Gjobat për mospagimin e tatimfitimit, bizneset mund t’i përdorin për shlyerjen e detyrimeve

29/09/2020 9:39 AM 0 komente

Për heqjen e gjobave të vendosura për mospagim të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se janë përcaktuar procedurat që duhet të ndjekë secili tatimpagues.

“Në vijim të masave të marra për zbatimin e lehtësive fiskale për tatimpaguesit, gjatë situatës së emergjencës COVID-19, Administrata Tatimore njofton se janë përcaktuar procedurat e nevojshme për heqjen e gjobave të vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë 2020, të cilat janë llogaritur dhe kontabilizuar gjatë muajve Prill – Qershor 2020, periudhë e cila korrespondon me gjendjen së fatkeqësisë natyrore të shpallur me VKM nr.243, datë 24.3.2020, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, i ndryshuar.

Tatimpaguesit, të cilët i kanë paguar tashmë gjobat e vendosura për sa më sipër, do të kenë mundësi që shumën e paguar ta përdorin për pagesën e detyrimeve tatimore të mëvonshme.

Drejtoritë Rajonale Tatimore do të vijojnë me zbatimin e procedurave përkatëse dhe tatimpaguesit do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik, e-filing”, thuhet në njoftim.

Në muajin korrik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se në kuadër të masave të marra nga Qeveria Shqiptare për lehtësimin e veprimtarisë ekonomike të subjekteve private, Administrata tatimore do t’u anulonte të gjithë sipërmarrësve dhe bizneseve në vend të gjitha gjobat e vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë të vitit 2020.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of