Gjermania do të shtrijë bllokimin e saj kombëtar deri në mes të shkurtit dhe do të forcojë masat pasi numri i të vdekurve nga virusi në vend vijon të rritet.
Kancelarja Angela Merkel dhe drejtuesit federalë ranë dakord të martën në mbrëmje për zgjatjen e bllokimit, i cili filloi në dhjetor, pas një diskutimi maratonë prej tetë orësh.
Masa më të rrepta të maskave, përfshirë përdorimin e maskave FFP2 / N95 në transportin publik dhe në dyqane janë bërë të detyrueshme në të gjithë vendin.
Zgjerimi i masave erdhi pasi qeveria gjermane u paralajmëruar për rrezikun e shfaqjes së varianteve të reja të virusit.
Një masë tjetër lidhet me shkollat, drejtuesit vendosën që ato të qëndrojnë mbyllur, por secili shtet federal e ka në dorë ta miratojë apo jo këtë masë.
Në raportin e fundit të publikuar nga Instituti Robert Koch (RKI), agjencia kombëtare gjermane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, u regjistruan 1,148 viktima shtesë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 48,770. 15,974 raste të reja me koronavirus u regjistruan gjithashtu, duke rritur numrin e përgjithshëm në vend në 2,068,002./CNN