Grupi “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, ka dhënë kontributin më të madh në këtë tremujor në indeksin e volumit të shitjeve….
Sinjalet e gjallërimit të konsumit, të konstatuara nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave janë konfirmuar dhe nga INSTAT, që ka publikuar indeksin e tregtisë me pakicë për tremujorin e dytë të vitit.
Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2014, indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë është rritur 6,8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërkaq, në grupin e Tregtisë me Pakicë pa përfshirë këtu Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve ky indeks ka pësuar një rritje prej 4,4 % kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.
Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 16,9 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, duke dhënë kësisoj kontributin më të madh në këtë tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë.
Indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë për grupin e “Produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 2,4 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në tremujorin e dytë 2014, në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 4,0 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, dhe 10,6 % krahasuar me tremujorin paraardhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.