Në Kosovë vazhdon të jetë gjendja e rëndë si pasojë e pandemisë së Covid-19, ku brenda katër ditëve 100 persona kanë humbur jetën.
Ndërsa, policia po vazhdon t’i gjobisë me mijëra qytetarë çdo ditë. Ndaj kësaj situate ka reaguar Oda e Hotelerisë dhe Turizmit dhe Oda Ekonomike e Kosovës, duke fajësuar Ministrin e Shëndetësisë për gjendjen e rënduar.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka kërkuar mbështetje financiare nga ministri i këtij dikasteri, Hekuran Murati, pasi sipas tyre, me masat e fundit anti-COVID po dëmtohen bizneset.
OHTK-ja ndër të tjera ka fajësuar Ministrin e Shëndetësisë për gjendjen e rënduar me pandeminë, pasi thonë se nuk ka pasur kontrolle të mjaftueshme nëse po respektoheshin masat e mëhershme.
‘’Papërgjegjësia e institucioneve përkatëse dhe neglizhenca e tyre ndaj situatës ka bërë që të jemi në këtë gjendje të cilën ndodhemi tash e sa javë, dhe për këtë nuk duhet të fajësohen bizneset të cilët thjesht kanë kryer punën e tyre, në shumicën e rasteve sipas manualeve të dala nga vet Qeveria. Edhe pse manualet janë punuar bashkarisht me përfaqësues të OHTK-së, zbatimi i tyre nuk është monitoruar nga inspektorati apo policia, dhe për këtë arsye nuk keni asnjë të drejtë t’iu vërsuleni bizneseve me mbyllje apo qytetarëve me gjoba. Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ndonjëherë i ka përkrahur masat që kanë qenë në interes të mirëqenies së qytetarëve, edhe pse pothuajse çdoherë kanë qenë në dëm të bizneseve që i përfaqëson, mirëpo duke i parë dëmet e fundit që po u shkaktohen bizneseve që nuk kanë hapësirë të jashtme, kërkojmë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ose Ministria që drejton t’i mbështesin financiarisht këto biznese’’.
Oda e Hotelerisë ka treguar se reduktimi i orarit të punës ashtu siç parashihet në masat e fundit ka reduktuar të hyra dhe po shkakton shumë pengesa në funksionimin e bizneseve, e më shumë se bizneset këto masa e kanë dëmtuar fuqinë punëtore, duke i detyruar bizneset që një pjesë të tyre ta largojnë nga puna, prandaj kërkohet kompensim i menjëhershëm i kësaj kategorie.
“Le të shtohet numri i inspektorëve, policëve, të bëhet monitorim më i mirëfilltë, t’u kërkohet dëshmi e vaksinimit apo testit negativ në hyrje të çdo lokali apo biznesi por ASSESI mos të ketë mbyllje totale’’, vijon njoftimi i kësaj organiate.
OHTK-ja ka kërkuar nga institucionet shtetërore që para datës 13 shtator t’i shqyrtojnë këto kërkesa dhe të dalin me vendime të reja të cilat do të jenë të favorshme edhe për bizneset, si dhe sa më parë të hartohet një strategji për rimëkëmbjen ekonomike të të gjithë të dëmtuarve.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se vaksinimi është rruga për vendosjen e pandemisë nën kontroll dhe jo mbyllja e bizneseve dhe gjobat marramendëse.
Rukiqi në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje për vaksinim.
“Vaksinimi, vaksinimi dhe vetëm vaksinimi është rruga për vendosjen e pandemisë nën kontroll dhe për te parandaluar hospitalizimet dhe rastet me fatalitet, e jo mbyllja e bizneseve dhe gjobat marramendëse (të bazuara në interpretime të lira të inspektorëve)”, shkruan Rukiqi.
Me qëllim të zbatimit të masave antiCOVID dhe parandalimit të përhapjes, Policia e Kosovës ka dënuar 4,237 qytetarë në 24 orët e fundit për mosrespektim të masave.
Policia në 24 orët e fundit po ashtu ka dënuar 1,376 persona për mosrespektim të rregullave në trafik.
Njëqind e shtatëdhjetë viktima nga koronavirusi janë konfirmuar në Kosovë nga data 27 gusht deri më 2 shtator.
Ka qenë ky shtatëditëshi më vdekjeprurës qëkur ka shpërthyer pandemia, pranverën e vitit të kaluar. Fluksi i pacientëve në spitale është në prag të limiteve.
Deri të enjten pasdite, në Kosovë janë dhënë mbi 875,000 vaksina kundër koronavirusit. Në total, mbi 296 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.