Marrja e nje gjobe administrative nga Policia Rrugore ishte një problem më vete për qytetarët të cilët duhet të mbanin radha në sportele apo të prisnin para komisioneve në komisariatet e policisë. Prej mese një viti, në platformën unike e-Albania, të ndërtuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, qytetarët kryejnë çdo shërbim online, nga pagesa e gjobes tek apelimi pranë Policisë së Shtetit, sipas një njoftimi zyrtar.
Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj bëri të ditur se këto shërbim kanë kursyer 12 vite pritje në radha të qytetarëve pa llogaritur lodhjen apo rryshfetet që mund t’u kërkoheshin.
“e-Albania zgjidhi 2 nga problematikat më të mëdha në rrugë: Gjobat dhe Apelimet e tyre! 12 vite kohë e kursyer nga pritjet në radhë për apelim. Dikur qytetarët mbanin radhë në sportel për të apeluar masën e Policisë Rrugore. Disa “nën dorë” kërkonin të tjetërsonin vendimet e Komisioneve Administrative. Prisnin që gjoba e bllokut fizik të hidhej në sistem që ta paguanin”, shkruan Karçanaj.
Aktualisht qytetarët mund të bëjnë në e-Albania kontrollin online mbi gjobat e makinës, mund të paguajë online ose të apelojnë gjobën dhe brenda 3 ditësh merret vendimi mbi apelimin.
Sipas E-Albania në 1 vit janë kryer 50 mijë apelime online në komisionet administrative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.