Qytetarët austriakë që refuzojnë të marrin vaksinën e tyre kundër Covid-19 nga shkurti, kur ajo do të jetë e detyrueshme, do të përballen me gjoba deri në 7,200 euro, sipas një projektligji austriak për vaksinimin kundër Covid-19.
Vaksinimi i detyrueshëm do të zbatohet për të gjithë ata që kanë vendbanim të përhershëm në Austri. Sipas projektrregullores, përjashtohen vetëm ata që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore.
Në draft mbetet e hapur nëse do të jenë të detyrueshme edhe vaksinat përforcuese apo nëse të shëruarit do të trajtohen në mënyrë të barabartë me të vaksinuarit, të cilat do të përcaktohen më tej me dekrete ministrore.
Të gjithë ata që refuzojnë të respektojnë do të thirren nga autoritetet e administratës së qarkut. Nëse e shpërfillin thirrjen dy herë, do të gjobiten me 3600 euro. Nëse shkelja e tyre e ligjit të vaksinimit kundër COVID i vë personat e tjerë në “rrezik serioz”, ose nëse vazhdojnë të injorojnë urdhrin, ata do të gjobiten deri në 7200 euro.
Projektligji do të paraqitet më 6 dhjetor. Propozimi do të diskutohet të mërkurën, mes ministrave të Shëndetësisë dhe Kushtetutës, të cilët do të takohen me disa ekspertë.
Megjithatë, disa elemente mbeten të paqarta, veçanërisht nëse dikush vazhdon të refuzojë të vaksinohet edhe pas marrjes së gjobave. Sipas të gazetës së përditshme austriake die Presse, një nga zgjidhjet e diskutuara është që ata që nuk mund të provojnë se janë të vaksinuar do të marrin një gjobë çdo gjashtë muaj.
Për shkak të rritjes së shpejtë të infeksioneve, Austria ndërmori hapa drastikë për të trajtuar valën e katërt të COVID. Qeveria prezantoi një izolim të plotë më 22 nëntor, krahas njoftimit se vaksinimet do të bëheshin të detyrueshme për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të krizës shëndetësore.
Situata në Austri është bërë gjithnjë e më e rëndë javët e fundit, me njësitë e kujdesit intensiv afër kapacitetit të plotë. Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), 65.2% e popullsisë totale të Austrisë është vaksinuar.
Greqia do të gjobisë grupmoshën mbi 60 vjeç që refuzon vaksinën
Personat mbi 60 vjeç në Greqi do të gjobiten me 100 euro në muaj nëse nuk marrin vaksinën kundër koronavirusit, sipas vendimit të marrë nga qeveria greke.
Masa u vendos pas rritjes së rasteve të reja dhe shfaqjes së variantit të ri Omicron. Ajo do të hyjë në fuqi më 16 janar me gjobat që do të shtohen në faturat e tyre tatimore, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një njoftim të martën.
Numri i vdekjeve në Greqi tejkaloi 18 mijë këtë javë, me rastet e reja që regjistruan nivele rekorde, ndërkohë afërsisht një e katërta e popullsisë së rritur mbetet e pavaksinuar në vend.
Vaksinimi i detyruar u prezantua gjatë verës për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, ata që refuzonin pezulloheshin nga puna për një kohë të pacaktuar pa pagesë.
Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë pro vaksinimit të detyrueshëm kundër Covid-19
Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë tha të martën se ai do të mbështesë një propozim për të bërë të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë vitin e ardhshëm, por ligjvënësit do të jenë të lirë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për këtë çështje.
Olaf Scholz, pritet të marrë detyrën javën e ardhshme pasi partia e tij dhe dy të tjerë të miratojnë një marrëveshje për të formuar qeverinë e ardhshme. Tranzicioni dy-mujor, me kancelaren në largim Angela Merkel, është fajësuar për reagimin e ngadaltë të Gjermanisë ndaj rritjes së fundit të rasteve të reja të COVID-19 në vend.
“Ne do t’i hapim rrugën një vendimi të ndërgjegjes nga anëtarët e Bundestagut gjerman për një detyrim të përgjithshëm të vaksinës që do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, në shkurt ose në fillim të marsit, dhe për të cilin të gjithë mund të përgatiten tani,” tha Scholz.
“Unë do të votoj pro një ligji të tillë”, shtoi ai./ Euractiv