Gjermania ka bërë një hap më shumë drejt racionimit të gazit pas një rënieje drastike të furnizimeve nga Rusia, duke thënë se vendimi i Moskës për të përdorur si “armë” eksportet e saj të energjisë e kishte futur ekonominë më të madhe të Europës në një “krizë të gazit”.
Berlini nisi fazën e dytë të planit kombëtar të emergjencës për gazin, nëntë ditë pasi Rusia reduktoi furnizimin me gaz përmes tubacionit Nord Stream 1 në Detin Baltik me 60 për qind.
“Ne jemi në një krizë të gazit,” tha Robert Habeck, ministri i ekonomisë. “Që tani e tutje, gazi është një produkt që nuk gjendet në sasi të mjaftueshme.”
Ai tha se çmimet që tani kanë arritur nivele të larta, por gjermanët duhet të përgatiten për rritje të tjera. “Kjo do të ndikojë prodhimin industrial dhe do të rëndojë shumë mbi konsumatorët,” tha Habeck. “Është një goditje e jashtme.” Gazi, shtoi ai, po përdorej “si një armë kundër Gjermanisë”.
Kalimi në fazën e dytë të planit sinjalizon se autoritetet shohin mundësinë e një “përkeqësimi të konsiderueshëm të situatës së furnizimeve me gaz”, por megjithatë ato besojnë se tregu mund të përballet me këtë situatë pa qenë nevoja për të përdorur “masa jo të bazuara në treg”.
Kjo do të thotë se faza e dytë e këtij plani nuk do të sjellë racionimin e gazit për kompanitë industriale apo për konsumatorët, por, nëse kalohet në fazën e tretë të planit të emergjencës, atëherë do të ketë racionime. Habeck tha se racionimi “nuk duhet të ndodhë”, por “sigurisht që nuk duhet përjashtuar si mundësi”.
Qeveria tha gjithashtu se nuk do të aktivizonte një ligj që do t’i lejonte kompanitë e energjisë të ndërprisnin kontratat e tyre me klientët dhe të kërkonin çmime më të larta, pas kundërshtimeve për këtë masë që erdhën nga industria.
Kontratat e ardhshme të lidhura me TTF, çmimi i gazit me shumicë në Europë, u rritën me 4.7 për qind të enjten në mëngjes, duke shkuar në 132.25 euro për megavat orë.
Habeck u bëri thirrje gjermanëve që të reduktojnë konsumin e gazit. “Ne të gjithë do të duhet të bëjmë një sakrificë – por ne mund ta bëjmë këtë, në solidaritet me njëri-tjetrin.” Ai tha se qeveria po merrte masa emergjente, si për shembull rivënia në punë e termocentraleve me qymyr. “Kjo është e dhimbshme, sepse termocentralet e qymyrit janë helm për klimën,” tha Habeck, i cili është pjesë e partisë së të Gjelbërve.
Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani janë të mbushura në masën 58 për qind, më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por Habeck tha se, nëse furnizimet me gaz do të mbeten në nivelin aktual, vendi nuk do të mund të arrijë objektivin e tij për ta pasur kapacitetin e magazinimit në 90 për qind deri në dhjetor, pa marrë masa shtesë.
Importuesit e gazit po detyrohen të kompensojnë mungesën e gazit që vinte përmes Nord Stream 1 duke blerë gaz në tregun spot me çmime shumë më të larta.
Habeck e bëri këtë deklartë vetëm disa ditë përpara se Gazprom, kompania gjigande ruse e gazit, do të kryejë mirëmbajtjen vjetore të Nord Stream 1, një lëvizje që do të ndërpresë furnizimet përmes këtij tubacioni.
Zyrtarët janë të shqetësuar se Gazprom mund të ndalojë plotësisht furnizimet me gaz ndërkohë që NS1 do të jetë i mbyllur për riparime.
Carsten Rolle nga BDI, konfederata e biznesit të Gjermanisë, tha se gjatë periudhave të mëparshme të mirëmbajtjeve së planifikuara në NS1, Gazprom e kishte kompensuar mungesën e furnizimeve duke i dërguar Gjermanisë sasi më të mëdha gazi përmes Ukrainës, ose nëpërmjet tubacionit Yamal-Europë përmes Polonisë.
“Por, ekziston frika se ata nuk do ta bëjnë këtë tani,” tha ai. “Ata kanë reduktuar furnizimet përmes NS1 me 60 për qind dhe nuk e kanë kompensuar këtë me rritjen e flukseve përmes tubacioneve të tjera.”
Markus Krebber, shefi ekzekutiv i kompanisë gjermane të energjisë RWE, tha se ishte “shumë e qartë” se vendimi për të reduktuar furnizimet me gaz ishte “politik”, “sepse nuk janë reduktuar vetëm furnizimet me gaz që vijnë nga Nord Stream 1, por janë reduktuar furnizimet edhe nga tubacionet e tjera.”
Rolle tha se Gazprom mund të përdorë gjithashtu mirëmbajtjen e planifikuar në NS1 “si një pretekst për të ndaluar furnizimet me gaz për një periudhë shumë më të gjatë, duke u justifikuar me arsye të ndryshme teknike”.
“Cila është garancia që, në fund të periudhës së mirëmbajtjes, do të vijojnë përsëri furnizimet me gaz?” pyeti James Waddell, një analist në Energy Aspects.
Rusia vazhdon t’ia vërë fajin për ndërprerjen e furnizimeve vonesave në kthimin e turbinave të Siemens Energy, të cilat përdoren nga një stacion i kompresimit në tubacionin NS1. Siemens Energy thotë se sanksionet e Kanadasë kundër Rusisë po e pengojnë atë që të kthejë pajisjet teknike nga një fabrikë në Montreal./ FT