Zhvillimi dhe konsolidimi i modeleve të suksesshme në ekonominë lokale do të mbështetet me një fazë të dytë nga projekti “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural. Ky projekt që financohet nga qeveria gjermane dhe zvicerane, zbatohet nga GIZ Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Projekti synon të nxisë rritjen e konkurrueshmërisë dhe të ardhurave në zonat rurale përgjatë zbatimit të tij në katër vitet e ardhshme (2023-2026), duke kontribuar më gjerë në zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Duke punuar ngushtësisht me bizneset dhe qeverinë shqiptare, projekti do të mbështesë hartimin e politikave zhvillimore dhe praktikat më të reja në bujqësi dhe në turizmin rural, duke promovuar rritjen e gjelbër, dixhitalizimin dhe diversitetin, në përputhje me procesin e pranimit të vendit në BE.
Prodhimi bujqësor është në fokus të projektit, me theks të veçantë tek perimet në sera, frutat dhe produktet e bulmetit. Nëpërmjet iniciativave të tilla si adoptimi i metodave biologjike të kontrollit të dëmtuesve, synohet përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së prodhimit të tyre.
Në fjalën e saj, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë aktivitetit prezantues të kësaj faze të dytë pranë GIZ tha se kjo fazë vendos në dispozicion të fermerëve një mjet shtesë për të rritur produktivitetin në ferma.
Paralelisht me mbështetjen në sektorin bujqësor, projekti synon promovimin e turizmit rural me fokus agroturizmin, turizmin e aventurës dhe menaxhimin e destinacioneve turistike.
“Kemi filluar komunikimet me ITB BERLIN, panairin më të madh në botë të turizmit, që Shqipëria të jetë vendi i nderit në vitin 2025, ç’ka përkthehet në një sërë aktivitetesh nga viti 2024 deri në vitin 2025 dhe ftoj partnerët që të na mbështesin në këtë projekt të ri.”: tha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Projekti do të mbështesë krijimin e modeleve të suksesshme pilote në të dy sektorët, me qëllim replikimin e tyre të mëtejshëm në të gjithë tregun.
Ambasadori i Republikës Federale Gjermane, SH.T. Peter Zingraf përmendi disa nga këto modele si kontrolli biologjik në sera apo platforma inovative e turizmit, me qëllim përmirësimin e produkteve turistike kudo në Shqipëri.
Ndërsa Zëvendës Shefi i Misionit Zviceran në Shqipëri, Dr. Patrik Meier theksoi rëndësinë që luan bashkëpunimi mes donatorëve dhe qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri.
Në përfundim të aktivitetit, të ftuarit u prezantuan me disa prej produkteve lokale te certifikuara, produkteve të fruta-perimeve dhe bulmetit të mbështetura nga GIZ gjatë katër viteve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.