Gjallërohet kredia në tremujorin e dytë, efekti nga bizneset e vogla e të mesme, ulen interesat

15/08/2019 12:42 PM 0 komente

Kredia për sektorin privat shfaqi norma më të larta rritjeje gjatë tremujorit të dytë, e mbështetur nga zgjerimi i kreditimit të bizneseve, sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë për tendencat në kreditim. Kreditimi në lekë vijon të japë kontributin kryesor në këtë ecuri, pavarësisht se prirja rritëse e kreditimit në valutë është konfirmuar edhe në tremujorin e dytë. Rreziku më i ulët i kredisë dhe hyrja e aktorëve të rinj në tregun bankar, së bashku me një kërkesë të shtuar nga sektori privat, duket se po mbështesin rimëkëmbjen e aktivitetit kreditues në vend.

Zhvillimet afatshkurtra kanë konfirmuar sinjalet për një rigjallërim të kredisë për biznese. Përmirësimi i ritmit të rritjes së kësaj kredie është ndikuar si nga rritja e kredisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), ashtu edhe nga ajo për korporatat. Në ndryshim nga tre muaj më parë, është kredia për NVMtë që shfaqi dhe zgjerimin më të madh. Në një këndvështrim më afatgjatë, sektori bankar po shfaq prej disa vitesh një përqasje më favorizuese ndaj NVM-ve, si një segment i ekonomisë më pak i kredituar dhe me potencial për zhvillimin ekonomik në të ardhmen. Sipas sektorëve të ekonomisë, sektori i tregtisë mbetet segmenti më i kredituar nga bankat. Zhvillime pozitive gjatë vitit të fundit ka shfaqur edhe sektori i industrisë.

Në tremujorin e dytë të vitit, kredia për individë ka ruajtur normat e rritjes së një tremujori më parë. Zgjerimi i kredisë për individë është mbështetur kryesisht nga performanca e mirë e portofolit të kredisë hipotekare. Zhvillimet në terma të monedhës tregojnë për orientimin e kredisë për individë thuajse plotësisht drejt monedhës vendase. Analiza në terma gjeografikë konfirmon përqendrimin e kredisë për individë në rrethin e Tiranës, veçanërisht të kredisë për blerje banesash.

Normat e interesit për kreditë e reja në lekë kanë qenë në rënie për bizneset dhe të pandryshuar për individët, duke reflektuar përqasjen më pozitive të bankave për kreditimin në lekë, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Kushtet joçmim vijojnë të jenë lehtësisht të shtrënguara për kreditë dhënë bizneseve, kurse për individët ato mbeten në kahun lehtësues.

Financimi i sektorit privat me kredi nga sistemi bankar në vendet e rajonit të EQJL-së mbetet ende në nivele të moderuara në periudhën prill-maj. Këto zhvillime janë diktuar kryesisht nga performanca e portofolit të kredisë për biznese, që shfaq ngadalësim më të dukshëm të normave të rritjes krahasuar me portofolin e individëve. Ecuria në terma gjeografikë evidenton sjellje të ngjashme, duke shfaqur ngadalësim të normave të rritjes së kredisë si në rajonin e Ballkanit, ashtu edhe në rajonin e Evropës Qendrore.

 

KREDIA PËR BIZNESE

Kredia për biznese është rritur në tremujorin e dytë 2019, duke konfirmuar tendencën e shfaqur në fund të vitit 2018. Në ndryshim nga tremujori i parë, ky përmirësim ka ardhur nga kreditimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Kredia për biznese prej vitesh ka dominuar portofolin e kredisë bankare, duke pasqyruar strukturën e financimit të ekonomisë shqiptare me bazë sektorin bankar. Në fillimet e dekadës, kredia për biznese përfaqësonte rreth 61% të kredisë për sektorin privat, raport i cili është rritur në 66% aktualisht. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, ky portofol kulmoi në vitin 2012 në 27.2%, por në vitet më pas ka qenë përgjithësisht në një tendencë rënëse, e ndikuar nga ritmet e rritjes më të ulëta të aktivitetit kreditues për këtë segment krahasuar me rritjen ekonomike. Në muajin qershor 2019, kredia për biznese qëndron në rreth 23.4%3 si raport ndaj prodhimit të brendshëm bruto, nivel ky 0.7 pikë përqindje më i lartë krahasuar me fundin e vitit 2018. Zgjerimi i këtij raporti në dy tremujorët e fundit pasqyron rigjallërimin e aktivitetit kreditues për biznese gjatë kësaj periudhe.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, kredia për biznese u rrit me 7.3 miliardë lekë, duke u reflektuar në përmirësimin e ritmeve të rritjes së këtij portofoli në 7.2% (6.2% në mars’19). Kredia për biznese po ndjek një trajektore pozitive që nga fundi i vitit 2018, e mbështetur nga përqasja disi më pozitive e sektorit bankar ndaj bizneseve, mbas ndryshimeve strukturore të ndodhura një vit më parë, si dhe nga kërkesa e shtuar nga ky grup.

Përmirësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për bizneset është mbështetur më së shumti nga kredia për biznesin e vogël dhe të mesëm (NVM), e cila u rrit me rreth 4.5 miliardë lekë gjatë tremujorit të dytë. Në terma vjetorë, ritmet e rritjes së kredisë për NVM-të janë përshpejtuar në mesatarisht 9%, ose 4 pikë përqindje më shumë se në tremujorin e parë. Brenda kësaj kategorie, zhvillimet pozitive janë vërejtur veçanërisht në kredinë për bizneset e vogla. Ritmet e rritjes së kredisë për korporatat janë ngadalësuar në 5.3%, krahasuar me 6.2% në tremujorin e parë, duke dhënë një kontribut më të vogël në zgjerimin e portofolit të kredisë këtë tremujor. Këto zhvillime kanë reflektuar përmirësimin e kërkesës dhe ofertës për kredi për NVM-të dhe përkeqësim të këtyre për bizneset e mëdha, sikurse tregojnë rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues në tremujorin e dytë të vitit 2019.

 

KREDIA PËR INDIVIDË

Kredia për individë ka ruajtur norma të ngjashme rritjeje me një tremujor më parë.

Kredia për individë ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 12.2%, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Ky raport është luhatur në të njëjtat nivele në tre vitet e fundit, duke konfirmuar ecuri relativisht të qëndrueshme të këtij portofoli në raport me rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Zgjerimi i kredisë për individë mbështetet gjerësisht nga ecuria pozitive e kredisë hipotekare, e cila ka përshpejtuar normat e rritjes, veçanërisht në dy vitet e fundit. Ky përmirësim rezulton në linjë me rigjallërimin e aktivitetit të tregut të banesave dhe përmirësimet në tregun e punës, gjatë kësaj periudhe. Nga ana e ofertës, ai reflekton lehtësimin e vazhdueshëm të kushteve të kreditimit për këtë segment nga sistemi bankar

Në terma më afatshkurtër, kredia për individë ka shënuar norma të ngjashme rritjeje me tremujorin e parë, duke ndjekur përgjithësisht një trajektore ngadalësuese që prej një viti. Në tremujorin e dytë të vitit, kredia për individë shënoi rritje vjetore me rreth 6.4%, krahasuar me normën prej 6.7% në tremujorin e kaluar. Ndryshimet tremujore të tepricës së kredisë tregojnë për kontribut më të lartë të kredisë konsumatore në këtë tremujor, e cila është shfaqur e plogësht në tre tremujorët paraardhës. Megjithatë, ngadalësimi i saj në terma vjetorë reflekton efektin e bazës së lartë krahasuese në tremujorin e një viti më parë. Ndërkohë, portofoli i kredisë hipotekare ka vijuar të zgjerohet me ritme të qëndrueshme, duke dominuar rritjen e kredisë totale për individë. Kredia konsumatore dhe kredia hipotekare përbëjnë rreth 10% dhe 24% përkatësisht të tepricës së kredisë për sektorin privat në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Ecuria në terma të monedhës konfirmon orientimin e kredisë për individë drejt monedhës vendase. Ky portofol përbën rreth 64% të tepricës së kredisë për individë në fund të muajit qershor, duke shënuar një rritje të kësaj peshe me rreth 2.4 pikë përqindje nga një vit më parë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of