Gjermanët e WAZ do tërhiqen nga Vizion Plus

11/07/2012 5:49 PM 0 komente

67% e aksioneve do të kalojnë sërish te Adrian Dulaku, Artan Dulaku dhe Genc Dulaku. Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur lajmin…

Investitorët më të mëdhenj të huaj në një media shqiptare tërhiqen pas disa vitesh nga Shqipëria. Gjermanët e WAZ Media Group, një nga grupet më të mëdha mediatike në Europë dhe deri kohët e fundit të pranishëm gjerësisht në rajon, do të shesin sërish zotërimet e tyre në Vizion Plus, duke kthyer tek aksionerët fillestarë 67% të aksioneve. Lajmi bëhet i ditur nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas tij, “Në datën 02 Korrik 2012, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e përqendrimit të propozuar në përputhje me nenin 10, pika 1, shkronja b të Ligjit Nr.9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, me objekt ndyshimin e kontrollit në shoqërinë Media Vizion Sha nëpërmjet transferimit të aksioneve të OST Holding Gmbh dhe Media Holding Beteiligungs AG tek aksionerët e tjere.

Ky transaksion i përbërë nga dy faza konsiston në:

a. Transferimin e 40% të aksioneve të aksionerit OST Holding Gmbh tek aksionerët e tjere, Adrian Dulaku, Artan Dulaku dhe Genc Dulaku.

b. Transferimin e 27% të aksioneve të aksionerit Media Beteiligungs AG tek aksionerët e tjerë, Adrian Dulaku, Artan Dulaku dhe Genc Dulaku.

Shoqëria Media Vizion ushtron veprimtari në fushën e transmetimeve radio-televizive me shpërndarje me anë të valëve dhe via kavo”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

WAZ Media Group bleu 67% të aksioneve të Vizion Plus disa vjet më parë. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku kishte hyrë kryesisht në median e shkruar, në Shqipëri ata vendosën të blinin një media elektronike, duke i qëndruar larg tregut jo fitimprurës të gazetave. Por tashmë dhe media elektronike,- ku të ardhurat për frymë nga reklamat në Shqipëri konsiderohen më të ulëtat në rajon- , duket se nuk ka përbërë interes për grupin mediatik gjerman. Ky i fundit është tërhequr dhe nga zotërimet e tij edhe në Serbi, kryesisht për shkak të problemeve politike.

Struktura aktuale e aksionerëve të Media Vizion, sipas Qendrës Kombëtare  të Regjistrimit është:

Emri   Përqindja e aksioneve
Artan Dulaku            8,24
Genci Dulaku            8,25
Adrian Dulaku            8,25
Eleonora Comarin            8,25
OST Holding GmbH           40
Media Holdings Beteiligungs AG           27

Burimi: QKR

Tërheqja e paralajmëruar nga rajoni

Bodo Hombach, ish drejtor i grupit gjerman WAZ Media, rreth dy vjet më parë ishte mjaft kritik lidhur me abuzimin me fuqinë dhe lidhjet mes qeverive dhe oligarkëve në Europën Juglindore.

Ai foli në atë kohë për një tërheqje të plotë të planifikuar nga rajoni, që sipas tij motivohej nga klima e pafavorshme e biznesit e shkaktuar nga “abuzimi i përhapur me pushtetin.”

“Ndërveprimi i ngushtë mes oligarkëve dhe fuqive politike po e helmon tregun,” deklaroi ai.

Që prej asaj kohe WAZ është tërhequr gradualisht nga Serbia dhe Bullgaria.

Në tërësi ai u shpreh për një mungesë besimi në të gjithë rajonin e Europës Jug Lindore.

“Oligarkët në Ballkan po blejnë gjithnjë e më shumë për vete në mënyrë që të zgjerojnë influencat politike, jo në mënyrë që të fitojnë para. Ne nuk mund të përballemi me një konkurrencë në një treg të tillë të shtrembëruar,” tha Hombach.

Përkeqësimi i tregut të reklamave në rajon gjithashtu është një motiv për tërheqjen e WAZ.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of