Largimi i Angela Merkel do të lërë një boshllëk të madh në Gjermani – dhe shumë çështje të pazgjidhura për pasardhësin e saj, thotë Tom Nuttall për The Economist
Në qershor, një segment nga një talk show gjerman i vitit 1997, ndezi internetin. Klipi tregonte Angela Merkel, asokohe ministre e mjedisit në qeverinë e Helmut Kohl, duke shpjeguar sa urgjente ishte nevoja për të marrë masa ndaj ndryshimeve klimatike. Kolegët e panelit dëgjonin me vëmendje kancelaren e ardhshme të Gjermanisë, teksa shpjegonte se vonesat vetëm sa do të shkaktonin kosto më të larta. Rreziqet e dështimit, paralajmëronte ajo, përfshijnë urinë, thatësirën dhe lëvizjen masive të refugjatëve.
Klipi nxorri në pah një kontradiktë të cilën vëzhguesit e zonjës Merkel e kanë vënë në dukje disa herë, përgjatë mandatit të saj 16-vjeçar, që do të përfundojë sapo të formohet një koalicion i ri pas zgjedhjeve të 26 shtatorit. Nga njëra anë, Merkel është një shkencëtare dhe shtetare e zellshme, me aftësinë për të kuptuar çështje komplekse dhe për të shpjeguar pasojat e tyre. Nga ana tjetër, ajo është një politikane tejet e kujdesshme dhe ngurruese, të cilës i duhet kohë për ta kthyer analizën në veprim. Tashmë, një çerek shekulli më vonë, Gjermania emeton më shumë dioksid karboni për banor, se shumica e vendeve të tjera të BE-së, dhe mbështetet në karburantet fosile për 44% të energjisë elektrike. Pasi u shfaq klipi, zonja Merkel, në konferencën e fundit vjetore për shtyp si kancelare, pranoi se nuk kishte reaguar me vendosmëri për ndryshimet klimatike.
Kjo prirje vazhdon të përsëritet. Gjatë fushatës për mandatin si kancelare në vitin 2005, zonja Merkel premtoi të zvogëlojë burokracinë dhe të promovojë risinë, premtime që shfaqen ende në manifestin e partisë së saj Unioni Kristian Demokratik (CDU). Fjalimet e saj dyvjeçare në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ishin bindëse në horizontin e sigurisë globale, por nuk përcillnin ndryshime domethënëse në politikën e jashtme gjermane. Gjatë pandemisë Covid-19, kancelarja ishte një forcë e madhe dhe siguruese, por nuk arriti ta impononte vullnetin e saj ndaj udhëheqësve të shteteve të Gjermanisë.
Ndonjëherë, zonja Merkel është dukur më tepër si një monarke, sesa kancelare. Ajo do të largohet nga zyra me një nivel mjaft të lartë popullariteti. Tre nga katër koalicionet që drejtoi ishin koalicione të mëdha me Partinë Social Demokrate (SPD), të cilat i përshtateshin centrizmit të saj, por ulnin vrullin e politikës. Merkel ka mbizotëruar aq shumë në qendër, saqë kritikat e drejtpërdrejta ndaj saj tingëllonin pothuajse si lèse-majesté. Kjo ka frymëzuar një valë martirësh të fjalës së lirë në skajet konservatore. Në Europë, zonja Merkel ka qenë një udhëheqëse e domosdoshme. Mbrojtja e fortë e vlerave liberale dhe sjellja e saj modeste kanë qenë siguruese në një epokë të populizmit të zhurmshëm dhe showmen-ëve nacionalistë.
Ndërsa zonja Merkel përgatitet për t’u larguar nga detyra, disa kanë pyetur veten nëse largimi i saj do të shoqërohet me një Wechselstimmung (prirje për ndryshim). Këtë e dëshmon rritja e popullaritetit të Partisë së Gjelbër që nga zgjedhjet e vitit 2017, një parti që dëshiron të përmbysë rregullat e rrepta të borxhit publik dhe të rishqyrtojë politikën e jashtme. Në maj, Fondacioni Bertelsmann zbuloi se plot dy të tretat e votuesve dëshironin ndryshime të rëndësishme politike dhe pothuajse po aq dëshironin një qeveri të re.
