Gjermania ka nevojë për nxitje fiskale. Ja se çfarë duhet të bëjë

06/09/2019 10:02 PM 0 komente

Ekonomia ka nevojë si për investime të mëdha afatgjata, si dhe për një nxitje të përkohshme

 

Bundesbank paralajmëroi së fundmi se Gjermania së shpejti mund të hyjë në recesion, shkruan The Economist.

Ekonomia u tkurr në tremujorin e dytë të vitit dhe dy tkurrje tremujore të njëpasnjëshme shpeshherë konsiderohen si treguesi kryesor i një rënieje të mundshme. Në qershor, prodhimi industrial ishte 5.2% më i ulët se një vit më parë, njëkohësisht edhe rënia më e lartë në më shumë se një dekadë. Disa investitorë shpresojnë se menaxhimi i këtyre lajmeve të zymta do të bindë Gjermaninë se lëvizja e duhur për ta kaluar këtë situatë të vështirë është pikërisht stimuli fiskal.

Një ditë përpara paralajmërimit të Bankës Qendrore, Olaf Scholz, ministri i Financave, tha se qeveria mund të përballojë një goditje në financat e saj me vlerë prej 50 miliardë eurosh (56 miliardë dollarësh amerikanë), rreth 1.4% e PBB-së. Fatkeqësisht, z. Scholz po tregohet pak i gatshëm për t’i përdorur ato para tani. Edhe kancelarja gjermane, z. Merkel është shprehur se nuk e sheh aspak të nevojshme përdorimin e tyre në këto momente. Kjo është për të ardhur keq, sepse ky është pikërisht rasti kur përdorimi i stimulit fiskal për të luftuar rënien po shndërrohet në diçka stresuese. Ka argumente që duhen bërë kundër deficiteve më të larta kur ekonomitë dobësohen dhe inflacioni është i ulët. Shpenzimet mund të bëhen të papërballueshme, sepse qeveria është e zhytur në borxhe.

Disa kritikë argumentojnë se u takon bankierëve qendrorë dhe jo ministrave të Financave që të përballojnë situatën e vështirë ekonomike. Një shqetësim në këtë drejtim është se sa më shumë të rritet huamarrja, aq më shumë do të rriten normat e interesit, duke penguar investimet e sektorit privat.
Asnjë nga këto pasoja të mundshme nuk është e vërtetë për Gjermaninë. Stimuli fiskal është lehtësisht i përballueshëm. Qeveria gjermane mund të përballojë një huamarrje me kohëzgjatje 30-vjeçare dhe madje me norma interesi negative.

Për rrjedhojë, ajo mund të shpenzojë dyfishin e vlerës që sugjeron z. Scholz dhe sërish të jetë në gjendje që mbajë në nivel të qëndrueshëm, raportin e borxhit ndaj PBB-së, në rreth 60% të PBB-së. Bankierët qendrorë janë të shqetësuar. Normat afatshkurtra të interesit nuk mund të vazhdojnë të bien edhe më tej. Banka Qendrore Europiane ka mundësi që të fillojë të blejë më shumë asete gjatë këtij muaji, gjë kjo që do t’i vijë në ndihmë, por gjithsesi mund të mos jetë e mjaftueshme. Normat negative të interesit janë tregues se Europa është e lodhur nga kursimet e vazhdueshme dhe nga mungesa e planeve për t’i vënë ato në përdorim. Nëse Gjermania do të vendosë t’i përdorë ato për të përmirësuar infrastrukturën “e kalbur”, edhe firmat e saj ndoshta do të investojnë më shumë dhe jo më pak.

Vendi ka nevojë për politikë fiskale më të gjerë, si në planin afatgjatë ashtu edhe në atë afatshkurtër. Gjermania ka sakrifikuar thuajse gjithçka me qëllim që të arrijë të përmbushë objektivin më të rëndësishëm dhe të mos ketë asnjë borxh të ri në bilancin shtetëror. Si pasojë, ajo e ka lënë infrastrukturën në një gjendje të mjerueshme. 11% e urave në Gjermani janë në një gjendje të keqe dhe një pjesë e hekurudhave të saj janë shumë të dëmtuara.

Gjermania duhet të zëvendësojë ndalimin e rritjes së deficitit me një rregull që lejon huamarrjen për shpenzimet e investimeve. Ajo duhet të përdorë reduktimin e taksave për të inkurajuar firmat private, sidomos ato të sektorit të inovacionit, të cilat nuk janë shumë të zhvilluara dhe të investojë më shumë në sektorin e kërkim-zhvillimit.

Edhe pse papunësia është vetëm në 3.1%, Bundesbank ka paralajmëruar që ajo mund të rritet shumë shpejt. Ekonomia brenda vendit nuk mund të përballojë në përjetësi kushtet tejet të ashpra të tregtisë globale. Ideale do të ishte nëse politika fiskale do të përdorej për të parandaluar një rënie të thellë të mundshme. Nëse një stimul parandalues do të rezultonte të ishte i nxituar, më e keqja që mund të ndodhë është që inflacioni të arrijë në nivele pak më të larta se 1,1% aktual, i cili në çdo rast do të ndihmonte Bankën Qendrore Europiane të arrinte objektivin e inflacionit afër 2%. Një inflacion pak më i lartë do të nxiste edhe pabarazitë në konkurrencën midis Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Eurozonës.

Fatkeqësisht, projektet e infrastrukturës kërkojnë një kohë të gjatë për t’u zhvilluar dhe më pas për t’u realizuar dhe gjatë kësaj kohe, ato mund të përballen edhe me pengesa të shumta. Gjëja më e mirë për t’u bërë në këtë drejtim do të ishte mbështetja e një programi afatgjatë të investimeve në infrastrukturë me anë të një nxitje të menjëhershme, nëpërmjet, për shembull, uljes së taksave të pagave, të krijuara për të parashikuar një rënie të mundshme.

Gjermania do të përfitonte shumë nëse ajo do të ndiqte një linjë të tillë, por nëse jo, nëse ajo do të vazhdojë të hedhë poshtë idenë e një stimuli fiskal, atëherë do të rrezikojë shumë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of