Flet Afrim Krasniqi, Politolog
Militantët do të marrin pjesë, militantët do administrojnë, ata ndihen më shumë të përfaqësuar dhe do të jenë grupi shoqëror i cili do të marrë këtë lloj vendimi. Ky është një zhvillim negativ në raport me nevojat që kishte Shqipëria dhe me faktin që këto janë procesi i parë zgjedhor pas fillimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe duhet të kishte një sjellje krejt tjetër, reflektim, llogaridhënie, transparencë më të madhe jo vetëm financiare, por edhe politike.
Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit ka pasur më shumë prani të liderëve kryesorë të partive sesa të kandidatëve.
Për politologun Afrim Krasniqi, këto zgjedhje janë më shumë një sfidë dhe luftë mes lidershipit aktual në vend, sesa për të nxjerrë në pah kandidatë të përgjegjshëm për Bashkitë e vendit.
Sipas tij, në këtë fushatë, siç po ndodh prej vitesh, po mungon debati përballë dhe llogaridhënia, teksa gjuha është bërë më denigruese dhe e personalizuar.
Mesazhet dhe sloganet, në disa raste, janë tërësisht të gabuara dhe nuk arrijnë të tërheqin votuesin e ri dhe as elektoratin gri pranë kutisë, duke lënë fatin në dorën e militantëve dhe administratës.
Për Shqipërinë, ky shihet si një shans i humbur për të kaluar në një etapë të re transparence dhe maturie politike, pas hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Si e cilësoni fushatën që po paraprin zgjedhjet e 14 majit në lidhje me mënyrën se si po organizohen takimet me elektoratin, kodet në veshje, mjediset ku mbahen takimet (në rrugë, biznese, sheshe, në stadiume). A vini re ndonjë qasje të ndryshme në raport me fushatat e mëparshme dhe çfarë elementesh bien në sy?
Mendoj se u bënë disa fushata elektorale, që nuk ka rivalitet të ashpër mes palëve. Dihet cili është fituesi dhe si e tillë, kjo lloj situate ndryshon tërësisht sjelljen e partive politike dhe liderëve lidhur me fushatën.
Kjo është një fushatë ku fituesit janë përcaktuar para se ajo të fillojë dhe dihet pjesa më e madhe e tyre. Si e tillë, mazhoranca ka vendosur të bëjë një fushatë të personalizuar të lidershipit kundër lidershipit të opozitës dhe jo një fushatë që lidhet me nevojën e një vote kombëtare.
Synimi i saj është që të konfirmojë mbështetjen në zgjedhjet e kaluara parlamentare, se sa për të pasur qëllim në vetvete fitoren në mazhoritar të bashkive, të cilat i kanë fituar.
Vetë Partia Socialiste, në bashki ku sheh një lloj rivaliteti, mundohet të fokusohet me investime të mëdha. Është rasti i Shkodrës, kurse në bashkitë e tjera, është një fushatë e njëtrajtshme monotone e parë disa herë gjatë viteve të fundit.
Lidhur me opozitën, ajo nuk ka arritur t’u përshtatet trendeve të reja dhe duket sikur vazhdon të përdorë mekanizmat e vjetër, që janë mitingjet, retorikë dhe dekor të parë në zgjedhjet e kaluara.
Kjo lidhet me formatin dhe raportin që kanë pasur liderë të caktuar politikë me fushatat gjatë viteve. Për shembull, z. Berisha e ka shumë të vështirë të ndryshojë qasjen elektorale dhe ndaj ka imponuar një sjellje të tillë.
Përdorimi i kanaleve të ndryshëm të komunikimit ka zënë peshë të ndryshme vit pas viti. Ku e shihni se po bëhet më agresive fushata?
Ka një diferencë të madhe në raport me zgjedhjet e kaluara. Z. Rama dhe z. Berisha u munduan të përdorin kanale të reja komunikimi, Podcast-e apo edhe forma të tjera, duke u munduar të tërheqin sidomos votuesit e rinj dhe të tregojnë që janë ende “trendy” për këta votues.
Pra që nuk janë politikanë të konsumuar dhe të lodhur.
Është një lloj sjellje e cila nuk dha ndonjë rezultat të madh. Pritej që të kishte më shumë ndikim, por nuk ndodhi, ndaj iu rikthyen rrjeteve sociale ku ishin më të suksesshëm për masën.
