Gjatë 2018, çdo ditë, mesatarisht rreth 74 bullgarë, 79 kroatë dhe 180 rumunë emigruan në Gjermani. Sipas të dhënave të zyrës statistikore dhe të dhënave të publikuara në Reuters, ky ishte një ndër faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen e popullsisë së Gjermanisë në mbi 83 milionë banorë vitin e kaluar. Emigrimi neto arriti në 400,000 emigrantë në 2018. Kjo shifër është pak më e ulët se ajo e 2017 (416,000 emigrantë).
Shumica e emigrantëve të rinj, rreth 202,000 janë nga vende të Bashkimit Europian, si Rumania (me 68,000), Kroacia (29,000), Bullgaria (27,000) dhe Polonia (20,000). Sidoqoftë, në vitet e fundit, Kroacia është shteti ku problemi në fjalë del më qartë në pah: ky shtet, me popullsi rreth 4.1 milionë banorë, synon të dalë nga emigrimi masiv i banorëve në moshë pune, të pakënaqur me progresin e ngadaltë që nga periudha e hyrjes në Bashkimin Europian.
Niveli i lartë i punësimit dhe papunësia në rënie kanë bërë që një numër i lartë banorësh nga vende të ndryshme t’i drejtohen tregut të punës të një prej ekonomive më të mëdha europiane. Sipas punëdhënësve, duhet të plotësohen më shumë se një milion vende pune për të eliminuar pengesat për rritjen ekonomike. Plakja dhe nivelet e ulëta të lindjeve do të ndikojnë në zvogëlimin e fuqisë punëtore të Gjermanisë në dekadat e ardhshme.
Jo vetëm kompanitë kanë nevojë për emigrantë, por edhe shteti, i cili dëshiron që sigurimet e tyre të ndihmojnë në financimin e sistemit të pensioneve.
Liberalizimi i mëtejshëm i tregut të punës për vendet e treta pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.
Numri i emigrantëve që vinin nga vende në luftë ka shënuar gjithashtu rënie. Për shembull, emigrimi neto nga Siria ka rënë me gati gjysmën, nga 600,000 në 2017 në 334,000 emigrantë vitin e kaluar. Ekziston edhe një rënie në Afrikë nga 35 mijë në 34 mijë emigrantë.
Emigracioni midis gjermanëve ka shënuar rritje në 262,000 gjermanë që emigruan në 2018, në krahasim me 249,000 emigrantë gjermanë që emigruan një vit më parë. Ndërsa numri i emigrantëve gjermanë të kthyer në atdhe shkon në 202,000.