Gjiri Montego, në bregun veriperëndimor të Xhamajkës, është qyteti i dytë më i madh në vend dhe njëkohësisht qendra turistike e tij. Me shumë opsione akomodimi, plazhe dhe dyqane pa fund, gjiri Montego është një destinacion i mrekullueshëm dhe historik.
Plazhi i Shpellës së Doktorit është vendi që hapi dyert për turistët e parë në 1880-n. Në këtë vend, dr. Alexander McCatty themeloi një sanatorium. Menjëherë pas ngritjes së sanatoriumit, u përhap fjala rreth përfitimeve shëndetësore të ujit dhe klimës në këtë vend dhe turistët britanikë dhe amerikanë nisën të vërshojnë drejt rezortit. Sanatoriumi u shkatërrua nga një zjarr para disa dekadash dhe tani, ndërtesa është shndërruar në një rezort plazhi me të gjitha lehtësirat për turistët që dëshirojnë të shijojnë diellin dhe ujin e pastër si kristal.
Si pjesë e St. James Parish, gjiri Montego ndahet në tri pjesë: qyteti aktual me përafërsisht 100,000 banorë, pjesa e plazhit dhe pjesa e afërt kodrinore e qytetit.
Peizazhi i qytetit ka disa lloje stilesh arkitekturore, që nga stili gjeorgjian kolonial e deri te strukturat shekullore vendase prej druri. Megjithatë, shumë vizitorë nuk largohen nga bulevardi “Gloucester”, i cili është qendra e aktiviteteve turistike, ku mund të gjenden restorante fantastike me ushqime vendase dhe të huaja, si dhe bare e dyqane nga më të ndryshmet.
Për produkte “duty free”, qendra e qytetit është vendi ku duhet të jeni, ndërsa aksesorët dhe suveniret e shumta të punuara me dorë mund t’i gjeni në Rrugën e Portit. Edhe në sheshin “Montego” dhe sheshin perëndimor buzë detit, sheshet “St. James” dhe “Fantasy”, si dhe në qendrën tregtare “Montego Freeport”, në pjesën perëndimore të qytetit do të gjeni dyqane dhe suvenirë të shumtë.
Një tjetër opsion i preferuar është “Holiday Village”, qendra më e madhe tregtare e qytetit, brenda së cilës është një galeri arti, përveç dyqaneve të suvenirëve, punëve artistike dhe veshjeve. Nëse dëshironi të blini objekte luksoze, shkoni në qendrën tregtare “Half Moon”, pranë hotelit “Half Moon”.
Gjiri Montego është një portë drejt bregut verior të Xhamajkës dhe Aeroporti Ndërkombëtar Sangster ofron fluturime drejt të gjitha destinacioneve europiane apo amerikane. Hotelet në gjirin Montego variojnë nga më të lirët në më të shtrenjtët.