Flet Edlira Gjoni, Eksperte Komunikimi
Partitë politike vazhdojnë t’i drejtohen elektoratit me një gjuhë përsëritëse dhe pa argumente. Për eksperten e komunikimit, Edlira Gjoni, gjuha retorike pa argumente dhe e paazhurnuar duket se lidhet me perceptimin që kanë palët politike për votuesit, duke i konsideruar të pazhvilluar mjaftueshëm, që të meritojë përgatitje të vërteta e standarde të larta.
Në lidhje me imazhin, znj. Gjoni thekson se ajo që bie në sy nga lideri i së djathtës është prania e familjes përbri në këtë fushatë, ndërsa Partia Socialiste ka një qasje tjetër. Në rastin e të dytëve bie në sy stili i jetesës, veshjet e shtrenjta të kandidatëve dhe elitizmi. Sa u takon elementeve të kopjuara nga fushata amerikane, znj. Gjoni shprehet se janë marrë shumica e tyre, përjashto debatin dhe në një rast si ky nuk kërkohet retorikë, por përgatitje e përgjegjshmëri, të cilat politikanët shqiptarë kanë treguar se nuk i zotërojnë.
Cila është qasja që po vihet re në këtë fushatë elektorale nga partitë politike, sa i takon formatit të zgjedhur të takimeve me elektoratin? (takimet derë më derë, premtimet elektorale)
Për shkak të pandemisë, mund të prisnim që do të ishte një fushatë më e përmbajtur, por në fakt jo, është e mbushur me shkelje nga të dyja palët. Vijojnë takimet elektorale me shumë më tepër sesa 10 persona, distancat nuk ruhen e palët akuzojnë njëra-tjetrën, ndërkohë që në postimet e tyre, të gjithë paketojnë e shesin “mbështetje masive”. Pra, tregojnë se nevoja për votën qëndron mbi detyrimin për t’i mbajtur qytetarët të sigurt nga ana shëndetësore.
Thënë këtë, po shohim të gjitha format: takime derë më derë para shpalljes së kandidaturave, e dorë më dorë tani që secili kandidat e ka të domosdoshme që të tërheqë vota në numrin e tij. Ka një përpjekje për të maksimizuar praninë në rrjetet sociale e duket sikur e gjithë fushata bëhet për të dalë sa më shumë aty, sesa të shqetësohen për të bërë fushatën e vërtetë. Por është edhe mania e re e të gjitha palëve për të bërë “like and share” çdo postimi të kreut të partisë, të të parit të listës, të drejtuesit të qarkut, të forumeve, të të porositurve. Luftë shpërndarjesh e fushatë Instagram-i, jo fushatë programesh.
Po gjuha e përdorur nga liderët politikë karshi palës tjetër si ju tingëllon? A është ajo një gjuhë arrogante, ironike, denigruese apo e matur dhe me mesazhe? Po gjuha karshi elektoratit?
Flamurin e gjuhës denigruese dhe të ashpër e ka marrë Partia Socialiste. Rama është kampion i saj, e pas vetes ka shpurën e ndjekësve brenda partisë, por edhe atyre të cilët e mbështesin PS-në, e që në mënyrë të vazhdueshme janë bërë shqetësim për gjuhën denigruese që përdorin karshi oponentëve politikë. Shqetësuese është edhe gjuha e përdorur nga presidenti në disa raste, më flagrantja prej të cilave ngelet në përplasjen te zyrat e FRD-së.
Kurse në PD, ka mungesë njëtrajtshmërie. Kreu i saj ruan imazhin e një lideri i cili nuk i njeh oktavat e larta, të cilin nuk e kemi parë kurrë të nxehet apo të denigrojë askënd në mënyrën që njohim nëpër fushata. Ama kandidatët e tij nuk i binden të gjithë shembullit që ai mundohet të imponojë, sepse pamë kandidatin Boçi, të tregojë muskujt në Elbasan, sikundër kemi parë disa kandidatë të cilët nuk e kanë ruajtur dot qetësinë në studiot televizive, apo në përplasjet me militantë të mazhorancës në takimet ku palët janë ndeshur në të njëjtën kohë e vend.
Karshi elektoratit, gjuha vazhdon të jetë retorike, jo-argumentuese dhe e paazhurnuar, gjë që tregon se ende elektoratin e konsiderojnë të pazhvilluar mjaftueshëm që të meritojë përgatitje të vërteta e standarde të larta.
Komunikimi bëhet jo vetëm përmes të folurit, por edhe veshja apo paraqitja e politikanëve jashtë kornizave politike dhe në ambiente familjare, një zgjedhje që po e shohim edhe në këtë fushatë. Liderin e PD-së e kemi parë me xhinse dhe një veshje ‘casual’ në takime me elektoratin, apo në momente familjare që janë ndarë në disa raste. Nga ana tjetër, Rama ka braktisur këtë format që e ndoqi në vitin 2013? Si i shihni këto komunikime dhe a janë efektive për të bërë për vete elektoratin. Çfarë mesazhesh përçojnë sot dy liderët kryesorë në vend përmes këtyre aspekteve?
Të dyja partitë e mëdha kanë kompanitë e tyre të PR-it, të cilat duket qartë se po i këshillojnë me kujdes për imazhin elektoral. Basha, prej disa muajsh, po mbështetet tërthorazi në këtë perceptim të ri nga postimet familjare që bën në mënyrë konstante (e jo rastësore) bashkëshortja. Postimet janë të gjitha të natyrës familjare dhe në subkoshiencë, nxisin imazhin e një familje normale, me rutinë gatimi, udhëtimi, kohe me fëmijët e të afërmit. Është imazh që funksionin për votuesin e djathtë, edhe për shumicën e shqiptarëve, që ende e duan familjen dhe e cilësojnë atë vlerë.
