Gjermania mbështet Shqipërinë me aparatura, kapacitetet e terapisë intensive janë rritur me 50%

23/09/2020 2:37 PM 0 komente

Kapacitetet e terapisë intensive në aparatura jetëshpëtuese janë rritur me 50% për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e koronavirusit, dekalroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë ceremonisë së dorëzimit të 10 respiratorëve të rinj nga ambasadori gjerman në Tiranë, në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”.

Për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, po përgatitemi me disa skenarë, shtoi ministrja.

“Falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, Bashkimit Europian dhe partnerëve të tjerë kemi arritur të dyfishojmë flotën e aparaturave në terapinë intensive. Jemi përpara një situate e cila është serioze. Kemi rreth 200 pacientë të shtruar në të dy spitalet Covid. Por falë angazhimit të qeverisë, për të fuqizuar kapacitetet spitalore, vetëm në skenarin e parë ne kemi të dedikuar më shumë se 500 shtretër në dispozicion të qytetarëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor. Në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi forcuar akoma më shumë kapacitetet e spitaleve rajonale, duke dyfishuar shtretërit në dispozicion të trajtimit të Covid-19”.

Manastirliu deklaroi se do të intensifikohen inspektimet në terren, në shkolla, aktivitete biznesi etj, për respektimin e masave anti-covid.

“Kjo nuk është një luftë që fitohet vetëm me rritjen e kapaciteteve, por ka shumë rëndësi sjellja e qytetarëve. Strukturat tona po vijojnë punën në terren për të monitoruar zbatimin e masave antiCOVID në aktivitete biznesi, në shkolla dhe në aktivitete të tjera, pasi është shumë i rëndësishëm zbatimi i masave, për të patur një ecuri të kontrolluar të epidemisë”, tha Manastirliu.

Plani vjeshtë-dimër për përballimin e Covid-19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of