Gjetja e punës është edhe çështje e gjendjes mendore

09/12/2020 8:27 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Interneti është plot me oferta për të kërkuar një punë të re. Megjithatë, asnjë metodë nuk mund të funksionojë nëse jemi në gjendjen mendore të gabuar. Çfarë do të thotë gjendje mendore e gabuar?

Po e shpjegoj me një shembull: kur kërkoni një punë, kjo do të thotë që, ose jeni të papunë ose keni një punë që nuk ju jep kënaqësi. Në të dyja rastet, kjo vetëdije, me disa përjashtime, ju jep një ndjesi privimi (“nuk kam diçka që duhet të kem”) ose një ndjesi defekti (“nuk ia dola në diçka që duhet ta kisha arritur”).

Këto dy emocione, privimi dhe defekti, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por duke u ushqyer me njëra-tjetrën konkretizohen në tri sjellje 1) vetëbesim i ulët (“është faji im, gabova, nuk isha i aftë që të….”); 2) inat social (“shefi, kompania, klientët, tregu, qeveria”… ); 3) pesimizmi (“çdo gjë më ndodh mua, asnjëherë nuk më ecën, jam i pafat”). Vetëbesimi i ulët, inati social dhe pesimizmi janë faktorët zhbllokues mendor dhe emocional të gjendjes sonë “si punëkërkues”.

Këtu ka një qark të shkurtër. Për të gjetur punën e re, duhet ta shohim botën dhe të sillemi në mënyrë diametralisht të kundërt: 1) vetëvlerësimi 2) hapja ndaj të tjerëve 3) optimizmi dhe pozitiviteti. Këta përbërës janë të rëndësishëm, pasi kërkimi i një pune lidhet me dy aktivitete: trokitja te dera dikujt duke e ditur se me shumë gjasa do të thotë jo dhe prezantimi tek të tjerët në mënyrë të pëlqyeshme. Nëse i shohim në kundër dritë këto dy veprime, do të kuptojmë më së miri që pa vetëvlerësim, duke mos u hapur tek të tjerët dhe duke mos pasur optimizëm, nuk kemi armë për të luftuar këtë betejë.

Nëse nuk jemi optimist, të sigurt dhe të hapur ndaj të tjerëve, si do të reagojmë kur të na i mbyllin dyert në fytyrë? Do të heqim dorë menjëherë të trokasim dhe do të humbasim mundësi. Nëse nuk jemi optimist, të sigurt dhe të hapur ndaj të tjerëve, si mund t’u pëlqejmë, të jemi të qeshur dhe të bëjmë për vete një punëdhënës potencial? Çfarë të bëjmë? Kur jemi pesimistë dhe të zemëruar me botën, vështirë se mund ta fshehim. Kjo madje mund të kuptohet edhe kur shkruajmë një email apo përgjigjemi në telefon.

Në përvojën time të përzgjedhësit, këtë e kam verifikuar qindra herë. Për fat të keq, ata që përzgjedhin punonjësit, bëjnë zgjedhje duke u mbështetur edhe tek ndjesitë që marrim. Nëse e ekzagjerojmë duke treguar vështirësitë tona, me historinë tonë të trishtë e të pafat, dyert do të na mbyllen. Në mënyrë paradoksale, përkundrazi, i largojmë ata që duhet të na ndihmojnë të na shpëtojnë, sepse transmetojmë negativitet.

Kur u shfaqim pakënaqësitë profesionale të tjerëve, shkaktojmë tek ata që na dëgjojnë një mekanizëm cinik të asocimit logjik: “Nëse ky person ndodhet në këtë situatë do të ketë një arsye, ndoshta është ai shkaku i problemeve të tij, ndoshta nëse e zgjedh, mund të më shkaktojë probleme edhe mua”. Për t’u përzgjedhur dhe për t’u zgjedhur nga dikush duhet të japim përshtypjen se jemi një person me një projekt dhe jo një person me një problem.

Më poshtë janë tre truke të vogla që mund t’ju ndihmojnë në momentin kur kërkoni punë të re

1) Përcaktoni një afat “bujar” për arritjen e objektivit

“Bujar” nënkupton që duhet t’i jepni vetes kohë. Në këtë mënyrë do të menaxhoni më mirë ankthin dhe frustrimin që është normale t’i përjetoni kur shihni që javët kalojnë dhe asgjë nuk ndodh. Cili është afati ideal? Të paktën 6 muaj nëse është e mundur. Ky afat duhet të rritet deri në 9 apo 12 muaj në varësi të përgjegjësive, përvojës, pagës së dëshiruar. Sa më lart të jeni, aq më shumë keni nevojë për kohë.

2) Kur kërkojmë punë, mosbesimi, pesimizmi, mbyllja në vetvete përforcohen nga dyert e mbyllura në fytyrë, nga refuzimet, nga jo-të.

Ju duhet ta thyeni këtë dinamikë duke i shndërruar refuzimet në një instrument. Dyert e mbyllura në fytyrë ju shërbejnë për të arritur objektivin tuaj, janë të nevojshme. Forcojnë pozicionin tuaj, nuk e dobësojnë. Përcaktoni një ‘portofol’ me të paktën 20 dyer të mbyllura në fytyrë.

3) Gjeni dikë që t’ju vëzhgojë ndërkohë që jeni të përqendruar tek aktiviteti i kërkimit të një pune të re

Gjeni dikë që të përshkruajë qëndrimin tuaj, fytyrën, tonin e zërit ndërkohë që flisni në telefon gjatë intervistave me menaxherë, rekrutues apo persona potencialë. Rilexoni, pas një jave, email-et që keni dërguar dhe përpiquni të ndieni efektin që kanë ato mbi ju. Këto ushtrime të vogla, të dobishme do t’ju lejojnë të keni pikëpamjen e personit që flet me ju, për të kuptuar nëse transmetojmë ankth, pasiguri, zemërim, pesimizëm.

Në këtë mënyrë mund t’i përgjigjemi pyetjes kryesore: Ai që më dëgjon apo lexon, ka përshtypjen se gjendet përballë një personi që ka një problem apo një personi që ka një projekt? Ne do të skartohemi nëse do të japim përshtypjen e një personi me një problem. Dhe do të zgjidhemi nëse do të krijojmë idenë e një personi me një projekt.

*Lorenzo Cavalieri, Managing Partner i shoqërisë së konsulencës dhe formimit Sparring
Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of