Gjashtë produkte të reja në sektorin cloud
Gjashtë produkte dhe shërbime cloud “novatore dhe revolucionare” për të tërhequr më tej zhvilluesit, dhe për të ndërtuar ekosistemin, duke treguar ambicie në sektorin cloud u prezantuan nga gjiganti botëror i telekomunikacionit Huawei.
Këto gjashtë produkte janë: Huawei Cloud CCE Turbo, ndihmësi i programimit inteligjent CloudIDE, baza e të dhënave GaussDB (për openGauss), shërbimi informativ inteligjent i besuar (TICS), modeli Pangu dhe programi i pajisur me infrastrukturën për llogaritjen e larmishme. Këto pasisje do të “ofrojnë nivele të reja efikasiteti dhe cilësi për të ndihmuar zhvilluesit të shtyjnë kufijtë e rinj”, thanë përfaqësuesit e kompanisë.
Produktet e reja u prezantuan gjatë një aktiviteti tre-ditor të përqendruar në tendencat e fundit të cloud computing dhe inteligjencën artificiale. Në këtë event, Huawei gjithashtu njoftoi një investim prej 220 milionë dollarësh në programin Huawei Developer 2.0 këtë vit, i cili do ta ndihmojë atë të nxisë vazhdimisht një ekosistem rreth Huawei Cloud, Kunpeng dhe Ascend.
“Deri në vitin 2025, 100 përqind e ndërmarrjeve në të gjithë globin do të përdorin teknologjinë cloud, e cila është e ardhmja e industrisë së TIK dhe themeli për transformimin dixhital të ndërmarrjeve. Ndërsa zhvilluesit janë shpirti i industrisë”, tha Richard Yu Chengdong, drejtor ekzekutiv i Huawei.
Huawei do të vazhdojë të ndajë aftësitë e saj të novacionit teknologjik dhe të punojë me zhvilluesit dhe partnerët për të përshpejtuar transformimin e bizneseve që bazohet në cloud dhe inteligjencë.
Kjo lëvizje e fundit drejt sektorit cloud vjen si pasjë e sforcimit të kompanisë nën ndikimin e sanksioneve amerikane, të cilat e kanë detyruar atë të largohet nga teknologjitë dhe produktet me origjinë amerikane, si çipet dhe të vërë më shumë theks në programet kompjuterike dhe shërbimet.
“Nga shitja e makinave te shërbimet cloud, shprehet dhe përpjekja e Huawei për të kompensuar rënien e biznesit për telefonat celularë,” tha Jiang Junmu, analist i industrisë dhe një ndjekës i afërt i Huawei.
Biznesi cloud i Huawei është duke u zhvilluar me shpejtësi. Sipas firmës kërkimore Canalys, të ardhurat nga Huawei cloud u rritën me 168 përqind nga viti 2020.
Sidoqoftë, po përballet me një konkurrencë të fortë nga konkurrentët vendas si Alibaba dhe Tencent dhe gjithashtu gjigantë globalë si Amazon.
Në tremujorin e katërt të vitit 2020, Huawei Cloud u bë lojtari i dytë më i madh në Kinë me një pjesë të tregut prej 17.4 për qind. Alibaba ishte ofruesi më i madh i shërbimeve cloud, me një pjesë të tregut prej 40 përqind. Tencent Cloud ishte i treti me një pjesë të tregut prej 15 përqind, sipas Canalys.
“Krahasuar me homologët e saj të industrisë, Huawei ka përparësi te sinergjia me produktet dhe përvoja në marrëdhëniet me konsumatorët qeveritarë dhe ndërmarrjet,” tha Zhan Ping’an, presidenti i shërbimeve të biznesit cloud.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.