Gjermanët e Mibe dalin nga tregu farmaceutik shqiptar, finalizojnë shitjen e aksioneve të Aldosch (Profarma)

02/09/2016 8:47 AM 0 komente

Kompania gjermane e produkteve farmaceutike Mibe GmbH Arzeimittel ka dalë nga tregu farmaceutik shqiptar. Në gusht 2016, ajo ka përmbyllur transaksionin për të shitur 48% të aksioneve që zotëronte te kompania Aldosch Farma tek aksioneri tjetër Aqif Hoxha. Sipas kontratës së transferimit të kuotave të kapitalit, vlera e kuotave të shitura ishte 730 mijë euro. Pas këtij transaksioni, z. Aqif Hoxha zotëron 100% të aksioneve të Aldosch Farma. Kontrata ishte nënshkruar me kusht në dhjetor të vitit 2013, por detyrimet kontraktuale janë përmbushur në korrik të vitit 2016, sipas transaksionit të regjistruar në QKR dhe vetëm në gusht 2016 është reflektuar ndryshimi i aksionerëve.

ALDOSCH, me aktivitet në tregtimin me shumicë dhe pakicë, import-eksport dhe shitje me shumicë të produkteve farmaceutike, zotëron ndërkohë edhe 48.5% të aksioneve të kompaisë së prodhimit të barnave, Profarma.

Kompania gjermane Mibe GmbH bleu 100% të aksioneve të Aldosch Farma në vitin 2009. Në vitin 2013, Mibe GmbH i shitit zotit Aqif Hoxha te 49% te pjeseve te Aldosch Farma.

Aldosch Farma kishte një xhiro vjetore prej rreth 1.89 miliardë lekësh në 2015-n, sipas tatimeve, me një rritje vjetore prej 60%. Ndërsa kompania tjetër e prodhimeve farmaceutike, Profarma, ku Aldosch ka 48.5% të aksioneve (pjesën tjetër e zotëron kompania gjermane Dermapharm) kishte të ardhura 1.92 miliardë lekë, edhe kjo me një rritje të ndjeshme prej 55% dhe fitime para taksave prej 366 milionë lekë, sipas bilancit në QKR.

Mibe GmbH është një kompani gjermane e krijuar në vitin 2003 në Leipzig/Halle dhe ka një fabrikë ultramoderne të produkteve farmaceutike. Pothuajse të gjitha produktet që shet grupi DERMAPHARM janë prodhuar atje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of