The Plaza Tirana do të bashkohet me grupin gjerman në industrinë e hotelerisë, “Maritim Hotels” nëpërmjet një kontrate bashkëpunimi që synon brandimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
Burimet nga The Plaza pohuan se kontrata me grupin gjerman, në fazën e parë, parashikon një bashkëpunim sa i përket brandimit, marketingut dhe trajnimit të stafit.
Maritim Hotels, i themeluar në vitin 1969, aktualisht mban në portofolin e tij më shumë se 40 hotele në shtete si Gjermania, Spanja, Holanda, Turqia, Kina, Bullgaria, Malta, Mauritania, etj. Kjo falë një politike zgjerimi efikase në dekadën e fundit, vlerësuar me çmimin “Most improved Brand” në vitin 2014.
Ky bashkëpunim ka si objektiv kryesor zhvillimin e mëtejshëm të hotelit në të gjitha fushat e shërbimit.
Maritim ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e industrisë së hoteleve në Gjermani që nga themelimi 50 vite më parë. Portofoli i kompanisë ka përjetuar gjithashtu një ekspansion të shpejtë ndërkombëtar në dekadën e fundit. Pas realizimit të qëllimit të saj për krijimin e një rrjeti mbarëkombëtar hotelesh, Maritim themeloi HMS – Hotel Management Services international GmbH, një kompani që përqendrohet në blerjen e kontratave të menaxhimit për hotele jashtë Gjermanisë. Përveç blerjes së hoteleve ekzistuese, zgjerimi i portofolit të Maritim gjithashtu konsiston në krijimin e hoteleve të reja. Në planet e reja, kompania synon të zgjerohet në vendet në zhvillim.
The Plaza raportoi 922 milionë lekë të ardhura nga shitjet në vitin 2018 sipas të dhënave në bilancin zyrtar të dorëzuar në QKR, me një rritje mbi 22% në raport me 2017, duke u renditur i pari në tregun e hotelerisë në kryeqytet.
Në vitin 2017, të katër hotelet e mëdha në kryeqytet, The Plaza, Hotel Rogner, Mak Albania dhe Hotel Tirana, realizuan nga shitjet të ardhura në rreth 2,6 miliardë lekë (21 mln euro) sipas të dhënave nga bilancet që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat më të larta i realizoi The Plaza, e cila deklaroi xhiro vjetore në bilanc në nivelin e 753 milionë lekëve gjatë vitit 2017. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 153% në krahasim me vitin 2016. Rritja e lartë nuk është e krahasueshme për shkak se The Plaza e nisi aktivitetin nga fundi i vitit 2016. Ajo fillimisht u nis për të funksionuar si një qendër biznesi, por drejtimi ndryshoi rrugës kur investimi po bëhej.
Edhe sot, Plaza nuk i shfrytëzon plotësisht kapacitetet e saj.
Behar Male, një nga aksionerët kryesorë të Plaza Tirana, tha se, Shqipëria është para një perspektive pozitive nga prurjet turistike, por tregu duhet të rregullohet në aspekt të standardit. Ofrimi i shërbimeve në akomodimin e luksit duhet të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare të yjeve. Kjo do të ndihmonte që imazhi i vendit të mos cenohej dhe tregu të rregullohej nga informaliteti, tha zoti Male. Ai nuk e sheh si shqetësim zgjerimin e tregut me operatorë të rinj dhe sidomos me marka të njohura ndërkombëtare, pasi ato ndihmojnë që tregu të përmirësohet në drejtim të standardeve dhe kjo do të ishte një shtysë për rritje të mëtejshme të vizitorëve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pershendetje, Quhem Aida Lleshi. Aktualisht punoj si menaxhere ne nje Beauty Center. Duke hulumtuar ne internet lexova per bashkepunimin e Hotel Plaza me gjermanet e Maritim. Une kam punuar gati 10 vjet ne Gjermani ne hotel Maritim Shnitterhof ne Bad Sassendorf si assistente menaxhere. Ka qene eksperienca me e bukur e jetes sime.Kam vizituar mbi 10 hotele Maritim ne Gjermani. Te ishte per mua do i kisha vizituar te 42 Maritimet… Megjithese jam e pozicionuar diku tjeter, do me pelqente te punoja perseri per zinxhirin e famshem Maritim. Do isha e nderuar te rikthehesha perseri te punoja per hotel Maritim… Read more »
Mund t’iu drejtohesh burimeve njerezore te Plaza, sepse ne nuk kemi lidhje, vetem kemi bere lajmin