Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve miratoi 33 projekte të reja të infrastrukturës urbane nga Veriu në Jug, duke e çuar numrin e projekteve që janë financuar në 367.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, e bëri të ditur këtë nga qyteti i Fierit, ku inspektoi 4 prej 14 projekteve të përfituara nga Bashkia e Fierit prej Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në periudhën 2014 – 2016, me një vlerë totale prej 2 miliardë lekësh. Ministrja shoqërohej nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, prefekti Xhevit Bushi, dhe deputetja Adelina Rista.
“Disa nga bashkitë, projektet e të cilave u miratuan për financim dje janë Bulqiza, Kukësi, Klosi, Kruja, Libohova, Finiqi, Poliçani, Vau i Dejës, Maliqi, Pogradeci, Kolonja, Mallakastra, Hasi, Kuçova, Librazhdi, Gramshi, Vlora. Është e vërtetë se punën e nisëm në vitin 2014, duke nxitur dhe duke inkurajuar zhvillimin e qendrave të qytetit, por larmia e projekteve që kemi mbështetur dhe kemi realizuar ka qenë e shumtë. Theksoj këtu se nga qendrat e qyteteve është kaluar në blloqe banimi, në zona rurale, në rrugët lidhëse, në tregje, duke nxitur dhe duke zvogëluar diferencat mes zonave rurale dhe urbane”, tha ministrja në deklaratën e saj për mediat.
Brenda vitit 2017, qytetarët i Fierit do të kenë tërësisht të rikonstruktuara parkun qendror, parkun pranë bar “Rinisë” , të parin treg bujqësor të zonës, por edhe pamje tërësisht të re të bulevardit “Ramis Aranitasi”. Këtyre projekteve i shtohet edhe projekti i miratuar dje nga KZHR: “Rehabilitimi i fasadave dhe rikonstruksioni i rrugës ‘Rauf Nasufi’, si dhe rijetëzimi i hapësirës së terminaleve të autobusëve” me vlerë 143 milion lekë.
“Në Fier kemi zbatuar 8 projekte të infrastrukturës urbane; po ndërtojmë 2 bulevarde, një treg bujqësor e shumë shpejt për fëmijët e të moshuarit do të ketë më shumë hapësira çlodhëse në dy parqet që përfundojnë së shpejti. Të gjitha projektet e zbatuara gjatë kësaj periudhe kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve vendase. Unë dua edhe një herë t’u bëj apel kryetarëve të bashkive për përfundimin të projekteve që financohen nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve me cilësi brenda vitit buxhetor 2017”, tha ministrja Gjermeni.
Janë mbi 80 projekte të Rilindjes Urbane që pritet të përfundojnë gjatë këtij viti, 4 prej të cilëve janë në zbatim e sipër në qytetin e Fierit.
Një prej projekteve të rëndësishme është ndërtimi i tregut të produkteve bujqësore me vlerë 58 milionë lekë.
Ky projekt që i shërben mbi 190 mijë banorëve dhe 1 mijë bizneseve dhe ka ndikim të menjëhershëm në jetën e qytetarëve nëpërmjet tregtimit të frutave e perimeve sipas kushteve bashkëkohore, zhvillimin e ekonomisë vendase dhe rritjen e kujdesit ndaj shëndetit të qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.