Disa ngjarje të fundit kanë tronditur besimin e votuesve në shtetin dhe institucionet e tij. Një prej tyre ishte ishte menaxhimi kaotik i valës së dytë të Covid-19, i cili nënvlerësoi një vazhdë suksesi gjatë valës së parë në vitin 2020. Më pas, në korrik ndodhën përmbytjet katastrofike në disa rajone të Gjermanisë Perëndimore, ku neglizhenca e dukshme e disa politikanëve vendas mund të ketë shkaktuar deri në 200 të vdekur. Dështimi në Afganistan, ku 150,000 trupa të Bundeswehr kishin shërbyer që nga viti 2002, ishte gjithashtu i vështirë për t’u gëlltitur.
Megjithatë, një Wechselstimmung ende nuk ka të ngjarë. Gjermania e ka përballuar pandeminë më mirë se shumica e vemdeve të tjera. Shkalla e vdekjeve ishte e ulët dhe përgjigja fiskale e qeverisë, me politika si skema Kurzarbeitergeld, zbuti ndikimin ekonomik. Ekonomia pritet të përjetojë një nga rimëkëmbjet më të fuqishme në Europë. Më shumë se dy të tretat e gjermanëve thonë se gjendja e tyre ekonomike është e mirë. As përmbytjet nuk shënuan një pikë kthimi në politikë. Përkundrazi, fushata monotone zgjedhore tregon se asnjë nga palët nuk mund të arrijë dot një fitore të fortë vendimtare.
Opinioni publik duket se është i ngadaltë dhe i vështirë për t’u zbuluar. Në fakt, aftësia për ta zbuluar atë ka qenë edhe një nga pikat e forta të zonjës Merkel. Ndryshimet e saj politike, ishin zakonisht delikate, por me raste edhe vendimtare: fuqia bërthamore, martesat e homoseksualëve dhe së fundmi, borxhi i përbashkët i Bashkimit Europian.
Hapi i saj më i rrezikshëm ishte vendimi për të mos mbyllur kufijtë gjermanë për mbi 1 milion azilkërkues dhe emigrantë të tjerë në vitet 2015-16. Edhe kjo ishte një përgjigje e improvizuar ndaj një krize të papritur. Ky rregullim afatshkurtër solli vështirësi afatgjata: i hapi derën partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AFD) dhe tensionoi debatin mbi emigrimin, duke e bërë të vështirë liberalizimin e ligjeve të punës. Pesë vjet më vonë, një BE e ndarë, nuk është ende në gjendje të reformojë rregullat e azil-kërkimit, duke e lënë veten të ekspozuar ndaj një krize tjetër.
Frika nga e panjohura
Ekziston një nervozizëm i dukshëm në lidhje me largimin e zonjës Merkel. Këto janë zgjedhjet e para që pas luftës, kur kancelari në detyrë nuk kërkon rizgjedhjen. Fushata ka qenë e paqëndrueshme, dhe epërsia ka kaluar midis të Gjelbërve, CDU-së dhe Unionit Kristian Social (CSU), dhe SPD-së. Duket se për herë të parë që nga themelimi i republikës, do të jetë i pamundur një koalicion dypartiak. Nuk ka qenë ndonjëherë kaq i pasigurt identiteti i kancelarit të ardhshëm dhe përbërja e një koalicioni. Kjo mund të çojë në negociata të gjata post-zgjedhore dhe një qeveri ideologjikisht jo koherente që e ka të vështirë të arrijë objektiva konkrete.
Pjesa tjetër e BE-së është edhe më e paqetë. Gjatë viteve, Merkel ka formësuar përgjigjen e bllokut ndaj krizave, nga përpjekjet për të shpëtuar Eurozonën nga kriza e euros, tek reagimet ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe ngjarje si Brexit. Gjermania qëndron në zemrën e kontinentit dhe një nga përparësitë e kancelares ka qenë qëndresa ndaj forcave që tentojnë t’i përçajnë qeveritë europiane. Ajo ka krijuar marrëdhënie të dobishme me personalitete si Alexis Tsipras, kryeministri grek i të majtës ekstreme që gati e nxori Greqinë nga BE-ja, dhe Viktor Orban, udhëheqësi autokrat i Hungarisë (i cili do t’ja kalojë zonjës Merkel si udhëheqësi më jetëgjatë në BE).
Nga ana politike, Gjermania duket si një ishull i qëndrueshëm në një botë të tronditur. Edhe pse këto zgjedhje duken mjaft të paparashikueshme, asnjë nga palët që ka të ngjarë të hyjë në qeveri, nuk ka mospajtime në çështje themelore si ekonomia e tregut social ose angazhimi ndaj BE-së. Ndryshe nga Franca, ku është rritur së tepërmi popullariteti i Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm; Italia prej kohësh e paqëndrueshme, ku partitë populiste gëzojnë gati mbështetjen e shumicës; apo Polonia, një vend thellësisht i polarizuar i udhëhequr nga një qeveri që cënon sundimin e ligjit.
