Ambientalistët kërkojnë fikjen e dritave
“Gjithçka është e shndritshme” në ditën e Krishtlindjes, ose të paktën kështu thotë kënga më e famshme e Krishtlindjeve në Gjermani, “Stille Nacht” (Natë e shenjtë, natë e qetë).
Por, a do të ishin Krishtlindjet me më pak shkëlqim zgjidhja më e mirë për këtë vit, në rrethanat kur Europa po përballet me rritjen e faturave të energjisë dhe me mungesat e furnizimeve me gaz?
Kështu mendon një grup për mbrojtjen e mjedisit në Gjermani. Deutsche Umwelthilfe i ka bërë thirrje qeverisë që t’u komunikojë qytetarëve që të fikin dritat e Krishtlindjeve, për të kursyer energji, për sa kohë që Rusia ka kufizuar në mënyrë të rreptë furnizimet me gaz natyror.
Qeveria gjermane ka prezantuar një sërë masash për të kursyer energji këtë dimër, duke përfshirë uljen e temperaturave maksimale në ambientet e mbyllura të ndërtesave publike dhe në zyra, si dhe fikjen e dritave të monumenteve të kryeqytetit, duke përfshirë Portën e famshme të Brandenburgut.
Megjithatë, asnjë nga këto rregulla nuk aplikohet për qytetarët në mënyrë individuale.
Por, me afrimin e Krishtlindjeve, çështja e energjisë së harxhuar në tregjet e famshme të Krishtlindjeve dhe në dekorimet e kësaj feste, është ngritur nga shumë njerëz.
“Atmosfera festive nuk përfshin çmenduritë me drita”
Deutsche Umwelthilfe (DUH), një organizatë jofitimprurëse dhe e pavarur politikisht, e cila ka punuar për mbrojtjen e mjedisit dhe për të promovuar një mënyrë jetese të qëndrueshme gjatë 40 viteve të fundit, thotë se dritat e Krishtlindjeve në shtëpi, në banesa dhe në qytete, duhet të fiken këtë vit.
“Ne nuk po kërkojmë që të mbyllen tregjet e Krishtlindjeve”, sqaron Jürgen Resch, Drejtor i Përgjithshëm i DUH, duke folur për Euronews.
“Ato duhet të organizohen këtë vit. Por, atmosfera festive nuk përfshin çmenduritë me drita dhe ndriçim, si në vitet e mëparshme,” shton ai.
Resch sugjeron që kufizimi i dritave të Krishtlindjeve këtë vit mund të sjellë festime më të ekuilibruara.
“Festimet e qeta ndoshta do të kenë më shumë gjasa të nisin, nëse jemi më selektivë me dekorimet tona në këtë periudhë të veçantë të vitit,” tha ai.
“Në Zvicër, disa zinxhirë dyqanesh nuk do të vendosin ndriçimet speciale të Krishtlindjeve në ndërtesat e tyre. Ky është një shembull që duhet ta marrë edhe Gjermania”.
Sipas Resch, konsumatorët familjarë kanë përdorur gjashtë për qind më shumë energji elektrike për ndriçimet e Krishtlindjeve krahasuar me një vit më parë, duke arritur në një konsum total prej 623 milionë kwh, aq sa është konsumi vjetor i një qyteti me 400,000 banorë.
Me këto të dhëna, fikja e dritave të Krishtlindjeve mund të jetë një hap revolucionar, jo vetëm për kursimin e energjisë, por edhe për mbrojtjen e klimës.
“Vitet e fundit është rritur ndjeshëm ndriçimi i tepërt i shtëpive private, i fasadave të pallateve dhe i kopshteve të zbukuruara me mijëra drita. Ky ndriçim duhet moderuar.”
Cilat janë vendet e tjera ku po merren masa për reduktimin e dritave të Krishtlindjeve?
Edhe qytete të tjera në vende si Spanja dhe Portugalia kanë marrë masa për të reduktuar ose për të fikur totalisht dritat e Krishtlindjeve këtë vit.
Kryetari i bashkisë së Alicantes në Spanjë ka bërë një propozim që të gjitha bashkitë në Valencia të heqin 20 për qind të dritave të Krishtlindjeve këtë vit.
Javën e kaluar, qeveria portugeze publikoi disa udhëzime që rekomandojnë ndezjen e dritave të Krishtlindjeve vetëm ndërmjet orës 18:00 e deri në mesnatë, nga 6 dhjetori deri më 6 janar.
A do t’i fikë Gjermania dritat e Krishtlindjeve?
Gjermania është shumë e lidhur me traditat e festimeve të Krishtlindjeve. Tregjet e saj të Krishtlindjeve janë ndër më të famshmet në botë dhe ky vend ndjek një sërë traditash me rastin e këtyre festimeve.
Në prag të Krishtlindjeve, familjet gjermane pjekin biskotat tradicionale, ndezin një qiri çdo të diel për katër javë dhe pinë “Feuerzangenbowle” (një version shumë i fortë i verës së zier, mbi të cilën ndizet sheqer me rum) dhe Glühwein.
Është e vështirë të merret me mend se si ndihen gjermanët për kufizimin e festimeve këtë dimër, gjatë periudhës së Krishtlindjes. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se gjermanët nuk e kanë traditë të dekorojnë shtëpitë e tyre me mijëra drita, siç bëjnë njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA.
Mbetet për t’u parë nëse pemët e mëdha të Krishtlindjeve që dominojnë qendrat e qyteteve gjermane dhe dritat që zbukurojnë tregjet tradicionale, do të fiken këtë vit. / Euronews