Nëse i shohim tani janë aktivë në ato që quhen rrjete tradicionale sociale, më shumë sesa në ato rrjetet moderne të komunikimit.
Po kështu vihet re se kanë hequr dorë nga debatet publike. Mazhoranca i shmanget çdo debati publik, ndërkohë që opozitës i intereson të tërheqë mazhorancën në këtë raport, për shkak se mund të jetë një rast për ta goditur dhe mund të faktorizohet, gjë që ajo e përsërit, por nuk ka dhënë efekt.
Çdo stacion televiziv ka dështuar të prodhojë debate midis kandidatëve.
Metoda e zgjedhur mes mediave dhe partive ku partitë sjellin kaseta të gatshme, apo kandidatët kanë kohë të ndarë televizive për të dhënë deklaratat e tyre, apo intervistat jo përballë njëri-tjetrit, mendoj se është e gabuar, e tejkaluar, demode dhe shkelje e standardit, etikës dhe përgjegjësisë zgjedhore.
Kjo pasi e bën të pamundur debatin publik dhe transparencën. Nuk duket sikur janë gazetarët që kërkojnë kandidatët për t’i marrë në pyetje, por janë kandidatët që kanë zgjedhur gazetarët për t’u marrë hapësirën televizive.
Si e vlerësoni gjuhën e përdorur nga liderët në këtë fushatë karshi rivalit? A është një gjuhë më e moderuar apo më denigruese? Cila është epiqendra apo boshti ku rrotullohen fjalimet: qytetari apo dështimet e palës tjetër?
Mendoj se ka pasur një gjuhë të personalizuar dhe të denigruar. Është një gjuhë më denigruese edhe në raport me zgjedhjet e kaluara. Kryeministri ka përdorur një gjuhë jashtëzakonisht të personalizuar dhe të ashpër ndaj rivalëve publikë edhe në disa fjalime publike.
Këtë e ka bërë më shumë për të banalizuar fushatën dhe për të tërhequr vëmendjen nga problematikat, skandalet apo akuzat për korrupsion, por edhe për të mobilizuar me atë gjuhë pjesën militante të partisë.
Edhe opozita, sidomos ajo pjesë që përfaqëson z.Berisha dhe z.Meta, ka pasur gjuhë të personalizuar dhe me akuza familjare dhe personale ndaj njëri-tjetrit.
Kjo lloj gjuhe është një zhvillim negativ dhe tregon se palët kanë zgjedhur më shumë t’i konsiderojnë sfidë dhe luftë personale këto zgjedhje, sesa një garë midis partive politike dhe alternativave.
Si i vlerësoni elementet vizuale – posterat, sloganet e zgjedhura nga partitë politike në këtë fushatë?
Në lidhje me elementet vizuale mendoj se nuk ka pasur ndonjë risi. Slogani i zgjedhur nga Partia Socialiste, pavarësisht se quhet e shkuara dhe e tashmja, nuk mendoj se funksionon.
Lidhet më shumë me politikën kombëtare, sepse bëhet fjalë për kandidatë për kryeministra, se sa për zgjedhjet lokale.
Te zgjedhjet lokale, s’mund të thuash e shkuara, kur praktikisht Partia Socialiste dominon dhe drejton shumicën e bashkive në vend dhe është e shkuara.
Në pjesën më të madhe të bashkive, ajo drejton prej disa mandatesh dhe teknikisht është vetë e shkuara. Nuk mund të jetë e ardhmja kur përdor këtë lloj slogani.
Slogani i opozitës mendoj se ka qenë i gabuar. Nuk është i gjetur, sepse nuk ka arritur të tërheqë vëmendjen publike dhe as të bëhet tërheqës për rrjetet sociale, sidomos te votuesit për herë të parë dhe të rinjtë në përgjithësi.
Mendoj se palët nuk arritën ta konsiderojnë marketingun si një armë elektorale efektive në këto zgjedhje.
Pjesa vizuale është më shumë e përqendruar te lideri. Është interesante të shohësh që, nëse kontrollojmë qytetet kryesore në vend, është i pranishëm z. Rama dhe z. Berisha në foto dhe nuk janë kandidatët për kryetar bashkie.
