Drejtuesit e shteteve federale të Gjermanisë kanë rënë dakord mbi një projekt-propozim për të frenuar festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, përpara një takimi thelbësor që do të mbahet me kancelaren gjermane Angela Merkel ditën e mërkurë.
Propozimi përfshin sugjerimin që deri në 10 persona mund të festojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri së bashku, megjithëse fëmijët deri në moshën 14 vjeç janë të përjashtuar. Masat e propozuara do të jenë efektive nga 23 Dhjetori deri më 1 Janar, sipas burimeve të CNN.
Gjithashtu krerët e shteteve janë vendosur të ndalojnë fishekzjarret në zonat publike të njohura në prag të Vitit të Ri për të shmangur grumbullimin e turmave të mëdha.
Franca pritet të lehtësojë bllokimin në tre faza
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të njoftojë një lehtësim të lehtë të masave të bllokimit të vendit që kanë hyrë në fuqi që nga 30 tetori.
Macron do të publikojë mbrëmjen e kësaj të marte planin e ri për të dalë nga bllokimi me tre faza, sipas Gabriel Attal, një zëdhënës i qeverisë franceze.
“Lehtësimi do të bëhet në tre faza në funksion të situatës shëndetësore dhe rreziqeve të lidhura me disa biznese: një hap i parë është rreth 1 dhjetorit, pastaj para pushimeve në fund të vitit dhe më pas nga janari i vitit 2021”.
Attal tha se udhëtimet do të vijojnë të jenë të kufizuara për të shmangur një shpërthim tjetër të pandemisë.
Të hënën, agjencia shëndetësore franceze raportoi se niveli i pozitivitetit të njerëzve e testuar është në nivelin më të ulët në më shumë se një muaj, me 13.3%. edhe numri i pacientëve të shtruar në spitale ka rënë. Në raportimin e fundit 500 persona kanë humbur jetën nga virusi, duke e çuar numrin e viktimave në Francë në mbi 49 mijë./CNN