Kërkon kuadër ligjor
Gjermania mirëpriti projekt-propozimin e BE-së për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi eliminimin gradual të makinave të reja me motor me djegie të brendshme, e parashikuar në vitin 2035, por i bëri thirrje Brukselit që të japë garanci më të qarta mbi lejimin e automjeteve me karburante sintetike edhe përtej këtij afati.
Në një letër drejtuar Komisionit Europian, të parë nga Reuters të premten, ministri gjerman i Transporteve përshëndeti propozimet e ekzekutivit të BE-së që lejojnë automjetet me motor me djegie të përdorin ekskluzivisht lëndë djegëse sintetike, por kërkoi një legjislacion që lejon regjistrimin e tyre pas vitit 2035.
Kundërshtimet e minutës së fundit të ministrisë në fillim të muajit e detyruan BE-në të shtyjë votimin e një ligji të rënë dakord vitin e kaluar, pas disa muaj bisedimesh, për t’i dhënë fund shitjes së makinave që emetojnë dioksid karboni në vitin 2035, duke e bërë të pamundur shitjen e automjeteve të reja me motor me djegie të brendshme.
Reuters raportoi në fillim të javës se Komisioni Europian u përpoq të kapërcente këtë ngërç me një projekt-plan të ri, për të lejuar shitjen e makinave me motor me djegie, vetëm nëse përdorin karburante ekologjike neutrale për klimën.
Edhe pse e përshëndeti propozimin, ministri gjerman i Transporteve tha në letrën e tij se ajo duhet t’i dorëzohet, pa vonesë, Komitetit Teknik për Automjetet me Motor të Komisionit.
Ai deklaroi gjithashtu se licencimi i automjeteve që përdorin karburante ekologjike duhet të llogaritet në objektivat për emetimet e CO2 të BE-së për automjetet e pasagjerëve dhe ato të lehta komerciale.
Në një tweet të premten, Volker Wissing, ministri i Transporteve, shkroi: “Duam që në të ardhmen makinat që përdorin karburante ekologjike të mund të regjistrohen sërish”.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.