Gjatë vitit pandemik, detyrimet e biznesit në Tatime u shtuan me 44 mln euro, stoku 1 miliard euro

10/05/2021 11:01 PM 0 komente

Pandemia Covid-19 nxiti rritjen e borxhit tatimor.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në fund të vitit 2020, gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat deri në 31 Dhjetor 2020 arriti në 122.5 miliardë lekë, me një shtesë 5,5 miliardë lekë (44 mln euro), ose 1% që nga 1 janari 2020.

Tatimet sqaruan se nga totali i detyrimeve prej 122.5 miliardë lekë është e përfshirë edhe vlera prej 13.7 miliardë lekë, e cila është në proces gjyqësor. Gjithashtu gjatë vitit 2020 janë rikuperuar 19.8 miliardë lekë.

Nga stoku i detyrimeve, 60% e shumës përbëhet nga principali, 35% nga penalitetet dhe 5% nga kamatëvonesat.

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat, TVSH zë peshën më të madhe në stokun me borxhit me 34% në vlerë 41,9 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 27%, në vlerë 33,4 miliardë lekë, zëri “Të Tjera” me 24% në vlerë 28,1 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 14% në vlerë 17 miliardë lekë dhe TAP me 2% në vlerë 2,1 miliardë lekë.

Krahasuar me fundin e vitit 2019, gjatë 2020 TAP ka qëndruar në të njëjtin nivel, ndërkohë që borxhi i TVSH-së është rritur me 1.51 miliardë lekë, Tatim Fitimi me 1.75 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore me 1.85 miliardë lekë dhe zëri “Të Tjera” me 0.26 miliardë lekë.

Borxhi me vjetërsi mbi 2 vjet arriti vlerën e 83,3 miliardë lekëve ose 68% e totalit të stokut.

Subjektet me status “Aktiv” zënë 42% të numrit total të subjekteve debitorë me një vlerë prej 39,8 miliardë lek ose 32% të masës totale të borxhit. Subjektet me status “Pasiv” zënë 58% të numrit total të subjekteve debitor me një vlerë prej 68,6 miliardë lekë ose 68% të masës totale të borxhit.

Tatimet kanë shpjeguar se, gjatë vitit 2020 janë ndërmarrë një varg iniciativash për të forcuar funksionin e mbledhjes së detyrimeve të prapambetura tatimore. Në gusht u bë funksionale Struktura e re Organizative me qëllim rritjen e efikasitetit dhe eficiences operacionale në mbledhjen e detyrime tatimore të papaguara. Struktura e re organizative konsolidoi funksionin e mbledhjes së detyrimeve të papaguara në 3 rajone, DMDTP Rajoni Qendror, DMDTP Rajoni Verior, DMDTP Rajoni Jugor dhe DMDTP Tatimpaguesit e Mëdhenj.

Tatimet sqarojnë se, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara në DPT ka monitoruar ecurisë e stokut të detyrimeve, ka kryer analiza të situatës së detyrimeve në nivel subjektesh dhe veçanërisht atyre më të mëdha.

Gjatë vitit të kaluar Drejtoria e Përgjithshme forcoi strukturën e saj kundër evazionit fiskal. Një strukturë e posaçme kudër evazionit nisi të funksionojë gjatë vitit pandemik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of