Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi me rastin e ditës ndërkombëtare të punëtorëve, 1 Maj, ka apeluar që të mos ndezin goma dhe gjësendet tjera që ndotin mjedisin.
Ministri Matoshi po ashtu ka kërkuar zyrtarisht nga Komunat dhe Policia e Republikës së Kosovës që të ndërmarrin masa për parandalimin e dukurive të tilla negative dhe ndaj personave të cilat veprojnë në kundërshtim me rregullat të shqiptohen masat ndëshkuese konform Udhëzimit Administrativ Nr.06/2018 për Ndëshkimet me Gjobat Mandatore dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndëshkimet do të jenë në bazë të Ligjit për mbrojtjen e ajrit dhe gjobat mandatorë do të jenë deri në 100 euro.
“Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës.
Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin e të gjithë atyre që ndezin goma me rastin e kësaj dite, si në çdo ditë tjetër.
Të bashkangjitur keni shkresat zyrtare që Ministri Matoshi iu ka dërguar Komunave dhe Policisë së Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.