Pas një ngërçi në 7 muajt e parë të vitit, huaja për ekonominë është gjallëruar ndjeshëm në gusht dhe në shtator, në një sinjal se biznesi po i rikthehet investimeve.
Sipas statistikave të publikuara sot nga banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 553 miliardë lekë, me një zgjerim prej 0.7% me bazë mujore.
Rritja ka ardhur, në mbi 80% të saj nga kredia që është dhënë për korporatat jo financiare, pra bizneset, kryesisht në lekë. Stoku i huasë për korporatat financiare arriti në 339 miliardë lekë, me një zgjerim mujor prej 0.9%. Kredia për bizneset zë peshën kryesore të financimit që jepet nga bankat, teksa ajo përbënte 61% të totalit në fund të muajit shtator.
Megjithatë, me bazë vjetore, rritja e huasë për ekonominë është tepër e vakët. Në krahasim me shtatorin, stoku i kredisë për ekonominë është rritur me vetëm 0.7%, me stokun e huasë për biznes që për të njëjtën periudhë ka rënë me gati 2%. Negativisht në këtë tendencë ka ndikuar dhe procesi i fshirjes së kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen në banka si dhe zhvlerësimi i euros, që ka ulur stokun e huasë në valutë.
Edhe kredia për individët ka vijuar rritjen në shtator, ndonëse me ritme më të ulëta se në gusht. Karakteristikë është se huaja po jepet pothuajse tërësisht për blerjen e pasurive të paluajtshme, ndërsa kredia konsumatorë është në rënie. Muajt e fundit është shënuar një gjallërim i tregut të pasurive të paluajtshme, kryesisht në kryeqytet, i nxitur edhe nga kredia bankare. Bankat nga ana e tyre po tregohen më të prirura të financojnë individët, teksa ata po rezultojnë kredimarrës më të mirë dhe janë më korrektë në pagesën e kësteve mujore. Sipas të dhënave të Bankës, stoku i huasë me probleme për individë është nën 10% ndërsa ai për biznese është afër 20%.
Një tjetër tendencë që kanë raportuar bankat është financimi i bizneseve të mesme e të vogla dhe heqja dorë prej kompanive të mëdha, ku ekspozimi është më i lartë dhe si rrjedhojë dhe risku i moskthimit është më i madh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.