin e saj në bilancet e institucioneve huadhënëse.
Taksa e njëhershme, do të zbatohet për të ardhurat neto nga interesi të bankave, për vitin 2022 ose 2023, nëse tejkalon atë të vitit 2021 me kufij të caktuar. Taksa do të kufizohet në 0.1 % të totalit të aktiveve të huadhënësve.
Meloni tha se mund të ketë pasur “probleme” me mënyrën e menaxhimit të njoftimit. “Unë nuk e përfshiva koalicionin si zakonisht, sepse ishte një çështje, që nuk duhej të qarkullonte shumë gjerësisht,” shtoi ajo.
Ministri i Financave Giancarlo Giorgetti, i cili më parë kishte folur në mënyrë kritike për taksa të tilla, ishte plotësisht “i përfshirë” në vendim, tha Meloni.
Disa nga partnerët e saj të koalicionit, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Antonio Tajani, një anëtar i partisë liberale Forza Italia, thanë se ishin verbuar nga vendimi. Javën e kaluar, analistët dhe bankierët thanë se taksa e papritur, nuk duhet të ishte vendosur nga zyra e kryeministres, por duhet të ishte objekt i diskutimeve të plota midis institucioneve huadhënëse dhe Thesarit.
Meloni pranoi se disa anëtarë të qeverisë së saj, ishin të pakënaqur, që ishin mbajtur në errësirë. Por ajo tha, se ishte e nevojshme, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, duke shtuar: “Unë do ta bëja përsëri”.
“Kam respekt maksimal për sistemin bankar dhe nuk dua të godas huadhënësit, por ka pasur mungesë ekuilibri,” shtoi ajo.
Qeveria e Italisë ka qenë prej kohësh kritike ndaj hezitimit të bankave, për të kaluar rritjen e normave të interesit të Bankës Qendrore Europiane tek depozituesit, ndërsa rrit normat e huamarrjes. Huadhënësit kanë korrur fitime të mëdha, nga rritja e normave të interesit, gjatë vitit të kaluar.
Njerëz të afërt me diskutimet në Romë dhe Milano, thanë se anëtarët më radikalë të qeverisë, duke përfshirë ministrin e transportit dhe liderin e partisë së ekstremit të djathtë të Ligës, Matteo Salvini dhe nënsekretarin Giovanbattista Fazzolari, një anëtar i partisë Fratelli d’Italia së Melonit, e shtynë kryeministren të prezantojë masën e diskutueshme, përpara pushimeve verore, në një përpjekje për të rigjallëruar mbështetjen e votuesve.
Fazzolari sugjeroi se qeveria, mund të shkojë më tej dhe të ndërhyjë në koncesionet e aeroportit dhe rrugëve me pagesë. “Ne duhet të presim, që shteti të veprojë përsëri, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me lojtarët e mëdhenj financiarë, ekonomikë dhe industrialë,” tha ai.
Qeveria kohët e fundit, është vënë nën kritika për anulimin e të ashtuquajturave të ardhura të qytetarëve, një pagesë mujore për punëkërkuesit e varfër dhe një sërë subvencionesh, për rinovimin e shtëpive dhe përmirësimet e energjisë, që kishin nxitur rritjen ekonomike të vendit, që nga prezantimi i tyre vite më parë.
Negociatat mes qeverisë dhe partive opozitare, për të vendosur një pagë minimale, të cilën Italisë, ndryshe nga shumica e vendeve europiane, i mungon, janë ndalur gjithashtu.
“Unë dyshoj se çështja e pagave të ulëta, mund të zgjidhet duke vendosur një pagë minimale,” tha Meloni. / The Financial Times