Gjashtë vendet më të vaksinuara kanë nivele të larta të rasteve të reja. Pesë prej tyre mbështeten te vaksinat kineze

08/07/2021 4:12 PM 0 komente

Midis vendeve me norma të larta vaksinimi dhe shkallë të lartë të rasteve të reja, shumica mbështeten tek vaksinat e prodhuar në Kinë, sipas një analize të CNBC.

Përfundimet vijnë ndërsa efikasiteti i vaksinave kineze përballet me një vëzhgim në rritje, i shoqëruar nga mungesa e të dhënave për mbrojtjen e tyre kundër variantit më të transmetueshëm, Delta.

Rastet e reja javore te COVID mbeten të larta në të paktën gjashtë nga vendet më të vaksinuara në botë, dhe pesë prej tyre mbështeten në vaksinat kineze.

CNBC identifikoi 36 vende me më shumë se 1 mijë raste të reja javore të konfirmuara për 1 milion banorë që nga 6 korriku, duke analizuar shifrat e “Our World in Data”, e cila përpilon të dhëna nga burime, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, qeveritë dhe studiuesit në Universitetin e Oksfordit.

Mes 36 vendet u identifikuan ato të cilat kanë 60% të popullsisë të vaksinuar, të paktën me një dozë. Këto vende ishin gjashtë, pesë prej të cilave përdorin vaksinat kineze, si një pjesë e rëndësishme e programeve të tyre kombëtare të vaksinimit: Emiratet e Bashkuara Arabe, Ishujt Seychelles, Mongolia, Uruguai dhe Kili.

I vetmi vend midis tyre që nuk varet nga vaksinat kineze është Mbretëria e Bashkuar.

Sipas agjencisë shtetërore mongoliane të lajmeve, Mongolia ka administruar në maj 2.3 milionë doza vaksinash nga Sinopharm në pronësi të shtetit të Kinës. Kjo tejkalon shumën prej 80 mijë vaksinash ruse Sputnik V dhe rreth 255 mijë doza të Pfizer-BioNTech që Mongoli mori javën e kaluar.

Kili administroi 16.8 milionë doza vaksinash nga Sinovac Biotech me bazë në Pekin, krahasuar me 3.9 milionë doza Pfizer-BioNTech.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Seychelles vareshin shumë nga vaksina Sinopharm në fillim të fushatave të tyre të vaksinimit, por secila prej tyre ka prezantuar vaksinat e tjera kohët e fundit.

Në Uruguaj, Sinovac është një nga dy vaksinat më të përdorura, së bashku me Pfizer-BioNTech.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka miratuar për përdorim vaksinat nga Moderna, AstraZeneca-Oxford, Pfizer-BioNTech dhe Janssen. Rastet e Covid në Mbretërinë e Bashkuar kanë shënuar rritje në javët e fundit pasi varianti Delta po përhapet atje.

Disa faktorë mund të shkaktojnë një rritje në rastet e Covid në vendet me norma të larta të vaksinimit. Vaksinat nuk ofrojnë mbrojtje 100%, kështu që ata që janë të vaksinuar përsëri mund të infektohen.

Opsioni më i mirë për shumë vende

Vendet nuk duhet të ndalojnë së përdoruri vaksinat anti-Covid të prodhuara nga Kina, thonë epidemiologët, veçanërisht ndërsa furnizimi i vaksinave është i kufizuar midis shteteve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Shumë nga vendet dhe territoret që miratuan vaksinat Sinopharm dhe Sinovac janë shtete në zhvillim që nuk mund të konkurrojnë me vendet më të pasura për vaksinat e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

Vendet mund të vendosin të përdorin vaksina të caktuara në varësi të objektivave të tyre afatgjata. Disa vende po heqin dorë nga vaksinat kineze. Kosta Rika muajin e kaluar refuzoi një shpërndarje të vaksinave të zhvilluara nga Sinovac pasi arriti në përfundimin se nuk është mjaft efektive.

Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi vaksinat nga Sinopharm dhe Sinovac për përdorim emergjent.

Efektiviteti i dy vaksinave kineze është më i ulët se ai i Pfizer-BioNTech dhe Moderna, të dyja këto kanë treguar më shumë se 90% efikasitet.

Vaksina e Sinopharm ka një efektivitet prej 79% kundër infeksioneve simptomatike të Covid-19, thotë OBSH, por efektiviteti i saj midis grupeve të caktuara , të tilla si njerëzit 60 vjeç e lart nuk është i qartë. Efikasiteti i vaksinës Sinovac është rreth 50-80% në varësi të vendit ku mbahen provat.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of