Dallimi më i madh mes Bashës dhe të gjithë kundërshtarëve politikë tani, apo edhe paraardhësve të tij, është fushata me familjen përbri. Dihet që ka elemente amerikanizmi në këtë përqasje, por është një model që ngjall pozitivitet, prania e bashkëshortes dhe vajzave në shumë prej daljeve të tij.
Kurse Partia Socialiste bën fushatë me miq e me shokë. Familja e tyre e shenjtë duket se është interesi partiak. Veshjet e të majtëve janë dukshëm më të shtrenjta, sikundër është edhe stili i jetesës dhe qëndrimit të shumicës prej kandidatëve të majtë, të cilët kanë vite që flirtojnë me idenë e të qenët elitar.
E quajnë edhe si një e drejtë natyrale, ngaqë janë pasardhës blloku e udhëheqjeje, por në fakt, në konceptin politik, elitizmi lidhet me gjenerata të tëra, e jo me dy breza (prind e gjysh), që kanë qenë shërbëtorë të partisë e instrumente të saj, jo pse ishin më të mirët, por sepse të mençurit e të përgatiturit, sistemi i eliminoi, burgosi, internoi. Prandaj, elitizmi i PS-së është vetëm një halucinacion që u bën dëm vetë atyre, por edhe Shqipërisë, sepse ndjell ndasi artificiale e ringjall luftën e përbuzur të klasave.
Si e shihni në tërësi marketingun që po bëjnë partitë në këtë fushate sa u takon elementeve vizuale, sloganeve të zgjedhur, kanaleve të komunikimit të përzgjedhur për transmetimin e mesazheve?
Për elementet vizuale janë shpenzuar shuma të mëdha parash. Një analizë e fundit fliste për 40 mijë euro të shpenzuara nga Partia Socialiste vetëm për të shpërndarë mesazhe të sponsorizuara në Facebook, në muajin mars 2021. Pajisjet Led, kamerat, efektet, ndriçimet, audiot, dronët, të gjitha janë elemente të kushtueshme. Nuk ka më kaseta të mërzitshme me fjalime kryetarësh që t’u dërgohen televizioneve. Jo! Partitë kanë tanimë ekipe komunikimi, filmimi, montazhi, grafike e efektesh audio-vizuale që ua kalojnë edhe televizioneve.
Fushata është sot më afër reklamave e marketingut që shohim në ekrane, sesa fushatë e mirëfilltë me mesazhe të përqendruara, të përsëritura, të shkurtra, të cilat mbahen mend e që të bëjnë të ndryshosh mendje, nëse je i pavendosur.
Cilët nga elementet e komunikimit, mendoni se mund të këtë efekt më të lartë tek elektorati gri?
Argumenti! Qartësia. Thjeshtësia. Respekti për intelektin dhe përgatitjen që ka elektorati gri. Është fyerje e inteligjencës së tij t’i thuash “Rama nuk bën” apo “Basha fle”. Elektorati gri përbëhet nga njerëz të shkolluar, me punë, me të ardhura të mira, që janë në shtresat 4, 5, e 6 të Piramidës së Maslow. Pra, janë njerëz të vetaktualizuar, që nuk e hanë fushatën e masës. Atyre iu duhet drejtuar me tjetër gjuhë, formë e aftësi bindëse. Janë të vështirë e duan të shohin alternativën, jo analizën e së shkuarës, por formën e së ardhmes. Ndaj duhet më shumë punë me ta. Punë që partitë politike nuk duket se i kanë kapacitetet t’i bëjnë.
Në raportin e marketimit të liderit apo partisë si “liste” me disa figura të evidentuara, cilin format shihni se kanë zgjedhur sot PD dhe PS?
Edhe pse e cunguar në alternativat që jep, prapë se prapë, metoda e vendosjes së kandidatëve në të dyja listat e partive të mëdha është interesante, e mendoj se do të tërheqë më shumë votues. Është intriguese të paraqitesh në qendrën e votimit vetëm e vetëm se një emër i caktuar, apo pozicionimi në listë, e bën atë të rrezikuar, e votuesi ndjen detyrimin të dalë “ta shpëtojë”, duke e votuar. Interesante po ashtu mundësia që brenda partisë mund të zgjedhësh kandidatin tënd (edhe pse lista është e imponuar).
Zgjedhjet në SHBA janë ende të freskëta. A shihni elemente të “kopjuar” nga modeli i fushatave në vende të tjera apo jemi në një miks “alla shqiptar”?
Ka patjetër elemente të përshtatur nga fushata amerikane: veshja, përshëndetjet me dorë, familja, postimet në rrjetet sociale, rrethimi me të rinj e me gra, sforcimi për të qenë pozitiv, nxjerrja në vijën e parë vetëm të figurave që tërheqin pozitivitet në rang vendi, tërheqja e shigjetimeve negative nga persona të përgatitur për këtë, ushtri komentuesish e njerëzish që blejnë hapësirë e influencë në rrjetet sociale, përfshirja e figurave të artit, modës, sportit, kulturës, çdo fushë që mund të tërheqë vëmendje, loja me fëmijët e të ardhmen e tyre, përqendrimi i fushatës në jo më shumë se 3 pika (pandemi e tërmet nga një anë, ekonomi, rini e ndryshim nga ana tjetër).
I vetmi element që duket se nuk po ia dalin dot palët që ta kopjojnë e shtjellojnë nga amerikanët, janë debatet televizive. E kuptueshme, sepse aty nuk kërkohet retorikë, por përgatitje e përgjegjshmëri, të cilat politikanët tanë kanë treguar se nuk i zotërojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.