Koronavirusi është riaktivizuar në shumë vende europiane, një sinjalizim që vala e dytë e virusit tashmë ka ardhur.
Gjermania është një nga vendet që po lufton me një valë të rasteve të reja. Vetëm në 24 orët e fundit ka regjistruar nivelin më të lartë të rasteve të reja që nga fillimi i epidemisë në muajin mars.
Sipas autoriteteve shëndetësore, 11,287 raste me Covid-19 u identifikuan në një ditë të vetme, ndërsa 30 persona humbën jetën.
Edhe Italia, një nga vendet më të goditura nga virusi në Europë, po përballet me një rritje të konsiderueshme të të infektuarve.
Në raportimin e fundit, 127 persona humbën jetën nga Covid-19, ndërsa 15,199 të tjerë rezultuan pozitivë, një rritje kjo e konsiderueshme krahasuar me një ditë më parë ku u raportuan 10.871 raste.
Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, tha se qeveria është “duke punuar ditë e natë” për të shmangur një bllokim të dytë.
“Kjo varet nga ajo që ne do të jemi në gjendje të bëjmë në javët e ardhshme,” tha ai.
Rekord të infektuarish edhe në Mbretërinë e Bashkuar
Mbretëria e Bashkuar regjistroi 26,688 infeksione të reja me koronavirus në 24 orë, rritja më e lartë ditore e rasteve që nga fillimi i pandemisë.
Autoritetet gjithashtu raportuan 191 viktima të mërkurën, duke e çuar numrin e të vdekurve në të gjithë vendin në 58,164.
Shifrat e larta gjithashtu mund të jenë edhe për shkak të faktit se më shumë testime po kryhen tani krahasuar me valën e parë të pandemisë në Britani.
Spanja e Franca tejkalojnë 1 milion raste me Covid-19
Spanja tejkaloi 1 milion raste me Covid-19 të mërkurën, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Autoritetet spanjolle thonë se një total prej 1,005,295 raste me Covid-19 janë diagnostikuar që nga fillimi i pandemisë. Ndërsa të paktën 34,366 persona kanë humbur jetën.
Franca, u bë vendi i dytë në Europë që arriti në 1 milion të infektuar.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins (JHU) numri i të infektuarve është 1.000,369, ndërsa i viktimave është mbi 34 mijë.
Covid-19 u shpall pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 mars.
Deri më sot, më shumë se 41.1 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus në të gjithë botën, ndërsa janë regjistruar mbi 1.12 milionë viktima./CNN