Qeveria gjermane do të mund të blejë aksione në kompanitë e energjisë që po përballen me kostot e rritjes së çmimeve të importit të gazit, sipas një projektligji të ri të parë nga Reuters, pasi Berlini po përpiqet të forcojë mbrojtjen e tij në një luftë të thellë ekonomike me Moskën.
Ligji i ndryshuar, i cili mund të prezantohet në parlament këtë javë, mund t’i japë gjithashtu të drejtën qeverisë për të vendosur taksa emergjente ndaj konsumatorëve, megjithëse mbetet ende e paqartë se sa shpejt mund ta ushtrojë qeveria këtë të drejtë.
Qeveria e kancelarit Olaf Scholz po përpiqet të përballojë ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke paralajmëruar se ndërmarrjet mund të përballen me një kolaps të modelit të “Lehman” nëse nuk arrijnë t’ua kalojnë kostot konsumatorëve.
“Ne duhet të përgatitemi për faktin se kjo situatë nuk do të ndryshojë në të ardhmen e parashikueshme. Me fjalë të tjera, ne ndodhemi përballë një sfide historike,” u tha Scholz gazetarëve pas takimit me drejtuesit e sindikatave dhe shoqatave të punëdhënësve, ku u diskutua mbi krizën e kostos së jetesës.
Sipas propozimeve të reja për energjinë, qeveria do të jetë në gjendje të marrë aksione me të drejta vote ose jo në ato kompani që lidhen me infrastrukturën kritike, nëpërmjet disa mekanizmave të njëjtë që u përdorën për të shpëtuar kompanitë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Ndryshimet në ligj po diskutohen aktualisht midis ministrive të qeverisë dhe mund të paraqiten në parlament të premten.
Zyrtarët kanë biseduar me Uniper, blerësin më të madh të gazit rus në Gjermani, për një paketë të mundshme shpëtimi. Lajmet për ndryshimet e propozuara legjislative bënë që vlera e aksioneve të bie me 24% të hënën, pasi investitorët druhen nga rreziqet e shtetëzimit.
Uniper tha javën e kaluar se po diskutonte mbi garancitë e mundshme, mbi mundësitë për lehtësimin e kredive apo edhe për skenarin ku shteti mund të marrë një pjesë të aksioneve të kapitalit. Burimet thanë për Reuters se qeveria, si zgjidhje të fundit, mund të konsiderojë blerjen e një pjese të aksioneve të Uniper.
Një ndihmë e mundshme për Uniper mund të bazohet te lehtësirat që u ofruan gjatë pandemisë për linjën ajrore Lufthansa, e cila u shpëtua nga falimentimi gjatë pandemisë së koronavirusit me një paketë ndihme prej 9 miliardë euro, sipas burimeve të qeverisë.
“Qeverisë federale duhet t’i jepen opsione të ngjashme me atë të ndihmës që dha për Lufthansën,” tha burimi.
Paketa e shpëtimit për linjën ajrore Lufthansa bëri që shteti të merrte 20% të aksioneve në linjën ajrore përmes Fondit të Stabilizimit Ekonomik, por pa qenë në gjendje për të ushtruar të drejtat e votës së aksionerëve.
Linja ajrore nuk u lejua që të blente kompani të tjera derisa të ishte shlyer 75% e ndihmës shtetërore, ndërsa aksionerët dhe menaxherët e saj nuk mund të përfitonin nga paratë e taksapaguesve, që do të thotë se u pezulluan pagesat e dividentëve dhe të bonuseve.
Çmimet stratosferike
Shumë dekada pas derregullimit të tregjeve të energjisë, qeveritë në të gjithë Europën po ndërhyjnë për të mbështetur kompanitë e energjisë që po përballen me çmime të larta, duke mbrojtur gjithashtu edhe konsumatorët nga rritja e kostove.
Disa furnizues të energjisë në Europë kanë falimentuar gjatë vitit të kaluar. Këto kompani kishin kontrata afatgjata me klientët dhe nuk ishin në gjendje t’ua kalonin rritjen e shpejtë të çmimeve konsumatorëve.
Rusia është furnizuesi kryesor i Gjermanisë me gaz, duke e bërë këtë vend më të ekspozuar se shtetet e tjera europiane ndaj një lufte ekonomike me Moskën.
Përkeqësimi i krizës së gazit ka sjellë paralajmërime për një recesion të mundshëm në ekonominë më të madhe të Europës. Bankierët kryesorë i ngritën këto shqetësime në një konferencë në Frankfurt, ku Commerzbank deklaroi se rreziqet ishin të krahasueshme me krizën europiane të borxhit rreth një dekadë më parë.
Gjermania ka akuzuar Rusinë për ndërprerjen e furnizimeve të energjisë në Europë përmes preteksteve të rreme, në një hakmarrje për sanksionet e vendosura nga Perëndimi për luftën në Ukrainë. Gjermania po vëzhgon nga afër nëse flukset do të rifillojnë normalisht pas mirëmbajtjes së planifikuar në periudhën 11-21 korrik.
Rusia e ka mohuar se e ka bërë këtë dhe deklaron se është një furnizues i besueshëm i energjisë që respekton kontratat e saj. Uniper tha se, për momentin, kompania po furnizohej me rreth 40% të sasisë normale të gazit nga Rusia.
Kontratat standarde mujore të gazit në Holandë u rritën me 13.6% duke shkuar në 167 euro për megavat orë (MWh) të hënën, niveli më i lartë që nga data 8 mars. Çmimi mbetet nën nivelin rekord, por është rreth 500% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Qeveria e Gjermanisë ka paralajmëruar për mungesa të mundshme të energjisë dhe racionim në muajt e dimrit, nëse nuk arrin të sigurojë sa më shpejt rezervat e saj të gazit.
“Shpresa për të mbushur objektet e magazinimit të gazit deri në një farë mase për në dimër mund të vritet nga Rusia në çdo kohë. Atëherë nuk do të mbetet pothuajse asnjë mundësi kompensuese,” thuhet në një shënim nga Sentix, e cila gjurmon moralin e investitorëve në eurozonë.
“Në Gjermani, duhet të tejkalohen disa kufij ideologjikë për të parandaluar një situatë të ngjashme me atë të Lehman në sektorin e energjisë,” thuhej në këtë shënim, duke iu referuar bankës amerikane, falimentimi i së cilës shkaktoi krizën financiare të vitit 2008./ Reuters