Gjermania kërkon marrëveshje me BE për të mbajtur mbyllur vendpushimet e skive deri në janar

26/11/2020 11:13 AM 0 komente

Gjermania po kërkon një marrëveshje me vendet e Bashkimit Europian për të mbajtur vendpushimet e skive të mbyllura deri në fillim të janarit, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Unë do ta them këtë hapur se nuk do të jetë e lehtë, por ne do të përpiqemi,” tha kancelarja Angela Merkel pasi foli me udhëheqësit rajonalë të Gjermanisë.

Lajmi erdhi ndërsa vendi zgjati bllokimin e tij të pjesshëm deri në 20 dhjetor.

Disa nga pikat e nxehta të hershme europiane të koronavirusit ishin në vendpushimet e skive, të cilat ndihmuan në përhapjen e virusit në të gjithë kontinentin.

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka mbështetur tashmë shtyrjen e fillimit të sezonit të skive, por ka theksuar nevojën për një zgjidhje europiane.

“Nëse Italia vendos të mbyllë të gjitha vendpushimet e saj të skive pa ndonjë mbështetje nga Franca, Austria dhe vendet e tjera, atëherë turistët italianë do të rrezikonin të shkonin jashtë vendit dhe të ktheheshin të infektuar përsëri në shtëpi”, tha ai për mediat italiane.

Shumë italianë drejtohen drejt qendrave të skive gjatë pushimeve për krishtlindje dhe Vitin e Ri, dhe kjo periudhë është një pjesë jetike e ekonomisë lokale në të gjithë Europën.

Presidenti francez Emmanuel Macron e bëri të qartë të martën se vendpushimet e skive në Francë do të qëndrojnë të mbyllura deri në Vitin e Ri.

Por Austria ka shprehur shqetësim rreth një plani në të gjithë BE-në. Ministri i Financave Gernot Blümel ka thënë se nëse Bashkimi Europian detyron zonat e skive të qëndrojnë të mbyllura, “atëherë ata do të duhet të paguajnë për to”. Kompensimi do të shkojë në miliarda euro.

Zvicra nuk është pjesë e Bashkimit Europian dhe, ndryshe nga destinacionet e tjera Alpine, vendpushimet e saj të skive janë tashmë të hapura, kështu që skiatorët e vendeve fqinje mund të kalojnë pushimet e dimrit atje.

Të mërkurën, qeveria gjermane njoftoi gjithashtu zgjatjen e bllokimit të pjesshëm, me rregulla më të rrepta që kufizojnë mbledhjet private në pesë persona nga dy familje, vendim që hyn në fuqi javën e ardhshme, megjithëse fëmijët nën moshën 14 vjeç janë të përjashtuar.

Udhëheqësit gjermanë gjithashtu kanë zbuluar planet për Krishtlindje, duke lejuar takimin e deri në 10 personave nga 23 dhjetori deri më 1 janar.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se Europa po përballej me një rritje të shpejtë të rasteve.

Kufizimet e rivendosura kanë çuar në një ulje të infeksioneve të reja në disa vende, por ekziston frika se pandemia mund të përkeqësohet gjatë dimrit./BBC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of