Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të premten se ajo do që ta mbajë Greqinë në eurozonë përmes një regjimi masash të ashpra edhe pse kryeministri grek Antonis Samaras lëshoi një apel të pasionuar se pas gjashtë vitesh recesioni, shteti i tij kishte pak nevojë për frymëmarrje.
Dy liderët folën pas takimeve në kancelarinë e Berlinit, pas një jave ku Berlini dhe Athina kishin shkëmbyer virtualisht përmes medias debatet nëse Greqia do të lejohej që të ngadalësonte përpjekjet e saj për të riformatuar ekonominë dhe reduktimin e deficitit. Z. Samaras kishte argumentuar në një sërë intervistash të profileve të larta se Greqia kishte nevojë për kohë që të nxiste ekonominë sërish, por zj. Merkel ngul këmbë se Greqia duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta.
“Unë dua që Greqia të mbetet pjesë e eurozonës dhe për këtë po punoj,” tha zj. Merkel. “Ne presim nga Greqia që premtimet që janë bërë të zbatohen.”
Z. Samaras komentoi me zemërim lidhur me “deklaratat toksike ” që janë bërë nga disa prej politikanëve gjermanë që i kanë bërë thirrje Greqisë që të lërë eurozonën. Ai tha se komente të tilla ndikonin negativisht te investitorët dhe e bënin më të vështirë për vendin që të vazhdonte me privatizimet, një burim i nevojshëm të ardhurash për të reduktuar deficitin. Ai premtoi se Greqia do të përmbushte detyrimet e veta, që i ka bërë 6 muaj më parë, në këmbim të një pakete shpëtuese prej 173 miliardë euro, por shtoi se kjo do të ishte e mundur vetëm në rast se ekonomia greke fillonte të rritej sërish.
“Ne nuk po kërkojmë më shumë para,” tha ai. “ne po kërkojmë për frymëmarrje, teksa ekonomia po zhytet.”