Qeveria gjermane, sipas disa raportimeve, synon të përshpejtojë procesin e marrjes së shtetësisë, duke e bërë kështu më të lehtë për emigrantët që të bëhen shtetas gjermanë. Marrja më e thjeshtë e shtetësisë së dyfishtë është gjithashtu duke u diskutuar.
Qeveria e koalicionit në Gjermani po punon për ta bërë më të thjeshtë për emigrantët që të bëhen shtetas gjermanë, sipas raportimeve lokale.
Gazeta gjermane Bild ka raportuar se Ministria e Brendshme po punonte për një projektligj i cili do t’u jepte mundësi të huajve që banojnë në Gjermani për të aplikuar për marrjen e shtetësisë pas pesë vitesh, në vend të kohëzgjatjes aktuale prej tetë vitesh.
Nëse ata kanë përmbushur “masat e veçanta të integrimit”, mund të jetë e mundur që të aplikojnë edhe për një pasaportë gjermane pas tre vitesh.
Ministria tha për gazetën gjermane se propozimet ishin ende duke u diskutuar dhe asgjë nuk është finalizuar akoma.
Sugjerohen masa për reformimin e imigracionit
Sipas raportit, fëmijëve të lindur në Gjermani nga prindër të huaj do t’u jepet automatikisht shtetësia gjermane nëse njëri prind ka pasur “leje qëndrimi të rregullt në aspektin ligjor” në Gjermani për pesë vite.
Ministrat nga 16 shtetet e Gjermanisë i kanë bërë thirrje më parë qeverisë federale për të përshpejtuar procesin e marrjes së shtetësisë për fëmijët e lindur nga pridnër të huaj që jetojnë në Gjermani.
Gjithashtu, personave më të moshuar se 67 vjeç nuk do t’u kërkohet më që të bëjnë një test të gjuhës me shkrim, por “aftësia për të komunikuar me gojë” do të mjaftojë për të marrë shtetësinë.
Portali i lajmeve The Local, duke cituar burime nga ministria, raportoi se emigrantët në Gjermani do të lejohen që të kenë shtetësi të dyfishtë, e cila aktualisht lejohet vetëm për qytetarët e BE-së dhe zviceranët.
Shqetësimet se kjo reformë kalon disa kufij
Rishikimi i ligjeve gjermane për marrjen e shtetësisë dhe migracionin ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në koalicionin midis socialdemokratëve (SPD) të kancelarit gjerman Olaf Scholz, të Gjelbërve ambientalistë dhe Demokratëve të Lirë (FDP) që mbrojnë bizneset, kur këto parti formuan qeverinë.
Këto parti premtuan në mënyrë eksplicite se do të lejojnë shtetësinë e dyfishtë për emigrantët në Gjermani dhe u zotuan se do të përshpejtojnë dhe thjeshtësojnë aplikimet për marrjen e leje-qëndrimit dhe të azilit.
Parlamentari i opozitës nga Unioni Kristian Demokrat, Thorsten Frei, tha për Bild se “pasaporta gjermane nuk duhet të bëhet një objekt i pavlerë”.
Politikanja opozitare nga Unioni Kristian Socialist, Andrea Lindholz, ishte gjithashtu e shqetësuar se “të huajt në Gjermani privohen nga një shtysë e madhe për t’u integruar”, nëse këto propozime kthehen në ligj./ DW