Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn i ka bërë thirrje Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) që të miratojë vaksinën e koronavirusit të prodhuar nga Pfizer-BioNTech para Krishtlindjeve.
“Qëllimi ynë është të arrijmë aprovimin para Krishtlindjes, që të jemi në gjendje të fillojmë vaksinimin këtë vit. Por EMA është ajo që vendos në fund, tha Spahn për median gjermane ZDF.
Qeveria gjermane po përballet me kritika sepse vaksina Pfizer-BioNTech, e zhvilluar në Gjermani, tashmë ka marrë autorizime të përdorimit urgjent në disa vende, por jo në Bashkimin Europian.
“Është e vështirë të kuptohet pse autoriteti rregullator i Shteteve të Bashkuara, FDA, mund ta menaxhojë këtë në një hark kohor shumë më të shkurtër sesa EMA. Nëse ka vonesa të tjera, qeveria gjermane duhet të vlerësojë nëse një autorizim kombëtar mund të bëhet i nevojshëm”, shkruan Shoqata e Spitaleve Gjermane.
Gjermania aktualisht po përballet me një rritje të madhe të infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Vendi ka raportuar një total prej më shumë se 1.35 milionë raste dhe ka regjistruar mbi 22 mijë vdekje, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins./CNN