Të pakta kanë qenë krizat e Europës që kanë trazuar sigurinë e gjermanëve ose që u kanë dhënë atyre arsye për të kërkuar ndryshim. Kaosi politik, shpenzimet e tepërta ose deficitet tregtare janë problemet e të tjerëve. Rritja në epokën e Merkel ka qenë e vazhdueshme, madje edhe spektakolare, dhe institucionet gjermane kanë qenë të fuqishme. Pesë vjet më vonë, ka edhe arsye për optimizëm në lidhje me integrimin e emigrantëve të ardhur në vitet 2015-16. Dhe Gjermania moderne nuk e ka për zakon të përfshihet në aventura ushtarake jashtë vendit.
Kritikët janë të kujdesshëm për të mos i dhënë shumë merita zonjës Merkel. “Suksesi ekonomik i Gjermanisë ka qenë më tepër fat, sesa politikë”, thotë Marcel Fratzscher, i cili drejton Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), në Berlin. Kushtet qenë të favorshme. Anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, hapi një treg të madh për eksportuesit e fuqishëm gjermanë. Zgjerimi në lindje i BE-së disa vjet më vonë, krijoi një grup pune të lirë dhe zinxhirë të zgjeruar furnizimi, dhe një burim emigrantësh të aftë, në moshë pune. Reformat e tregut të punës të nxitura nga Gerhard Schröder, paraardhësi i zonjës Merkel, ulën papunësinë. Fuqia amerikane ka ruajtur paqen që ishte një kusht për suksesin tregtar gjerman. Përplasjet transatlantike mbi shpenzimet gjermane të mbrojtjes kanë pasur pak pasoja serioze.
Megjithatë, një ekonomi e fortë dhe pesha e Gjermanisë në Europë, kanë fshehur një anë të errët në vend: rritja e sektorëve me paga të ulëta, rritja e pabarazisë në të ardhura dhe varfëria e lartë e fëmijëve. Një politikë e gabuar në energji, ka çuar në rritjen e faturave të energjisë elektrike në BE. Qasja e rreptë ndaj financave publike, ka krijuar teprica të mëdha fiskale, ndërkohë që infrastruktura publike është drejt degradimit. Covid-19 ka nxjerrë në pah dobësi të tjera në sektorin publik, veçanërisht dixhitalizimin e tij të ngadaltë. Ka arsye për t’u frikësuar se dekada e ardhshme mund të ekspozojë dështime më të thella.
Zonja Merkel ka qenë një forcë e qëndrueshme gjatë krizave, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në përcaktimin e një drejtimi afatgjatë. Çuditërisht, është e vështirë të gjesh një reformë të vetme madhore, që të jetë miratuar nga ndonjë prej katër qeverive që ajo ka udhëhequr. Kjo sjell në mendje një term të dytë gjerman që duhet të shqetësojë qeverinë e ardhshme: Zukunftsfähigkeit, ose aftësia për t’u përballur me të ardhmen. Për shumë njerëz, kjo është diçka që i mungon jashtëzakonisht vendit dhe me të cilën duhet të përballet pasardhësi i zonjës Merkel.
Dobësitë në modelin gjerman kanë filluar të shfaqen. Varësia e madhe ndaj tregtisë e bën vendin të cenueshëm ndaj rënies së globalizimit. Tensionet në rritje midis Amerikës dhe Kinës rrezikojnë politikat tregtare të zonjës Merkel. Industria e fuqishme e makinave është shumë e ekspozuar ndaj ndërprerjeve të furnizimeve. Mungesa e forcës punëtore do të përkeqësohet ndërsa po afrohet një krizë demografike në mesin e viteve 2020. Synimet e reja klimatike do të kërkojnë ndryshime të thella në industri, ndërtim dhe energji. Ndoshta pjesa më shqetësuese, është se klasa politike duket se ka mësuar nga zonja Merkel se është më mirë të mos i trembësh votuesit me shumë fjalë për transformim, duke lënë vetëm një mundësi të kufizuar për ndryshim.
Gjermania është një shtet i fortë, i pasur dhe demokratik që duhet të ketë një të ardhme të ndritur. Ky raport special thjesht vë në dukje pikat e dobëta burokratike, demografike dhe të sigurisë, për të vlerësuar se ku është më urgjent ndryshimi. Ai duhet të fillojë me një vështrim në investimet publike shumë të ulëta të vendit./Përktheu: Lira Muça