Në zgjedhjet lokale do të duhej të ishte krejt e kundërta. Liderët nuk janë kandidatë në zgjedhje, nuk votohen dhe nuk ka arsye pse të jenë në epiqendër të posterave.
Por kjo lidhet sërish me kredenciale personale, synime personale dhe rivalitet personal, jo me zgjedhjet vendore.
Siç konfirmoni edhe ju, ka një prani të lartë të liderëve kryesorë të partive. A i zbeh kjo prani kandidatët për zgjedhjet vendore apo i forcon ata në këndvështrimin tuaj?
Lidhur me praninë e liderëve, kjo është një traditë. Shumica e kandidatëve për kryetar bashkie nuk janë individë që kanë dashur të bëhen kandidatë. Janë individë të caktuar nga kryetari për t’u bërë kandidatë.
Kryetarët kanë vendosur se cili do të bëhet kandidat, kanë vendosur formatin, kanë caktuar stafin, sloganin, buxhetin dhe praktikisht kandidati nuk ka ndonjë rol.
Edhe kandidatë që të mund të kishin ndonjë lloj pavarësie më të madhe si kandidati i Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, nuk kanë arritur të krijojnë dot një personalitet publik në fushatë elektorale. Nuk ka dallime mes fushatës së Ramës dhe Veliajt.
Duhet të ishte e kundërta. Z. Veliaj do të duhet ta kishte fushatën llogaridhënëse dhe jo të bënte fushatë të personalizuar kundër liderëve të opozitës.
Do duhej të merrej me qytetarët për premtimet, gjë që nuk e ka bërë. I është shmangur. Kurse kandidatët e tjerë, praktikisht nuk bëjnë fushatë personale.
Kandidatët e Elbasanit, Vlorës apo Fierit, për shembull, si të mazhorancës dhe të opozitës, nuk kanë arritur të bëjnë as lajm, as të tërheqin vëmendjen e publikut e as të krijojnë një lloj ideje që kemi të bëjmë me personalitete të rëndësishme konkurruese.
Në këndvështrimin tuaj, nëse flasim për elektoratin gri dhe sfondin aktual politiko-ekonomik në vend, a është kjo një fushatë që mund ta dërgojë më lehtë te kutia këtë grup apo ta bëjë më refuzues?
Lidhur me elektoratin gri nuk mendoj se do ta gjejnë veten në këto zgjedhje.
E shoh si një shans të humbur për Shqipërinë, si një fushatë që ka mbaruar pa filluar dhe është një lloj sinjali që politikanët vetë nga mënyra si janë sjellë nuk kanë dashur që kjo pjesë gri të marrë pjesë në zgjedhje.
Mënyra si PS bën fushatë dhe mënyra si PD bën fushatë, deri diku, është kundër kësaj pjese. PS ka interes të tërheqë militantët dhe administratën publike. I mjaftojnë për të ruajtur numrat.
Ndërkohë që opozita ka tërhequr vetëm militantët. Nuk ka arritur të shkojë te qytetarët jashtë gardhit të saj, për shkak se ka refuzuar kërkesën e tyre të 6 viteve që është reformimi dhe modernizimi.
Kështu që nuk është një zgjedhje që do të prodhojë votues të rinj dhe nuk janë votuesit e rinj, ose të moderuar, që do të përcaktojnë fituesit.
Janë militantët që përcaktojnë fushatën. Militantët do të marrin pjesë, militantët do administrojnë, ata ndihen më shumë të përfaqësuar dhe do të jenë grupi shoqëror i cili do të marrë këtë lloj vendimi.
Ky është një zhvillim negativ në raport me nevojat që kishte Shqipëria dhe me faktin që këto janë procesi i parë zgjedhor pas fillimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe duhet të kishte një sjellje krejt tjetër, reflektim, llogaridhënie, transparencë më të madhe jo vetëm financiare, por edhe politike.
Do të duhet të kishte ndërprerje të qartë të burimeve shtetërore për fushatë elektorale. Do të duhej të kishte sqarime publike se sa janë paguar dhe si paguhen firmat dhe grupet lobuese, të cilat janë përfshirë në këtë fushatë, shqiptarë dhe të huaj.
Po kështu, do duhej të kishte një proces përzgjedhje dhe meritokracie të kandidatëve për kryetar bashkie dhe kandidatëve për këshilltarë bashkie, gjë që nuk ka ndodhur.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.