Lajme të këqija për TikTok. Në muajt e fundit, shqetësimi mbi kontrollin kinez të platformës është rritur shpejt, edhe jashtë SHBA-së, vendi i parë i cili mori një qëndrim kundër aplikacionit në pronësi të ByteDance.
Por së fundi, edhe vende të tjera e kanë ndalur – pjesërisht ose jo – TikTok në pajisjet e zyrtarëve të qeverisë, duke ushtruar më shumë presion te platforma për të ndërprerë plotësisht lidhjet me kompaninë mëmë kineze.
Le të shohim se për cilat qeveri bëhet fjalë, për të kuptuar situatën me të cilën po përballet një nga rrjetet sociale më të njohura të momentit.
Tajvan
Duke e ndaluar TikTok nga pajisjet e përfaqësuesve të qeverisë dhe nëpunësve civilë, dhjetorin e kaluar, Tajvani nisi një raund të ri ndalimesh të mediave sociale kineze.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në dhjetor 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë një shtysë të rëndësishme fushatës kundër TikTok, duke ndalur përdorimin e rrjetit social në të gjithë pajisjet në pronësi të Dhomës dhe anëtarëve që e përdorin, duke qenë se aplikacioni cilësohet “me rrezik të lartë për shkak të një sërë problemesh me sigurinë”. Të gjithë anëtarët e Dhomës janë të detyruar të fshijnë aplikacionin nga pajisjet e tyre, pa pasur mundësinë ta riinstalojnë në të ardhmen.
Bashkimi Europian
Disa javë më parë, ishte Komisioni Europian ai që i dha një goditje të fortë TikTok, duke ndaluar më shumë se 30,000 punonjësit e tij të përdorin aplikacionin në pajisjet qeveritare dhe në pajisjet personale që përdorin aplikacione ose shërbime të postës elektronike të qeverisë.
Vendimi u mor për “mbrojtjen e të dhënave dhe rritjen e sigurisë kibernetike”.
Kanada
Edhe Kanadaja e ka ndalur TikTok nga gjithë pajisjet qeveritare, duke mos përjashtuar mundësinë të marrë masa të tjera kundër aplikacionit në pronësi të ByteDance.
“Mendoj se, ndërsa qeveria hedh hapin e rëndësishëm, duke u thënë të gjithë punonjësve federalë se nuk mund të përdorin më TikTok në telefonat e tyre të punës, shumë kanadezë, nga bizneset tek individët, do të reflektojnë mbi sigurinë e të dhënave të tyre dhe ndoshta do të bëjnë disa zgjedhje”, tha kryeministri Justin Trudeau.
Letoni
Në një postim në Twitter, ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, bëri një deklaratë publike se kishte fshirë TikTok nga telefoni i tij dhe njoftoi se kishte ndaluar Ministrinë e Jashtme të përdorte aplikacionin.
Danimarka
Pasi Danish Center for Cyber Security (Qendra Daneze për Sigurinë Kibernetike) përcaktoi se TikTok përbënte rrezik spiunimi për vendin, Ministria e Mbrojtjes ndali përdorimin e aplikacionit në pajisjet e punonjësve të saj. Dhe, sikur të mos mjaftonte, më 10 mars, edhe Enti Publik i Danimarkës, DR, e bllokoi TikTok në telefonat e punonjësve të tij.
Belgjikë
Pikërisht, javën e kaluar, kryeministri belg, Alexander de Croo, e ndaloi TikTok nga pajisjet e zyrtarëve të qeverisë, për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë informatike, privatësinë dhe keqinformimin.
Vendimi mbështetet në paralajmërimet e shërbimit të sigurisë shtetërore dhe qendrës së tij të sigurisë informatike, të cilat deklaruan se aplikacioni mund të mbledhë të dhënat e përdoruesve dhe të ndryshojë algoritmin për të manipuluar Feed-in e tij të lajmeve.
Mbretëri e Bashkuar
Edhe pse fillimisht, Mbretëria e Bashkuar pati deklaruar se nuk donte të ndiqte vendimet e qeverive të tjera në lidhje me përdorimin e TikTok, më në fund, u dorëzua.
Vetëm disa ditë më parë, ministri i zyrës së kabinetit Oliver Dowden, e ndaloi aplikacionin në pajisjet qeveritare “me efekt të menjëhershëm”.
Ai e cilësoi këtë lëvizje si “proporcionale” krahasuar me “rrezikun specifik” të rrjetit social kinez.
Për më tepër, sikur të mos mjaftonte, në këto orë ka mbërritur direktiva e re e BBC-së, e cila u ka kërkuar punonjësve të saj në Mbretërinë e Bashkuar të kufizojnë përdorimin e aplikacionit, duke lejuar instalimin e TikTok në një pajisje të kompanisë, vetëm nëse ekziston një “arsye e justifikuar biznesi”.
Zelandë e Re
E mbyllim “përmbledhjen” e vendeve që kanë zgjedhur të ndalin TikTok me Zelandën e Re, e cila vetëm pak ditë më parë shpalli vendimin për ndalimin e rrjetit social në të gjitha pajisjet parlamentare.
Kjo masë do të nisë zbatimin në fund të muajit, duke qenë se qeveria e ka cilësuar aplikacionin “shumë të rrezikshëm” për vendin.
“Rreziqet nuk janë të pranueshme në mjedisin aktual të Parlamentit të Zelandës së Re”, deklaroi Parlamenti, duke iu bashkuar vendimit të qeverive të tjera.
Çfarë do të ndodhë me TikTok atëherë?
A do t’i mbijetojë kësaj vale ndalimesh apo do të kthehet në një aplikacion të vjetruar?
/ Wired