Gjermeni kërkon financime te donatorët për planet zhvillimore të 30 bashkive

12/04/2016 2:21 PM 0 komente

Pas vendimit për financimin me një fond prej 560 milion lekësh për 26 bashki në hartimin e planeve të përgjithshme vendore, Qeveria Shqiptare po shikon mundësinë e identifikimit të financimit edhe për 30 bashki të tjera, ku ende nuk ka nisur puna për hartimin e këtyre planeve. Me këtë qëllim, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni thirri në një tryezë diskutimi donatorët ndërkombëtarë, të cilët prej vitesh kontribuojnë në realizimin e projekteve në vendin tonë. Në takim u diskutua mundësia e bashkëpunimit në ofrimin e mbështetjes teknike dhe financiare për 30 bashki, përkatësisht: Malësi e Madhe, Tropojë, Has, Fushë Arrës, Pukë, Vau Dejës, Mirditë, Bulqizë, Klos, Mat, Kamëz, Belsh, Peqin, Patos, Pustes, Gramsh, Maliq, Roskovec, Selenicë, Përmet, Këlcyrë, Devoll, Kolonjë, Mallkastër, Memaliaj, Libohovë, Dropull, Tepelenë, Delvinë, Finiq në procesin e hartimit të Planeve të tyrë të Përgjithshme Vendore;
Ministrja Gjermeni në fjalën e saj tha se, ndihma për Bashkitë e reja të dala nga Reforma Territoriale, shihet si një prioritet që forcon mirëqeverisjen, dhe përmirëson ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Mbështetja për hartimin e Planeve Vendore për këto 30 Bashki, është shumë e rëndësishme, pasi i hap rrugën investimeve të qëndrueshme dhe zbatimit të projekteve strategjike që nxisin zhvillimin e ekonomisë, krijojnë punësim, zbusin varfërinë, dhe promovojnë vlerat dhe pasuritë natyrore dhe turistike të Shqipërisë. 26 Bashki janë aktualisht duke punuar dhe ndodhen shumë pranë përmbylljes së fazës së pare të përgatitjes e Strategjive Territoriale. Ndërkohë që 5 bashki të tjera, po mbështeten nga Programi për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore të USAID”, tha mes të tjerash ministrja Gjermeni.

Ajo nënvizoi se një një vit pune për planet është konsoliduar një marrëdhënie e mirë bashkëpunimi dhe koordinimi me të gjithë Kryetarët e Bashkive dhe stafet përkatëse. Ndërsa vlerësoi kontributin e USAID, Bashkëpunimin Shqiptaro-Gjerman GIZ; Ambasadën Hollandeze; OSCE; KiE; Qeverinë Zvicerane dhe Programin për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal si edhe UNDP për mbështjetjen nëpërmjet projekteve të procesit të planifikimit të territorit në vendin tonë.

“ Mendojmë së angazhimi dhe përfshirja Juaj në një skemë mbështetëse për këto 30 Bashki që ende nuk kanë nisur punën për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, do të ishtë edhe një garanci e shtuar për rritjen e kapaciteteve të stafeve të Bashkive duke sjellë dhe instaluar një fryme të re pune, dhe duke lënë të hapura mundësitë e mëvonshme për të jetësuar projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, iu drejtua Ministrja Gjermeni donatorëve.
E para që iu përgjigj interesimit ishte Qeveria Zvicerane nëpërmjet Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal. Përfaqësuesja e DLDP në këtë tryezë konfirmoi financimin për hartimin e planit vendor për një prej 30 bashkive.
I pranishëm në tryezë në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës për Autonomi Vendore, z.Erjon Veliaj nënvizoi në veçanti nevojat që kanë për financim shumë prej bashkive të cilat kanë numër më të ulët të popullatës krahasuar me bashkitë ku tashmë ka nisur puna për hartimin e planeve vendore.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i USAID në Shqipëri, Marcus Johnson tha ndër të tjera se hartimi i planeve vendore është një mundësi e mirë për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve në çdo bashki të Shqipërisë.

26 BASHKITË E MBËSHTETURA NGA QEVERIA SHQIPTARE PËR PPV
Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë, Tiranë dhe Shkodër.

5 BASHKITË E MBËSHTETURA NGA USAID PËR PPV
Lushnjë, Elbasan, Berat, Kuçovë dhe Fier

30 BASHKITË KU PRITET HARTIMI I PLANEVE VENDORE
Malësi e Madhe, Tropojë, Has, Fushë Arrës, Pukë, Vau Dejës, Mirditë, Bulqizë, Klos, Mat, Kamëz, Belsh, Peqin, Patos, Pustes, Gramsh, Maliq, Roskovec, Selenicë, Përmet, Këlcyrë, Devoll, Kolonjë, Mallkastër, Memaliaj, Libohovë, Dropull, Tepelenë, Delvinë, Finiq

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of